Paradigmat e reja të Makronit: Fuqizimi i autonomisë strategjike

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane. Shtatë vjet më parë, pikërisht në Universitetin e Sorbonës në Paris, ylli evropian në ngritje, presidenti francez Makron, prezantoi konceptet e tij. Shtatë vjet më vonë, ai u mburr fillimisht se konceptet e tij janë bërë koncepte evropiane, duke pretenduar se sot Evropa është më […]

Paradigmat e reja të Makronit: Fuqizimi i autonomisë strategjike
Emmanuel Macron. Foto pritnscreen nga video live në Facebookun e Edi Ramës gjatë vizitës së tij në Tiranë

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Shtatë vjet më parë, pikërisht në Universitetin e Sorbonës në Paris, ylli evropian në ngritje, presidenti francez Makron, prezantoi konceptet e tij.

Shtatë vjet më vonë, ai u mburr fillimisht se konceptet e tij janë bërë koncepte evropiane, duke pretenduar se sot Evropa është më e bashkuar, më sovrane dhe më demokratike, pikërisht atë që ai kërkonte në 2017. Para së gjithash, është koncepti i autonomisë strategjike që Makron promovoi, që nënkupton kapacitetin e BE-së për të vepruar në mënyrë autonome, pa qenë e varur nga shtetet e tjera. Dhe fakt është se është bërë pjesë thelbësore e strategjive të Bashkimit Evropian.

Tashmë është përsëritur disa herë dhe nga disa anë, si provë uniteti është theksuar qëndrimi ndaj agresionit rus ndaj Ukrainës dhe performanca (financiare) e përbashkët gjatë pandemisë COVID, si dhe reduktimi i varësisë nga gazi rus. Meqenëse koncepti i autonomisë strategjike presupozon forcimin e kufijve të jashtëm, Pakti i ri për аzilin dhe мigracionin është përmendur si sukses, megjithëse shumë i kritikuar nga avokatët e të drejtave të njeriut. Sipas Мakronit, Evropa nuk është më “nave teknologjikisht dhe industrialisht”, kështu që realitet është përkushtimi ndaj “sovranitetit teknologjik dhe industrial”, me ndikim të madh të industrisë ushtarake dhe mbrojtjes. Si suksese përmenden politikat e përshkruara për tranzicionin digjital dhe energjetik.

Presidenti francez e konsideron si progres “rimendimin e gjeografisë sonë brenda fqinjësisë sonë”, duke folur për vendet me perspektivë anëtarësimi dhe ato të tjera, pjesë e idesë së tij për një komunitet politik evropian. Për Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor u përsërit qëndrimi nga Bratisllava, reforma të këtyre vendeve dhe reforma të mëtejshme në BE. Dhe aq shumë për zgjerimin. Në këtë fjalim nuk përdoret as fjalori i zakonshëm i temës, nuk përmendet ‘zgjerimi’, ‘negociatat’, ‘kandidatët’…

Por, çdo sukses pasohet nga një “por”. Këtë herë, “por” është një paralajmërim dramatik “Evropa mund të vdesë”, cituar shpesh në raportet e mediave, pa përcjelljen e tij “nëse nuk bëjmë zgjedhjen e duhur”, kur rregullat e lojës kanë ndryshuar në mënyrë dramatike në niveli global.

Shkurtimisht, vlerësimi i presidentit francez është se Evropa nuk po bën mjaftueshëm për të kapërcyer rrezikun bazë, duke mbetur prapa SHBA-së dhe Kinës, të cilat “kanë vendosur të mos respektojnë rregullat e tregtisë”. Midis 1993 dhe 2022, produkti i brendshëm bruto për banor në Shtetet e Bashkuara u rrit me gati 60%, dhe në Evropë u rrit me më pak se 30%. Ai gjithashtu pranon se themelet e BE-së janë nën kërcënim nga qasjet autoritare.

Cili është thelbi i paradigmës së re të ofruar, të sublimuar si “fuqi, prosperitet dhe humanizëm”?

“Evropa si forcë” do të thotë, para së gjithash, forcimi i mbrojtjes, në nivel strategjik dhe duke rritur industrinë ushtarake evropiane. Për Makronin është e paqëndrueshme që dy të tretat e fondeve të Instrumentit për Paqe të BE-së të destinuara për Ukrainën të shkojnë jashtë BE-së. “Evropa e Fuqishme” nënkupton edhe forcimin e kufijve të saj, përmes aplikimit të Paktit të Ri për Azilin dhe Migracionin. Është e rëndësishme për ne që për vendet e origjinës dhe tranzitit të migrantëve propozon vendosjen e kushtëzimit në drejtim të politikës tregtare dhe të vizave.

“Evropa e progresit dhe prosperitetit” është angazhim për një model të ri të rritjes dhe prodhimit të BE-së. Ai bazohet në vlerësimin se BE-ja nuk mund të përballojë më rregullat e reja të lojës, duke ruajtur standardet më të larta mjedisore dhe sociale, duke mos investuar sa duhet dhe duke mbajtur një politikë tregtare “naive”.

Cilat janë drejtimet e reja të propozuara?

1. Për të prodhuar më shumë dhe “më gjelbër”. Kjo do të thotë investim në prodhimin e dekarbonizuar, por edhe një Evropë me zero ndotje plastike.

2. “Thjeshtimi”: ofrohet më shumë integrim, veçanërisht në sektorët e energjisë, telekomunikacionit dhe shërbimeve financiare, por me rregulla të thjeshtuara loje.

3. Shumë më tepër investime, me instrumente të reja, në sektorët strategjikë: inteligjencë artificiale, informatikë kuantike, hapësirë (kozmos), bioteknologji, energji të reja. Angazhimi ndaj politikës bujqësore (“e fortë dhe e thjeshtuar”) është gjithashtu në linjën e autonomisë strategjike.

4. Rishikimi i politikës tregtare, përsëri me mbrojtjen e interesave evropiane në plan të parë.

5. 3% e PBB-së së BE-së për inovacionin, kërkimin (hulumtimin) dhe konkurrencën.

6. Integrimi i tregjeve të kapitalit dhe dukshëm më shumë investime, ndërmjet 650 dhe 1000 miliardë euro në vit më shumë investime të BE-së.

Në paradigmën e tretë, Evropa humaniste, avokimi për forcimin e luftës për demokraci, kundër demokracisë joliberale, për barazi dhe kohezion social është vetëm një aspekt. Pamja më e gjerë është se sot bëhet fjalë edhe për një betejë civilizuese dhe kulturore, si sfidë për modelin humanist evropian, që nënkupton qytetarë të ndërtuar “nëpërmjet dijes, kulturës dhe shkencës”, por edhe një rend demokratik me transparencë dhe drejtësi.

Është e pamohueshme që kjo kërkesë e angazhimit francez ndaj BE-së do të ketë ndikim në BE. Nëse do të jetë në nivelin e ndikimit të shtatë viteve më parë, do të varet nga konstelacioni i ri politik në BE, por edhe në korniza më të gjera globale.