Për herë të parë në vend u regjistrua epidemi e HIV-it tek një grup i caktuar i popullatës

Sipas rezultateve të hulumtimit të fundit nga viti 2018 tek meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj në Shkup prevalenca e vlerësuar është 5,4 përqind, që do të thotë se në RMV për herë të parë regjistrohet një epidemi e koncentruar tek një grup i caktuar i popullatës, raporton Meta, përcjell Portalb.mk. Kështu thuhet në […]

Për herë të parë në vend u regjistrua epidemi e HIV-it tek një grup i caktuar i popullatës
Infektimi HIV. Foto nga Wikimedia commons NIAID

Sipas rezultateve të hulumtimit të fundit nga viti 2018 tek meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj në Shkup prevalenca e vlerësuar është 5,4 përqind, që do të thotë se në RMV për herë të parë regjistrohet një epidemi e koncentruar tek një grup i caktuar i popullatës, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Kështu thuhet në raportin e fundit vjetor të Institutit të Shëndetit Publik për aktivitetet e realizuara në përputhje me Programin për mbrojtjen e popullatës nga infeksioni HIV, të cilin e kanë përgatitur Dr. Zharko Karaxhovski, bashkëpunëtori Gazmend Ismani dhe Zhivadinka Cvetanovska, specialiste e diagnostikimit mikrobiologjik.

Në dokument thuhet se në vitin 2023 në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë pranuar raportime për 50 raste të reja me HIV/AIDS. Numri i rasteve në vitin 2023 është më i lartë për 0,8 përqind krahasuar me vitin 2022, kur janë regjistruar 42 raste.

“Krahasuar me mesataren e periudhës paraprake dhjetëvjeçare (2013-2022) është regjistruar një rritje prej 22 përqind”, thuhet në raport.

Në vitin 2023 nga të gjitha rastet e regjistruara 46 kanë qenë meshkuj dhe 4 femra. Sipas raportit mosha mesatare e rasteve të reja është 35 vjet. 74 përqind e rasteve janë në moshë nga 20 deri në 39 vjet.

“Nga rastet e regjistruara në vitin 2023 numri më i madh i rasteve kanë qenë me vendbanim në Shkup, ndërsa 4 raste janë regjistruar në Strumicë. Rastet e tjera janë regjistruar si raste sporadike në 18 qytete të tjera. Në vitin 2023 janë regjistruar 3 vdekje si pasojë e SIDA-s, nga të cilat një person i regjistruar në vitin 2022”, thuhet në këtë dokument.

Në raport thuhet se nga viti 1987 deri në fund të vitit 2023 janë regjistruar 636 raste me HIV/SIDA. Por vitet e fundit vihet re një rritje e numrit të rasteve, kështu që 37 përqind e të gjitha rasteve janë regjistruar në pesë vitet e fundit.

“Me prezantimin e terapisë antiretrovirale, mbijetesa e personave që jetojnë me HIV është përmirësuar ndjeshëm, në 10 vitet e fundit nga 439 raste të regjistruara janë regjistruar 39 vdekje, që paraqet një shkallë mortaliteti prej 8,9 përqind”, thuhet në raportin vjetor.

Sipas mënyrës së transmetimit, numri më i madh i rasteve (60,5 përqind) janë tek meshkujt që kanë kryer marrëdhënie seksuale me mashkull, mënyra heteroseksuale e transmetimit është regjistruar në 210 raste, personat që injektojnë drogë marrin pjesë me 1,9 përqind, ndërsa nga 6 raste (0.9 për qind) janë regjistruar te personat me hemofili (e fundit para 18 viteve) dhe me transmetim vertikal nga nëna tek fëmija.

“Të dhënat epidemiologjike tregojnë për një tendencë të rritjes të numrit të rasteve të reja të diagnostikuara me HIV. Fakti që institucionet shëndetësore publike (ISHP, QSHP) ishin të përjashtuara nga aktivitetet programore dhe edukative është shqetësues. Edhe pse qëllimet e parapara me programin vjetor për mbrojtjen e popullatës nga HIV në vitin 2023 kanë shënuar një realizim të mirë, përsëri duhet marrë parasysh ulja e treguesve për suksesshmërinë e zbatimit tek aktivitetet e realizuara nga shoqatat civile, pa konsultim”, thuhet në raport.

Në mbarë botën rreth 39 milionë njerëz jetojnë me HIV. Numri i fëmijëve që jetojnë me HIV nën moshën 14 vjeçare është 1.5 milionë.