Putin zëvendësoi Shoigun, ministri i ri i Mbrojtjes do të jetë Andrej Belousov

Vladimir Putin ka propozuar shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Ministër i ri do të emërohet zëvendëskryeministri aktual Andrej Belousov, transmeton Portalb.mk. Shoigu, 68 vjeç, i cili mori postin në vitin 2012, do të jetë sekretari i ri i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, duke zëvendësuar Nikolai Patrushev. Shoigu konsiderohet të jetë një nga […]

Putin zëvendësoi Shoigun, ministri i ri i Mbrojtjes do të jetë Andrej Belousov
Vladimir Putin dhe Andrej Belousov. Foto: Kremlin.ru

Vladimir Putin ka propozuar shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Ministër i ri do të emërohet zëvendëskryeministri aktual Andrej Belousov, transmeton Portalb.mk.

Shoigu, 68 vjeç, i cili mori postin në vitin 2012, do të jetë sekretari i ri i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, duke zëvendësuar Nikolai Patrushev.

Shoigu konsiderohet të jetë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Putinit dhe spekulimet për largimin e tij filluan pas arrestimit të zëvendësit të tij Timur Ivanov, i cili akuzohej për korrupsion. Ai u emërua në departamentin e mbrojtjes pavarësisht se nuk kishte përvojë të mëparshme në ushtri dhe, megjithëse shpesh në hije, luajti një rol kyç në luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Pozicioni i tij u trondit për herë të parë vitin e kaluar pasi ai hyri në një grindje publike me shefin e mercenarëve të Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili kërkoi largimin e tij për mënyrën se si po zhvillohej lufta në Ukrainë.

Belousov, i cili është ekonomist me profesion, gjithashtu nuk ka përvojë ushtarake dhe analistët besojnë se në këtë mënyrë Putini dëshiron të përafrojë ekonominë ruse më afër me përpjekjet ushtarake ruse.

Zëdhënësi i Kremlinit Dimitry Peskov tha se emërimi i një civili si ministër i mbrojtjes do të thotë se posti ka nevojë për risi.

“Rusia po bëhet si Bashkimi Sovjetik në mesin e viteve 1980, kur pjesa më e madhe e prodhimit të brendshëm bruto shkoi për shpenzimet ushtarake. Prandaj, është e nevojshme të sigurohet që shpenzimet ushtarake të integrohen më mirë në ekonominë e përgjithshme të Rusisë”, tha Peskov.

Belosuov e përshkruan veten si një mbrojtës i vendosur i shtetit që beson se ai është i rrethuar nga armiq. Para se të bëhej zëvendëskryeministër, ai ishte ndihmës i Putinit për disa vite dhe mbështeti hapur aneksimin e Krimesë.