RMV, deri më tani nuk ka shumicë për Ligjin e riorganizmit të ministrive, diskutimi vijon në disa komisione kuvendore

Për propozim-amandamentet dhe plotësimet në Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, të cilat i propozoi deputeti dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, Komisioni për Sistemin Politik dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve si trup amë punues dhe Komisioni Legjislativ duhet të mblidhet, pasi sot Kuvendi pranoi propozimin e tij për t’u futur në […]

RMV, deri më tani nuk ka shumicë për Ligjin e riorganizmit të ministrive, diskutimi vijon në disa komisione kuvendore
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Për propozim-amandamentet dhe plotësimet në Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, të cilat i propozoi deputeti dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, Komisioni për Sistemin Politik dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve si trup amë punues dhe Komisioni Legjislativ duhet të mblidhet, pasi sot Kuvendi pranoi propozimin e tij për t’u futur në procedurë të shkurtuar. Seanca e Komisionit për Sistem Politik është caktuar për në brëmja në orën 18, transmeton Portalb.mk.

Në përcaktimin e rendit të ditës së seancës së dytë të Kuvendit, 74 deputetë e mbështetën miratimin e ligjit në procedurë të shkurtuar, ndërsa 24 deputetë nga e Majta dhe LSDM kërkuan tërheqjen e amendamenteve të propozuara, me arsyetimin se ligje të tilla sistematike nuk duhet të miratohen me procedure të shkurtuar.

Mickoski, i cili nga dje është mandatar për përbërjen e qeverisë së re, duke kërkuar mbështetje për ndryshimet ligjore, tha se ato janë të nevojshme për shkak të reformave në administratë dhe për zgjidhjen e problemeve reale të qytetarëve me politika efikase dhe vendime që do të sjellin një standard më të mirë të jetesës, pensione, arsim më të mirë, mbrojtje sociale efikase, ekonomi dhe bujqësi të zhvilluar.

“Për ta bërë këtë, ne kemi nevojë për një organizim të mirë të qeverisë”, tha Mickoski.

Ai e ka dorëzuar ligjin në procedurë të shkurtuar, bazuar në nenin 71 paragrafi 1 të Kushtetutës dhe nenet 139, 144 dhe 175 të Rregullores së Kuvendit.

Çfarë ndryshimesh propozohen?

  • Sipas Propozimit, Ministrisë së Ekonomisë do t’i shtohet segmenti i punës, ndërsa Ministria e aktuale e Punës dhe Politikës Sociale do të jetë Ministri e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
  • Agjencia për Rini dhe Sport nuk do të ekzistojë dhe do të ketë një ministri të veçantë për sportin.
  • Një pjesë e kompetencave të mbajtura më parë nga Ministria e Ekonomisë në fushën e minierave dhe energjisë do të jenë pjesë e kompetencave të Ministrisë së re të Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, kompetencat për turizmin do t’i ketë Ministria e re e Kulturës dhe Turizmit.
  • Ndër të tjera do të krijohet një Ministri e digjitalizimit, e cila do të trashëgojë përgjegjësitë e ministrisë së mëparshme për shoqëri informatike dhe administratë, ndërsa e re do të jetë edhe Ministria e administratës.

Në arsyetimin për ndryshimet dhe plotësimet e propozuara në Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, thuhet se qëllimi është riorganizimi i ministrive dhe organeve të administratës shtetërore, në mënyrë që të mundësojë funksionimin e tyre të mirëfilltë, mos- përputhjen e kompetencave dhe një linjë të përshtatshme llogaridhënieje bazuar në treguesit e performancës së paracaktuar të institucioneve.

“Riorganizimi i ministrive dhe organeve të tjera të administratës shtetërore bëhet me qëllim që puna e tyre të përshtatet me nevojat moderne të funksionimit të organeve të administratës shtetërore, veçanërisht në drejtim të vendosjes së një fokusi më të madh në punët në fushat e energjisë, burimeve minerale, minierave, si dhe sporteve. Sa i përket kompetencave, ministritë marrin kompetenca më të qarta, kompetencat e ndërthurura ndërmjet ministrive ekzistuese janë demarkuar dhe lihet hapësirë ​​që rregullorja kornizë e organeve të administratës shtetërore të përcaktohet saktë me ligje materiale”, thuhet në sqarim.

Më tej thuhet se domosdoshmëria e ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, i cili parashikon krijimin e ministrive të reja, buron nga fakti se disa organe të administratës shtetërore dhe organizata administrative, si dhe organe të pavarura, nuk janë funksionale dhe nuk e përmbushin funksionin e tyre themelor, pra nuk funksionojnë për një realizim sa më efektiv të të drejtave, detyrave dhe interesave të qytetarëve dhe personave juridikë.

Për të ndryshuar kabinetin qeveritar siç parashikohet në programin e VMRO-DPMNE-së dhe për të miratuar ligjet sistematike për organizimin e punës së organeve të shtetit, është e nevojshme mbështetja e dy të tretave të shumicës parlamentare në Kuvend.

Ndërprerja e mandatit të Talat Xhaferit do të presë ende

Në një fjalim procedural në seancë, deputeti Dimitar Apasiev pyeti se pse kryetari i Kuvendit Afrim Gashi nuk e ka vënë si pikë të rendit të ditës kërkesën e dorëzuar nga e Majta për të konstatuar ndërprerjen e mandatit të deputetit Talat Xhaferi për shkak të papajtueshmërisë së funksionit të kryeministrit dhe deputetit. Gashi ka thënë se kërkesën e ka marrë më 4 qershor dhe menjëherë ua ka përcjellë të gjithë deputetëve, por jo Komisionit Parlamentar për Rregulloren dhe Imunitetet, sepse ende nuk është zgjedhur përbërja e tij.

“Sa i përket përmbajtjes së kërkesës, theksoj se Kuvendi nuk mund të veprojë sepse kjo kërkesë nuk është dokument me të cilin ky Kuvend mund të përcaktojë ndërprerjen e mandatit të Talat Xhaferit”, tha Gashi.

Rikujtojmë se pas zgjedhjeve të 8 majit, në kampin maqedonas VMRO-DPMNE doli fituese me 58 deputetë ndërsa në kampin shqiptar Fronti Evropian së pari me 19 deputetë por pas rivotimit me 22 maj mbeti me 18 deputetë. 

Megjithatë, VMRO-DPMNE ka njoftuar se Qeveria e re pritet të formohet deri më 20 qershor jo me fituesin e kampit shqiptar, por me koalcionin shqiptar VLEN që kishte 13 deputetë por që fitoi një më shumë pas rivotimit, konkretisht ka 14 deputetë.

Në këtë drejtim, negociatat midis grupeve punuese të partive janë drejt fundit. VLEN gjithashtu ka bërë të ditur një pjesë të resorëve të cilat pritet t’i udhëheqin.

Fonti Evropian kundërshton këtë veprim duke e quajtur “majorizim” nga pala maqedonase sepse po merret në pushtet partia me më pak deputetë, dhe ka lajmëruar se do të ndërmerr masa për të ndaluar këtë.