RMV, pacientë me Covid-19 ka, por tani për tani nuk ka vend për panik

Po rritet numri i personave të infektuar me virusin Covid-19 në Maqedoninë e Veriut. Në muajin korrik janë regjistruar 250 raste. Nuk duhet bërë panik, por duhet pasur kujdes, thonë mjekët. Rrallë kush testohet, ndërsa numri më i madh i rasteve nuk kanë një pasqyrë të rëndë klinike, raporton Radio Evropa e Lirë. Temperaturë, ethe, […]

RMV, pacientë me Covid-19 ka, por tani për tani nuk ka vend për panik
Spital, shendetesi, kovid, korona, Holl në një Spital të RMV-së, foto ilustrim: Suad Bajrami/Portalb.mk

Po rritet numri i personave të infektuar me virusin Covid-19 në Maqedoninë e Veriut. Në muajin korrik janë regjistruar 250 raste. Nuk duhet bërë panik, por duhet pasur kujdes, thonë mjekët. Rrallë kush testohet, ndërsa numri më i madh i rasteve nuk kanë një pasqyrë të rëndë klinike, raporton Radio Evropa e Lirë.

Temperaturë, ethe, djersitje të shtuar, plogështi, nauze, luhatje të tensionit të gjakut, dhimbje në gjoks dhe vështirësi në frymëmarrje. Këto simptoma që i ka pasur Daniella nga Shkupi ia kanë përkujtuar asaj pandeminë gjatë së cilës dy herë u sëmur nga Covid-19. E ka pasur fytin e skuqur, prandaj mjeku amë i ka dhënë antibiotik, por nuk i ka sugjeruar të bëjë një test për Covid-19. Ajo e ka bërë me vetiniciativë, në një laborator privat, sepse në farmaci nuk ka mundur të gjejë nga testet e shpejta. Rezultati i ka dalë pozitiv për Covid-19.

Ajo është një nga ato që këtë verë u prek nga Covid-19. Numri i personave të infektuar me këtë virus në Maqedoninë e Veriut po rritet. Këtë e vërteton numri i rasteve të regjistruara zyrtarisht, por edhe përvojat e mjekëve.

“Ka një rritje graduale të të prekurve, por është inkurajuese ajo që nuk po rritet numri i hospitalizimeve. Shumica e pacientëve, do kisha thënë rreth 95%, trajtohen në kushte ambullatore. Nuk kemi pacientë që kanë nevojë për mbështetje me oksigjen apo që janë të vendosur në ventilatorë, pra me respiratorë”, thotë D-r. Zllate Mehmedoviq, zëdhënës i Komisionit për Sëmundje Infektive.

Tani për tani nuk ka vend për shqetësim apo panik, thekson ai.

Edhe mjeku amë Bojan Trajkovski pajtohet se pasqyra e tanishme është larg panikut, por siç thotë ai nuk është e shumë e mirë, prandaj edhe duhet pasur kujdes.

“Në përgjithësi njerëzit mjekohen në shtëpi, shumë rrallë ka raste të hospitalizuara apo pneumoni si më parë. Problemi kryesor është diferencimi mes Covid-it, gripit, ftohjes… Jo rrallë herë ka edhe simptoma gastrointestinale, e pas disa ditësh konfirmohet Covid-i. Nuk manifestohet më vetëm ajo patologjia respiratore që ishte karakteristike për Covid-19. Tani po shohim një ndërthurje të simptomave”, tha Trajkovski për Radion Evropa e Lirë.

Ajo që dallon tani është edhe fakti që qytetarët bëjnë shumë më pak testime për Covid-19.

“Testimi tani bëhet për nevojë administrative, pra nëse dikush ka nevojë, qoftë për në punë, qoftë për hospitalizim në të ardhmen. Për mua si mjek testimi nuk është edhe aq i nevojshëm dhe vendimtar, duke qenë se edhe konfirmimi i Covid-it dhe konfirmimi i gripit apo ftohjes apo ndonjë lloj sëmundjeje tjetër virale në përgjithësi është për të njëjtin lloj trajtimi. Ne trajtojmë simptomatikisht, pra e trajtojmë gjendjen sipas simptomave”, shton mjeku amë.

Ai pret që numri i të sëmurëve me Covid-19 të vazhdojë të rritet sepse vjen një periudhë që qytetarët kthehen nga pushimet dhe fëmijët kthehen në shkollë.

Nga Covid-19 preken edhe foshnjat

Sipas buletinit për lëvizjen e sëmundjeve akute infektive të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), gjatë muajit korrik numri më i madh i rasteve me Covid është regjistruar tek grupmosha mbi 60 vjet dhe tek fëmijët deri në 9 vjet.

Rastet e konfirmuara te fëmijët nuk janë aq të rralla, por edhe këtu nuk ka vend për panik, thotë mjekja pediatre Zvezda Spasovska.

“Muajin e fundit ka pasur më shumë raste. Sëmundja është shoqëruar me temperaturë për një kohë më të gjatë. Fëmijët mund të jenë edhe me temperaturë të lartë edhe me plogështi. Kanë një oreks më të dobët, shpesh kanë diarre dhe të vjella, por kryesisht janë mirë. Tani nuk kemi aq shumë komplikime në formë të inflamacionit të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes”, thekson doktoresha Spasovska.

Këtë verë ajo ka pasur edhe një pacient me Covid-19 në moshë më pak se një vjet.

“Kryesisht prek fëmijët më të mëdhenj, por kemi pasur edhe foshnja, pra foshnja të vogla deri në një vjet, në familjen e të cilëve të sëmurë kanë qenë prindërit, kështu që janë sëmurë edhe ata. Megjithatë, përveç temperaturës, plogështisë, oreksit të dobët etj., nuk kanë pasur komplikime të tjera”, thotë pediatrja.

Nëse temperatura e rritur e trupit zgjat për më shumë ditë, atëherë rekomandohet të bëhet një test për Covid, por terapia është përsëri simptomatike – me vitamina, lëngje, kujdes dhe pushim.

Në korrik janë raportuar 250 raste me COVID-19 në vend. Krahasuar me muajin qershor, ka një rritje të numrit për dhjetë herë, njëjtë si edhe krahasuar me muajin korrik të vitit 2023, thuhet në buletinin e ISHP-së.

Numri më i madh janë regjistruar në Shkup, ndërsa incidencë më e madhe është regjistruar në Kavadar.

Është regjistruar edhe një rast i vdekjes si pasojë e COVID-19.

Në laboratorë janë testuar gjithsej 906 materiale, që është për dy herë më shumë se sa numri i materialeve të testuara gjatë muajit të kaluar.

Që nga fillimi i pandemisë, deri në fund të korrikut të këtij viti, janë regjistruar gjithsej 350.875 raste të konfirmuara me COVID-19 dhe 9.992 vdekje, njoftojnë nga ISHP.