RMV, për pesë vjet është shumëfishuar numri i personave që vuajnë nga kolla e keqe

Nga data 17 deri më 23 maj janë raportuar 34 raste të reja me kollë të keqe, me një rënie prej 22,7 për qind krahasuar me shtatëditorin paraprak, kur u regjistruan 44 raste të reja. Nga 34 të reja, tre janë shtruar në spital, sipas të dhënave nga raporti i fundit i Institutit të Shëndetit […]

RMV, për pesë vjet është shumëfishuar numri i personave që vuajnë nga kolla e keqe
Korridori i ambulancës së kirurgjisë/ FOTO: Portalb.mk 16.01.2024

Nga data 17 deri më 23 maj janë raportuar 34 raste të reja me kollë të keqe, me një rënie prej 22,7 për qind krahasuar me shtatëditorin paraprak, kur u regjistruan 44 raste të reja. Nga 34 të reja, tre janë shtruar në spital, sipas të dhënave nga raporti i fundit i Institutit të Shëndetit Publik (IShP), i publikuar paraditen e sotme, transmeton Portalb.mk.

Për sa i përket shpërndarjes gjeografike, shumica e rasteve janë raportuar në kuadër të epidemisë në Shkup – 27, ndërsa katër raste janë raportuar nga Tetova dhe nga një nga Prilepi, Kërçova dhe Velesi.

Mosha e pacientëve varion nga një muaj deri në 73 vjeç. Numri më i madh i rasteve janë nga grupmosha nën një vjeç dhe nga pesë deri në nëntë vjeç.

“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut deri më 23 maj janë regjistruar gjithsej 631 raste me kollë të keqe, me incidencë 34.4/100. 000 banorë. Kjo paraqet një rritje të disafishtë të numrit të pacientëve në krahasim me pesëvjeçarin e kaluar – nga viti 2019 deri në vitin 2023, kur janë regjistruar gjithsej 10 raste. Shpërndarja e rasteve sipas vendbanimit tregon se numri më i madh i njerëzve jetojnë në Shkup – 507 ose 80,3 për qind, duke mbuluar shtatëmbëdhjetë komuna të ndryshme. Në kuadër të epidemisë në Kumanovë janë raportuar 35 të sëmurë ose 5.5 për qind. Rastet janë raportuar edhe në 17 qytete të tjera në të gjithë vendin”, thuhet në raportin e IShP-së.

Shpërndarja sipas gjinisë tregon se 297 persona janë meshkuj dhe 334 janë femra.

“Lakorja e epidemisë tregon se shfaqja e rasteve të reja të kollës së keqe fillon në javën e parë të vitit 2024. Sipas të dhënave nga regjistrat – për një periudhë shtatëditore nga e hëna deri të dielën, ka një rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve në baza javore, deri në javën e 12-të. Nga java e 12-të deri në javën e 21-të, numri i rasteve të raportuara luhatet”, thekson Instituti.

Nga numri i përgjithshëm i pacientëve janë shtruar 90 persona ose 14.3 përqind.

Prej tyre, 75 ose 83,3 përqind – të moshës deri në katër vjeç. Numri më i madh i rasteve – 60 ose 66,7 përqind – janë shtruar në Klinikën për sëmundje të mushkërive te fëmijët në Kozle.

Nga numri total i të shtruarve, 85 kanë dalë nga spitali. Mesatarisht, pacientët u shtruan në spital për nëntë ditë.

“Dy epidemi janë raportuar në territorin e Shkupit dhe Kumanovës. Nga numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara – 631, 379, përkatësisht 60,1 përqind nuk ishin të vaksinuar, nuk ishin të vaksinuar plotësisht sipas moshës ose nuk ka dëshmi të vaksinimit. Nga rastet që janë vaksinuar plotësisht – 201, koha mesatare e kaluar nga doza e fundit e vaksinës deri në sëmundje është 12.4 vjet”, përfundon IShP-së.

Nga data 18 janar deri më 23 maj janë dhënë gjithsej 49. 934 doza vaksine me komponent kundër kollës së mirë.