RMV, sot konstituohet përbërja e re parlamentare, Mickoski për herë të parë deputet, në ulëse edhe gjithë ish-kryesia e LSDM-së

Sot në orën 11:00 në Kuvend duhet të fillojë seanca në të cilën duhet të konstituohet përbërja e re parlamentare. Në rendin e ditës të seancës janë katër pika, përkatësisht zgjedhja e Komisionit Verifikues, Verifikimi i mandateve të deputetëve të rinj, zgjedhja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, si dhe zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit. […]

RMV, sot konstituohet përbërja e re parlamentare, Mickoski për herë të parë deputet, në ulëse edhe gjithë ish-kryesia e LSDM-së
Kuvendi, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Sot në orën 11:00 në Kuvend duhet të fillojë seanca në të cilën duhet të konstituohet përbërja e re parlamentare. Në rendin e ditës të seancës janë katër pika, përkatësisht zgjedhja e Komisionit Verifikues, Verifikimi i mandateve të deputetëve të rinj, zgjedhja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, si dhe zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit. Seanca konstituive, sipas Rregullores së re, zgjat maksimumi tri ditë dhe Kuvendi konstituohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Sipas njoftimeve për kryetar të Kuvendit do të propozohet Afrim Gashi nga Alternativa, pjesë e koalicionit Vlen, transmeton Portalb.mk.

Kuvendi do të ketë 120 deputetë, por në seancë pritet të marrin pjesë vetëm 118 për shkak se mandatet e tyre tashmë janë konfirmuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe atyre u janë lëshuar certifikatat. Procedurat e ankimimit janë ende në vazhdim për dy mandate që u rivotuan të mërkurën e kaluar.

Në përbërjen e re parlamentare koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka më së shumti deputetë – 58, koalicioni Për një të ardhme evropiane të udhëhequr nga LSDM ka 18 deputetë, koalicioni i Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI gjithashtu ka 18 deputetë. Koalicioni Vlen ka 14, e Majta gjashtë dhe ZNAM gjashtë deputetë.

Procedurat e ankimimit për rivotimin e fundit në fshatin Llërcë të Zhelinës janë ende në vazhdim dhe nuk dihet nëse Vlen do ta mbajë mandatin. 

Për shkak të kandidimit për kryetar të Kuvendit, Afrim Gashi ka dhënë dorëheqje nga posti drejtues në Alternativë, e cila është pjesë e Koalicionit Vlen. Bilal Kasami, kryetari i Lëvizjes BESA, pjesë e këtij koalicioni dhe kryetar i Komunës së Tetovës, nga ana tjetër ka hequr dorë nga mandati i deputetit dhe ka kërkuar që në seancën e sotme të mos verifikohet.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, është deputet për herë të parë pasi nuk ishte në lista në ciklin e kaluar zgjedhor.

Ndryshime në lista do të ketë, duke pasur parasysh se Mickoski do të jetë kryeministër, ndërsa disa nga deputetët e rinj do të marrin ulëse në ekzekutiv.

Nga LSDM-ja, nga ana tjetër, deputetë janë ish-kryeministri dhe lideri i partisë Dimitar Kovaçeski dhe gjithë kryesia që dha dorëheqje bashkë me të.

Pas rivotimit të disa vendvotimeve, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet fillestare të ndryshuara, sipas të cilave koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka 58 deputetë, VLEN 14 deputetë, LSDM me 18 mandate dhe koalicioni i udhëhequr nga BDI edhe 18 mandate. ZNAM dhe Levica e Maksim Dimitrievskit kanë nga 6 mandate parlamentare. Do të ketë edhe diskutime pas kundërshtimit të BDI-së për vendvotimin në Zhelinë.

Për zgjedhjet parlamentare, Maqedonia është e ndarë në gjashtë njësi zgjedhore dhe nga secila prej tyre hyjnë 20 deputetë, ku sipas të ashtuquajturit modeli Dont, përllogaritet se cila parti sa sa mandate deputetësh do të marrë.

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6.