Taravari për ndryshimet kushtetuese: Na duhet një zgjidhje e pranueshme për Bullgarinë dhe Maqedoninë dhe problemi zgjidhet menjëherë

Koalicioni VLEN është garancia më e mirë se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën e saj evropiane. Në fakt, në deklaratën e parë mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it janë tre pika – rruga evropiane, zhvillimi i shpejtë ekonomik, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe sundimi i ligjit, tha Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët në […]

Taravari për ndryshimet kushtetuese: Na duhet një zgjidhje e pranueshme për Bullgarinë dhe Maqedoninë dhe problemi zgjidhet menjëherë
Arben Taravari. Foto printscreen

Koalicioni VLEN është garancia më e mirë se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën e saj evropiane. Në fakt, në deklaratën e parë mes VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it janë tre pika – rruga evropiane, zhvillimi i shpejtë ekonomik, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe sundimi i ligjit, tha Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët në daljen e mbrëmshme televizive në Kanal 5, transmeton Portalb.mk.

“Unë garantoj se do të ketë modalitete që do të jenë të pranueshme për të dyja palët. Jam shumë i sigurt edhe për Shkupin edhe për Sofjen, por kryeministri i ardhshëm me siguri do të thotë se cilat janë opsionet. Megjithatë, po ju them, po punohet intensivisht”, tha Taravari.

I pyetur nëse ka biseduar me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski për amendamentet kushtetuese, Taravari tha “normalisht”, duke theksuar se nuk është korrekte të thotë se çfarë zgjidhjeje, por kjo duhet ta njoftojë mandatari i ardhshëm apo kryeministri.

“Ne punojmë nga disa aspekte. Jam optimist se do të gjendet një zgjidhje. Do të kemi ndihmë nga organizatat joqeveritare dhe nga njerëzit që duan të ndihmojnë Maqedoninë, të gjitha për të lëvizur dhe për të filluar negociatat, sepse është për të mirën e qytetarëve. Numrat këtu tani janë 80, na duhet vetëm një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për Bullgarinë dhe Maqedoninë dhe problemi mund të zgjidhet menjëherë. Jam optimist që më në fund Shqipëria dhe Maqedonia do të vazhdojnë së bashku dhe do të nisin negociatat”, tha Taravari.

Ai gjithashtu shprehu pritjen që BDI të jetë një opozitë konstruktive dhe të bëjë një tranzicion paqësor.

I pyetur nëse do të jetë ministër i Shëndetësisë, Taravari tha se do të vendosë në ditët në vijim nëse do ta pranojë postin e ministrit të shëndetësisë.

Kujtojmë se ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.