Xhaferi për koalicionin qeveritar: Ne nuk përjashtojmë asnjë mundësi

I pyetur nëse BDI përjashton çdo mundësi për kabinetin qeveritar me VMRO-DPMNE, Talat Xhaferi në një intervistë për Klan tha se kjo i përket vendimeve të partisë e cila tani për tani nuk është marrë ende. Megjithatë, ai theksoi se Bashkimi Demokratik për Integrim nuk përjashton asnjë mundësi. “Ne nuk përjashtojmë asnjë mundësi, çështja e […]

Xhaferi për koalicionin qeveritar: Ne nuk përjashtojmë asnjë mundësi
Talat Xhaferi. Foto: Portalb.mk

I pyetur nëse BDI përjashton çdo mundësi për kabinetin qeveritar me VMRO-DPMNE, Talat Xhaferi në një intervistë për Klan tha se kjo i përket vendimeve të partisë e cila tani për tani nuk është marrë ende. Megjithatë, ai theksoi se Bashkimi Demokratik për Integrim nuk përjashton asnjë mundësi.

“Ne nuk përjashtojmë asnjë mundësi, çështja e relacioneve është çështje e vendimeve të organeve partiake që unë nuk mund ta them në këtë moment për faktin që ende nuk janë përcaktuar qëndrimet e prera përfundimtare për çështjen e rrjedhjes së bisedimeve të mundshme nga e hëna e më tej. Për atë çështje duhet të presim”.

Një nga vijat e kuqe është qëndrimi pro Evropës, tha Xhaferi. Ndryshe mendon për pjesën tjetër që thotë se deklaratat e tyre shkojnë në drejtim të bllokimit të rrugëve euroatlantike të RMV-së.

Ai vlerësoi që gjuha nacionaliste e opozitës maqedonase dhe ndryshimet që kanë ndodhur në mandatin e kaluar qeveritar, i kanë mundësuar partisë VMRO-DPMNE të jetë shumë para LSDM-së në zgjedhje.

Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim sot ka mbajtur mbledhjen e parë pas zgjedhjeve të 8 majit. Ata për nesër kanë paralajmëruar takim pune me partnerët e koalicionit Fronti Europian.

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024. Sipas rezultateve përfundimtare, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe Znam 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.