Çairi u përmbyt përsëri nga reshjet, ka dëme (Video)

Moti i keq dhe shiu rrebesh i shoqëruar me erëra të forta ka shkaktuar përmbytje të pjesshme e rrëshqitje dheu përsëri nëpër lagjet e Komunës së Çairit. Qytetarët ankohen për infrastrukturën , ndërkaq institucionet bëjnë thirrje që qytetarët t’i paraqesin dëmet, shkruan Portalb.mk. Rrugët ishin të mbushura plot ujë në mungesë të infrastrukturës së mirëfilltë […]

Çairi u përmbyt përsëri nga reshjet, ka dëme (Video)
Rrëshqitje dheu në Çair, foto nga Portalb.mk

Moti i keq dhe shiu rrebesh i shoqëruar me erëra të forta ka shkaktuar përmbytje të pjesshme e rrëshqitje dheu përsëri nëpër lagjet e Komunës së Çairit. Qytetarët ankohen për infrastrukturën , ndërkaq institucionet bëjnë thirrje që qytetarët t’i paraqesin dëmet, shkruan Portalb.mk.

Rrugët ishin të mbushura plot ujë në mungesë të infrastrukturës së mirëfilltë urbane, përmbytje të pjesshme nëpër shtëpi vërshuan rrjetet sociale nga qytetarët, ndërkaq gjatë kohës që ekipi ynë sot ishte në teren, të njëjtit nuk duan të japin deklarata para kamerave.

Gjatë bisedës me ta, na thanë se problemet vijnë kryesisht nga kyçja e kanalizimeve në gypat e parapara për ujërat atmosferik.

Në rrugën “Cvetan Dimov” sërish rruga u mbush me ujë gjatë natës së djeshme. Qytetarët thonë se kanalizimet duhet të mirëmbahen dhe pastrohen, ndërkaq për murrin ndarës të gjendet zgjidhje, ngase i njëjti pengon lëvizjen e ujit.

“Nuk e di çfarë të them. Situata e njëjtë si ditën e diel. Kanalizimet duhet të mirëmbahen, këtë javë nuk kemi parë ekipe në teren nga “Ujësjellësi dhe kanalizimet”. Murri ndarës duhet të largohet, mendoj se ka zgjidhje më kreative për një ndarje të tillë, ngase po pengon lëvizjen e lirë të ujit” tha një qytetar.

Qendra për Menaxhim me Kriza informoi se rastet e paraqitura te ata janë kryesisht dëme infrastrukturore, me të cilat po merren masa në teren.

“Pas motit të keq në Shkup, janë paraqitur raste nga qytetarët edhe atë: 6 drunj të rënë e dega, 4 përçues elektrik dhe telefonik të dëmtuar, 23 shtëpi të dëmtuara, 5 rrugë të përmbytura, 4 mjete transporti të dëmtuara… Të gjitha rastet urgjente të paraqiten në numrin 112, në veçanti qytetarët që u rrezikohet jeta” thuhet në njoftimin nga QMK.

Podrum i përmbytur në Çair, foto nga Portalb.mk
Podrum i përmbytur në Çair, foto nga Portalb.mk

Më tej në Çair pamë se ka rrëshqitje dheu, në një nga rrugët që është mjaftë e frekuentuar nga banorët vendas. Disa qytetarë tjerë kanë vendosur pengesa alternative, që të mos shkaktohet përmbytje në podrumet a bizneset e tyre, por disa tashmë ishin të përmbytura pjesërisht dhe ishin paraqitur mushkonja. Qytetarët kanë frikë nga epidemitë që mund të paraqiten në këto ditë të ngrohta që pasojnë.

“Siç e shihni, kanë filluar të paraqiten edhe mushkonja. Rrezikojmë epidemi, ditët e nxehta në vijim”, tha një banore .

Ekipi ynë sjellë pamje nga mobiljet e hedhura pranë kontejnerëve që janë të parapara për mbeturina. Qytetarët thonë se të njëjtat ishin të vendosura nëpër bodrume por nga ujërat që “pushtuan” ato.

“Këto mobilje i kishim në podrumet tona, por dje nga ujërat që “pushtuan” ato, u dëmtuan, dhe kundërmojnë erë, ndaj kemi vendosur ti hedhim”, tha një qytetare.

Mobilje të hedhura në Çair, foto nga Portalb.mk
Mobilje të hedhura në Çair, foto nga Portalb.mk

Punonjësit e Komunës së Çairit të cilët po asistonin në mirëmbajtjen e ambientit bashkë me punonjësit nga N.P. “Higjiena Komunale” – Shkup, thanë se po bëjnë atë që munden, dhe se këto mobilje kanë kontejnerë të veçantë që mund të sjellin këto institucione me kërkesë të qytetarëve, dhe se të njëjtit duhet të dënohen nga institucionet kompetente.

“Qytetarët hedhin kudo mobilje të tilla. Me një kërkesë të thjeshtë mund të sigurohen kontejnerë të veçantë për këtë lloj të mbeturinave të rënda. Uroj që institucionet kompetente të dënojnë këto qytetarë”, tha një punonjës i “Higjienës Komunale” – Shkup.

Fari Hiseni, zëdhënës nga Komuna e Çairit, thotë se në kuadër të komunës ka ekip të veçantë për mbrojtje dhe shpëtim, si dhe komision për dëmet materiale të shkaktuara, ku qytetarët mund të paraqesin ankesat e tyre. Ai shton se punonjësit e Komunës së Çairit asistojnë në mirëmbajtjen e rrugëve, mirëpo kërkon nga organet kompetente të angazhohen për mirëmbajtjen higjienike.

Fari Hiseni, foto nga Portalb.mk
Fari Hiseni, foto nga Portalb.mk

“Komuna e Çairit ka të themeluar ekip për mbrojtje dhe shpëtim dhe komision për vlerësim të dëmeve materiale të shkaktuara nga fatkeqësi natyrore. Pas reshjeve të shiut, ekipi i punëtorëve sezonal në kuadër të Komunës së Çairit është në terren dhe vepron në pastrimin dhe normalizimin e gjendjes. Në raste të këtilla gjithmonë duhet të ekzistojë bashkëpunim mes ekipeve të Qytetit të Shkupit dhe Komunave pavarësisht kompetencave ligjore. Bulevardet dhe rrugët kryesore janë nën kompetencë të Qytetit të Shkupit, mirëmbajtja e kanalizimit bëhet nga NP “Ujësjellës dhe Kanalizim”, ndërsa mirëmbajtja higjienike bëhet nga NP “Higjiena Komunale” tha Fari Hiseni.

Qendra për Menaxhim me Kriza informoi se në 24 orët e fundit kanë pranuar 2388 thirrje në lidhje me reshjet dhe zjarret. Përveç se në Shkup, dëme të mëdha ka edhe në Tetovë dhe Kumanovë.

Kujtojmë se lagje nga komuna e Çairit u përfshinë nga përmbytjet e pjesshme edhe të dielën e javës së kaluar.