Dështon të nis gjykimi ndaj dy të akuzuarve për krime lufte në Vushtrri

Për shkak se mbrojtja nuk ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, ka dështuar të fillojë gjykimi ndaj të akuzuarve për krime lufte gjatë vitit 1999 në Komunën e Vushtrrisë, Dragan Miloviq dhe Zoran Kostiq. Mbrojtësi i të akuzuarit Miloviq, avokati Millosh Deleviq deklaroi se është pajisur pjesërisht me shkresa të lëndës, pasi që […]

Dështon të nis gjykimi ndaj dy të akuzuarve për krime lufte në Vushtrri
deshton-te-nis-gjykimi-ndaj-dy-te-akuzuarve-per-krime-lufte-ne-vushtrri

deshton-te-nis-gjykimi-ndaj-dy-te-akuzuarve-per-krime-lufte-ne-vushtrri

Për shkak se mbrojtja nuk ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, ka dështuar të fillojë gjykimi ndaj të akuzuarve për krime lufte gjatë vitit 1999 në Komunën e Vushtrrisë, Dragan Miloviq dhe Zoran Kostiq.

Mbrojtësi i të akuzuarit Miloviq, avokati Millosh Deleviq deklaroi se është pajisur pjesërisht me shkresa të lëndës, pasi që i mungojnë edhe katër deklarata në ato shkresa, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Deleviq ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet pasi që duhet t’i kenë të gjitha shkresat para se të deklarohen.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Kostiq, avokati Predrag Miljkoviq tha se kishte shkuar në Prokurori Speciale për të kërkuar shkresat edhe pse nuk ishte obligim i tij, por që sipas tij shkresat nuk kanë qenë të gatshme. Andaj, kërkoi që seanca e sotme të shtyhet.

Paraprakisht, prokurorja speciale Florije Salihu-Shamolli tha se avokati Deleviq i ka pranuar shkresat e lëndës më 27 maj 2024.

Sipas saj, avokatit Miljkoviq nuk kishte shkuar t’i marrë shkresat e lëndës përkundër që i kanë dërguar e-mail që të shkojë të pajisjet me ato.

Për mospërmbushjen e këtij obligimi ligjor, gjykatësi i rastit Lutfi Shala obligoi prokuroren Salihu- Shamolli që në afat prej 7 ditësh t’i dorëzojë të gjitha provat për mbrojtjen.

Më pas, të dy avokatët propozuan që të mbrojturve të tyre t’iu ndërpritet paraburgimi dhe t’iu zëvendësohet me masën e dorëzanisë ose ndonjë masë më të lehtë.

Por, ky propozim u kundërshtua nga prokurorja Salihu-Shamolli dhe më pas u refuzua nga gjykatësi Shala.

Në këto rrethana, shqyrtimi fillestar u shty për një datë tjetër.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 maj 2024, i akuzuari Zoran Kostiq gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije dhe qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes Ujkani gjatë një aksioni të mirë-organizuar, pasi që forcat serbe ishin vendosur në shtëpinë e Sh.Z, të cilën policia dhe ushtria serbe e ka shfrytëzuar si shtab, ditën kritike në ofensivën e ushtrisë serbe kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, në mesin e pjesëtarëve tjerë të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, ishte edhe i akuzuari Kostiq, i cili ka marrë pjesë në plaçkitjen e shtëpive të banorëve shqiptarë, pastaj ka djegur shtëpitë dhe ka vrarë civilë të paarmatosur në fshatin Reznik, si: I.U, M.U me bashkëshorte, B.U, F.U, S.U, F.U., (të familjes Ujkani) po ashtu në ditën kritike vriten edhe T.U me bashkëshorten H.U, dhe me qëllim për t’i zhdukur provat dhe për ta zbatuar planin në tërësi, ua vënë zjarrin shtëpive dhe djegin kufomat e familjes Ujkani (këtë ngjarje e ka parë dëshmitari B.U).

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 22 maj 1999, i akuzuari Kostiq në bashkëkryerje me persona tjerë të paidentifikuar kishte urdhëruar dëbimin e popullatës shqiptare nga shtëpitë e tyre, duke i detyruar të vazhdojnë në drejtim të varrezave të qytetit e duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku në atë turmë ishin pjesëtarët e familjes Dallku- M.D, A.D, F.D, E.D, SH.D, V.D, V.D,V.D, L.LL dhe tre persona me mbiemrin Haliti.

Gjatë rrugës për te varrezat e qytetit, polici serb M.C., i thotë të akuzuarit Kostiq “ti e din fare të bësh me kta” dhe aty fillojnë t’i rrahin civilët me mjete të forta si gyp metalik, shkopinj të fortë të drurit, kondak të automatikut e të tjera, pastaj i kanë urdhëruar të hyjnë në dyqanin e Rashanëve, ku aty ishin edhe tre persona tjerë civilë H.H, E.H dhe N.H, pastaj të njëjtit i kanë urdhëruar prapë që të dalin nga lokali dhe të nisen para shtëpisë së S.P., ku ishin edhe disa paramilitarë me uniforma ushtarake me ngjyrë të kombinuar, të cilët kishin armë të shkurtra dhe të gjata.

Aty thuhet se i akuzuari Kostiq i veshur me uniformë policore serbe e kishte pyetur një paramilitar tjetër serb “se a e doni edhe këtë grup” ku ishin rreth 12 veta, mirëpo njëri nga paramilitarët i kishte thënë se këtu ka përfunduar çdo gjë dhe vazhdoni diku tjetër, andaj vazhduan nëpër rrugë tjera për të shkuar tek varrezat e qytetit dhe para shtëpisë se dr. Ramadan Gjoni.

Aktakuza thotë se me të ardhur aty, Kostiq kishte urdhëruar civilët të mbështeten me fytyrë nga muri me duar lartë, dhe një moment polici Kostiq ishte afruar te viktima Sh.D dhe i kishte lënë në xhepin e djathtë të xhaketës katër- pesë fishekë të armës, dhe pas pak i urdhëron t’i nxjerrin gjërat që kishin me vete, ndërsa në atë moment Sh.D i nxjerrë nga xhepi fishekët, meqë rast Kostiq i thotë “ti po bartëshe fishekë për të vrarë policë” dhe e thërret një paramilitar që ishte pa flokë, i gjatë, i armatosur dhe me veshje ushtarake, armë zjarri të gjatë dhe të shkurtër, si dhe thika dhe aty ai i ndanë Sh, S veçmas, V., N., dhe E.H., duke i futur në shtëpinë e Gjoni së bashku edhe me dy paramilitarë tjerë, dhe pas pak kohe janë dëgjuar krisma armësh dhe ishte vrarë Sh.D, kurse V., e marrin katër paramilitarë me veturë pasi që e kishin marrë vesh se i kishte dy vetura në shtëpi ia marrin ato, ndërkohë kanë filluar bombardimet nga NATO e më pastaj të gjithë personat që ishin në varrezat e qyteti në Vushtrri aty janë shpërndarë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se më 24 maj 1999, i dëmtuari -dëshmitari V.L., pasi ishte ndarë nga familja nga forcat paramilitare serbe, ishte arrestuar dhe dërguar në stacionin policor në Vushtrri, për t’u marrë në pyetje. Aty i akuzuari Kostiq e ka goditur të dëmtuarin V.L me një mjet të fortë dy-tri herë mbrapa kokës, me arsyetim se “është një terrorist i UÇK- së”, i cili nga këto goditje alivanoset.

Më këtë, në bashkëkryerje i akuzuari Kostiq ngarkohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSF-së, të paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të Konventave të Gjenevës” nga neni 146, par.1 dhe 2, nënparagrafi 2.1, 2.2 dhe 2.3 të KPRK-së, ndërlidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë, i akuzuari Dragan Miloviq gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, në periudhën e luftës në Kosovë, bashkë me të tjerë me forcë i kanë dërguar diku 20 mijë banorë civilë të Vushtrrisë tek varrezat e qytetit dhe aty të akuzuarit kanë maltretuar, rrahur e torturuar civilë, të cilët gjendeshin të grumbulluar te varrezat e qytetit, ku në mesin e tyre ishte edhe K.Sh., i cili e njihte tani të akuzuarin Miloviq dhe e lut të akuzuarin që ta shpëtojë, por i njëjti i thotë “s’kam ca me të ba”.

Pastaj, thuhet se i akuzuari Miloviq së bashku me disa policë serbë të armatosur fillojnë t’i ndajnë popullatën civile shqiptare, si dhe i detyrojnë që t’i vendosin duart e lidhura pas koke dhe të bien me gjunj në kokë për toke, duke i goditur vazhdimisht disa me bastun të hekurt, e disa me shkopinj druri dhe me kondaktë të armëve.

Aktakuza thotë se në atë turmë ishte edhe A.A, K.SH, H.K, F.B, M.M, S.R, T.F e të tjerë, ku K.SH dhe A.A e kishin parë tani të akuzuarin Miloviq që ka qenë i veshur me uniformë të policisë serbe dhe pajisje të policisë, duke i goditur pandërprerë këta civilë me shkop metalik e po ashtu duke i rrahur civilët me boksa dhe shqelma, ku të njëjtit kishin arritur ta identifikojnë të akuzuarin Miloviq.

Në aktakuzë thuhet se dëshmitari A.A., sa ishte në rresht në grumbullin e personave të grumbulluar, kishte dëgjuar një polic serb duke iu drejtuar tani të akuzuarit Dragan “ndalu çka je ka ban kështu se kta gja (lopë) nuk janë”, pastaj me dhunë i kanë hipur në kamionë dhe i dërgojnë në burgun e Smrekonicës, ku janë maltretuar në mënyrat më brutale, edhe nga kryerës tjerë dhe se pas disa dite qëndrimi në burg janë depërtuar në Republikën e Shqipërisë.

Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 te KPRK, në kundërshtim me nenin e përbashkët 3 dhe 4 Konventave të Gjeneves, të datës 12 gusht 1949, të neneve 4 dhe 5 (1) të Protokollit 2 të datës 8 qershor 1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha rregullat e ligjeve ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë.