Është arrestuar gazetari Saliu, MPB thotë për shkak të sulmit ndaj policëve dhe se i ka gjetur pistoletë

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) informoi se sot (07.04.2024) rreth orës 17:00 në ndeshjen futbollistike në Konjare të Mesme, gjatë ndeshjes ndërmjet KF “BVK Konjare” dhe KF “Kumanova”, njëzet minuta para përfundimit të ndeshjes ka pasur tentim të publikut vendas të përleshjes me lojtarët mysafirë. Tentimi është parandaluar nga ana e shërbimeve të cilat […]

Është arrestuar gazetari Saliu, MPB thotë për shkak të sulmit ndaj policëve dhe se i ka gjetur pistoletë
Furkan Saliu. Foto: Printscreen nga PortaliX

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) informoi se sot (07.04.2024) rreth orës 17:00 në ndeshjen futbollistike në Konjare të Mesme, gjatë ndeshjes ndërmjet KF “BVK Konjare” dhe KF “Kumanova”, njëzet minuta para përfundimit të ndeshjes ka pasur tentim të publikut vendas të përleshjes me lojtarët mysafirë. Tentimi është parandaluar nga ana e shërbimeve të cilat kanë siguruar ndeshjen dhe e njëjta është ndërprerë, transmeton Portalb.mk.

Gjatë intervenimit, nga ana e dy personave janë sulmuar pjesëtarët e Njësitit për Pozicionim të Shpejtë. Personat të cilët kanë kryer sulmin menjëherë janë arrestuar dhe është vërtetuar se bëhet fjalë për F.S. (33) nga f. Haraçinë dhe N.J. (26) nga f. Haraçinë, kurse S.B. (40) është arrestuar për pjesëmarrje në përleshje.

Bëhet fjalë për Furkan Saliun, themeluesi dhe redaktori i PortaliX.

MPB informoi rreth orës 18:00, gjatë kontrollit të automjetit “dacia duster”, pronë e F.S. kurse i drejtuar nga F.A. (34) nga f. Kondovë me bashkëudhëtarin A.R. (21) nga f. Kondovë, në bagazhin e automjetit është gjetur pistoletë.

“SPB Shkup po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit”, thanë nga MPB.

Video e arrestimit të Saliut po shpërndahen edhe në rrjetet sociale dhe disa media online.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik apelojnë që çështja të zbardhet menjëherë, të mos cenohen të drejtat e kolegut Saliu dhe të mos e përdorin partitë politike në betejat e tyre ditore politike dhe për qëllime partiake të fushatës zgjedhore.

“PortaliX konsideron se veprimi i sotëm i njësisë speciale ndaj gazetarit Saliu është tërësisht i dirigjuar dhe tentim qyqar për të ushtruar presion ndaj gazetarisë së lirë të cilën e praktikon PortaliX”, shkruan PortaliX.

PortaliX informoi gjithashtu se policia ka liruar kameramanin e PortaliX Fatlum Aliu dhe montazhierin Ariton Ramadani, ndërsa azetari Furkan Saliu vazhdon të mbahet në stacion policor.

Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkoski përmes një reagimi tha se do të ndërmerren të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

“I kuptoj shqetësimet e Shoqatës së Gazetarëve dhe Sindikatës së Gazetarëve, por Ministria e Punëve të Brendshme duhet të trajtojë në mënyrë të barabartë këdo që sulmon një punonjës policie, sipas procedurave të përcaktuara ligjore….U bëj thirrje partive politike, shoqatave, sindikatave dhe të gjithë faktorëve të tjerë relevant që të përmbahen nga deklaratat dhe njoftimet që bëjnë presion mbi policinë dhe t’i lënë punonjësit e policisë të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale, pa politikë dhe vetëm në përputhje me Ligjin. Publiku do të njoftohet plotësisht për të gjitha detajet lidhur me këtë rast sapo të përfundojë hetimi”, tha Toshkovski.

Në lidhje me arrestimin e gazetarit reagime pati nga partitë politike dhe politikanë të ndryshëm.

Gazetarët dhe punonjësit e medias përmes rrjeteve sociale kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj Saliut.