Kostadinovska – Stojçevska dorëzoi ankesë kundër Gashit për adresimin e tij në gjuhën shqipe

Deputetja e LSDM-së dhe ministre në largim e kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska për Slloboden Peçat deklaroi se tashmë ka dorëzuar ankesë në Sektorin e Inspektimit në Ministrinë e Kulturës kundër kryetarit të ri të Kuvendit Afrim Gashi sepse ai është dashur ta lexojë betimin fillimisht në gjuhën maqedonase dhe më pas në gjuhën shqipe, transmeton Portalb.mk. […]

Kostadinovska – Stojçevska dorëzoi ankesë kundër Gashit për adresimin e tij në gjuhën shqipe
Afrim Gashi u zgjodh kryetar i Kuvendit të RMV-së. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Deputetja e LSDM-së dhe ministre në largim e kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska për Slloboden Peçat deklaroi se tashmë ka dorëzuar ankesë në Sektorin e Inspektimit në Ministrinë e Kulturës kundër kryetarit të ri të Kuvendit Afrim Gashi sepse ai është dashur ta lexojë betimin fillimisht në gjuhën maqedonase dhe më pas në gjuhën shqipe, transmeton Portalb.mk.

“Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase është rezultat i angazhimeve dhe politikave tona për afirmimin dhe përdorimin e drejtë të gjuhës maqedonase. Betimi solemn i dhënë në mënyrë skandaloze, tashmë nga personi i parë i Kuvendit të Maqedonisë, nuk mund dhe nuk duhet të kalohet në heshtje. Për këtë arsye tashmë kam parashtruar ankesë në Sektorin për Inspektim pranë Ministrisë së Kulturës dhe do të vazhdoj t’i përdor të gjithë mekanizmat që janë aktualisht në dispozicion për mbrojtjen dhe mënyrën e përdorimit të gjuhës maqedonase. Prisja që edhe kryetarja aktuale e shtetit Siljanovska – Davkova me të cilën atëherë në rolin e deputeteve së bashku e përsosëm tekstin e Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase, të reagojë ndaj një sjelljeje të këtillë dhe se do ta dënojë ashpër aktin e mosdhënies së betimit solemn në gjuhën e parë zyrtare të shtetit”, ka deklaruar Kostadinovska-Stojçevska për “Slloboden Peçat”.

Kostadinovska-Stojçevska reagoi edhe në Facebook dhe porositi se kryetari i ri e ka shkelur frymën e multietnicitetit të vendit, por edhe frymën e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase.

“Të njëjtën gjë ka bërë edhe udhëheqësja e seancës konstitutive të Kuvendit, deputetja Merita Kollçi-Koxhaxhiku. VMRO-DPMNE dhe ZNAM, për shkak të koalicionit të ngushtë dhe arsyeve të ngushta partiake nuk kishin as kapacitet, as arsye e as shtytje për të menduar kundër një akti të tillë antimaqedonas. Pse është skandaloze që betimi solemn të jepet fillimisht në shqip e më pas në maqedonisht? Sepse gjuha maqedonase është gjuha e parë zyrtare e Maqedonisë së Veriut, e ndjekur nga gjuhë të tjera, jo më pak të rëndësishme, por të përcaktuara me Kushtetutë sipas përqindjes së përfaqësimit të qytetarëve që e flasin atë. Gjuha nuk është dhe nuk mund të jetë një mekanizëm personal apo etnik për fitimin e pikëve politike. Gjuha është një mjet i komunikimit zyrtar dhe i llojeve të tjera të komunikimit. Kryetari i Kuvendit mund të jetë edhe shqiptar etnik, maqedonas etnik dhe çdo deputet tjetër për të cilin pajtohen partitë në pushtet, por gjuha e parë zyrtare në Maqedoninë e Veriut është gjuha maqedonase”, thekson Kostadinovska-Stojçevska në postimin e saj në Facebook.

Ajo thekson se gjuha e vetme zyrtare për përdorim ndërkombëtar është gjuha maqedonase dhe është e sigurt se seanca konstitutive ka pasur edhe një jehonë të fortë ndërkombëtare.

Kujtojmë se më 28 maj 2024, kryetar i Kuvendit u zgjodh Afrim Gashi. Për zgjedhjen e Gashit për kryetar të Kuvendit, 76 deputetë votuan “pro” nga 82 të pranishëm, gjashtë ishin “kundër”, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.

Pas zgjedhjes, Gashi dha dhe nënshkroi deklaratën solemne.

Pasi u ul në kolltukun e kryeparlamentarit, Gashi iu drejtua deputetëve të pranishëm.

“Duke qenë se ky është mandati im i tretë parlamentar, mund të them se kam pasur mundësinë të jem anëtar i qeverisë dhe i opozitës. Do të kujdesem që çdo deputeti t’i garantohet e drejta për t’u shprehur. Përkatësia ime e vetme do të jetë që asnjë deputet të mos diskriminohet”,  tha Gashi.

Gashi për kryetar i Legjislativit u propozua me nënshkrimet e 75 deputetëve të VMRO-DPMNE-së, koalicionit VLEN dhe “Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë tonë”.