Mashtrim apo më shumë vota për partinë? Flasin kryetarët e Komunave nëse do të jenë kandidat për deputetë

Partitë politike kanë filluar që të bëhen gati për zgjedhjet e reja parlamentare, ani pse një datë e tyre ende nuk është vendosur zyrtarisht. Ato kanë filluar të përdorin forma të ndryshme që do të mund të fitonin më shumë vota nga qytetarët për subjetin e tyre,  shkruan FrontOnline. Partia më e madhe opozitare në […]

Mashtrim apo më shumë vota për partinë? Flasin kryetarët e Komunave nëse do të jenë kandidat për deputetë
mashtrim-apo-me-shume-vota-per-partine?-flasin-kryetaret-e-komunave-nese-do-te-jene-kandidat-per-deputete

mashtrim-apo-me-shume-vota-per-partine?-flasin-kryetaret-e-komunave-nese-do-te-jene-kandidat-per-deputete

Partitë politike kanë filluar që të bëhen gati për zgjedhjet e reja parlamentare, ani pse një datë e tyre ende nuk është vendosur zyrtarisht. Ato kanë filluar të përdorin forma të ndryshme që do të mund të fitonin më shumë vota nga qytetarët për subjetin e tyre,  shkruan FrontOnline.

Partia më e madhe opozitare në vend, PDK, ka vendosur që njërin nga kryetarët e komunave, atë të Mitrovicës, Bedri Hamzën ta nominoj kandidat për kryeministër të kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme.

Të interesuar për të mbledhur sa më shumë vota, është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, vendosi që tre kryetarët e komunave që udhëhiqen nga kjo parti, Gazmend Muhaxheri i Pejës, Imri Ahmeti i Lipjanit dhe Burim Berisha i Fushë- Kosovës, të jenë kandidatë për deputet në zgjedhjet e ardhshme.

 

Deputeti i VV-së: Kandidimi i kryetarëve të Komunave, mashtrim

Deputeti i VV-së, Halil Thaçi, thotë për FrontOnline se nuk ka pasur ndonjë diskutim sa i përket kandidaturave e kryetarëve aktual për deputet, por se thotë se këtë taktikë po e përdor LDK-ja.

‘’Nuk e kam dëgjuar nëse ka pasur një diskutim të tillë, por po e shoh se këtë taktikë po e përdor LDK-ja’’, deklaron ai.

Ai konsideron se do të thyen çdo rekord të zgjedhjeve, kur do që ato mbahen.

‘’Ne si VV, konsiderojmë se do të thejmë një rekord të ri, kur do që ato mbahen. Por kur është fjala për kryetarët tanë, nuk flitet për një gjë të tillë, por ata janë duke punuar për qytetarët’’, deklaron ai.

Deputeti Thaçi thotë se nëse një kryetar komune dëshiron me kandidu për deputet, do të duhej të jepte dorëheqje.

‘’Një kryetar Komune nëse jep dorëheqje dhe të kandidoj për deputet, është normale, por derisa është kryetar komune dhe kandidon për deputet, nuk e shoh serioze dhe ky është mashtrim klasik që i bëhet qytetarit’’ deklaron ai.

FrontOnline ka provuar të merr deklarata nga kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe ai i Gjilanit, Alban Hyseni por nuk janë përgjigjur.

 

 

Sekretari i PDK-së: Do të ketë figura të reja në listë për deputet, për kryetarët e komunave s’kemi vendosur ende

As PDK-ja nuk ka vendosur akoma nëse kryetarët e komunave që udhëhiqen nga kjo parti do të jenë kandidat për kryetar, por që edhe nëse kërkohet një gjë e tillë, një kryetar i komunës së PDK-së, nuk do e pranon një gjë e tillë.

Bajrush Xhemaili, Sekretar për Politika Programore në PDK, thotë për FrontOnline se në partinë e tyre nuk është diskutuar akoma tema nëse kryetarët aktual të komunave që udhëhiqen nga PDK të jenë edhe kandidat për deputet, por se një temë e tillë mund të bëhet në ditët në vazhdim.

‘’PDK ende këtë temë nuk e ka zgjeru në parti, mund ndodhë këto ditë e bëjmë’’ deklaron Xhemaili.

Sekretari Xhemaili, thotë se ende nuk ka diçka konkrete lidhur me kandidimet për deputet.

‘’Ende lidhur me kandidime e këto nuk kemi diçka konkrete’’ deklaron ai.

Xhemaili për FrontOnline, tregon se në listën e PDK-së, për deputet do të ketë figura të reja.

‘’Ka me pas figura të reja e të vjetra, edhe personalitete e të tjera. Por nuk jemi hy ende me emra e lidhur me kryetarët’’, deklaroj  Bajrush Xhemaili për Front Online.

Totaj i PDK-së: Nuk do të jem kandidat për deputet

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, që është edhe nënkryetar i PDK-së, shprehet kategorisht kundër për të qenë kandidat për deputet.

‘’JO, nuk do të jem kandidat për deputet’’, ka thënë shkurt Totaj për FrontOnline.

I pyetur nëse do të ndryshonte mendim për këtë çështje nëse PDK do ia kishte kërkuar nominmin, Totaj nuk ka dhënë përgjigje.

Ferit Idrizi:  Në asnjë mënyrë nuk pranoj me qenë kandidat për deputet, është mashtrim për qytetarët

I ashpër është treguar me nominimin e kryetarëve të komunave për deputet, kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

Ai thotë për FrontOnline se në asnjë mënyrë nuk do të jetë kandidat për deputet.

‘’Në asnjë mënyrë nuk pranoj me qenë kandidat për deputet’’, shprehet Idrizi.

Idrizi e konsideron mashtrim kandidimin për deputet të kryetarëve të komunave.

‘’Është mashtrim i qytetarëve, çdo kryetar komune që kandidon për deputet, i mashtron qytetarët. Ne duhet me qenë shumë të sinqertë me qytetarët dhe duhet me i krye obligimet ndaj tyre’’, shtoi ai

I pari i Vushtrrisë potencon se po qese nuk do ishin kryetarë, do të diskutohej çështja nominimeve.

‘’Nëse nuk ishim qenë kryetar komune, atëherë kishim shikuar. A po duam me qenë të sinqertë me qytetarë a jo, kush kandidon për deputet e që është kryetar, mashtron’’ deklaroj Ferit Idrizi.

Imri Ahmeti: Edhe nëse zgjedhem deputet, do të mbes kryetar i Lipjanit

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Imri Ahmeti, ka folur rreth kandidaturës së tij për deputet në zgjedhjet e ardhshme.

Ai thotë se ky nominim ka qenë vlerësim i parties dhe i përmbahen këtij vlerësimi e vendimi.

‘’Ka qenë vlerësim i partisë që kryetarët e komunave të jenë në listë dhe ne i përmbahemi qëndrimeve të partisë’’ thekson ai.

Ahmeti, për FrontOnline, shprehet i bindur se LDK me ose pa kandidimin e tyre e ka trendin pozitiv për zgjedhjet parlamentare.

‘’Padyshim që edhe me ne edhe pa ne LDK e ka trendin pozitiv, dhe është në trendin që të jetë e para, por natyrisht që shtytje këtij procesi do i japin edhe kandidimet tona, prandaj vendim i KP do i përmbahemi, por ky është vetëm propozim’’ potencon Ahmeti.

Sekretari i LDK-së, thotë se arsyeja pse ka ndodhë ky vlerësim është ngritja e votës së LDK-së në çdo komunë.

 ‘’Mendoj se gjithë puna e vazhdueshme dhe mbështetja e madhe e publikut dhe orientimi ynë është ra ngrisim votën në çdo Komunë dhe jo vetëm në Lipjan’’ tregon ai për FrontOnline.

Imri Ahmeti, kryetari i Lipjanit e jep premtimin se edhe nëse bëhet deputet, ai do të jetë prap kryetar i Lipjanit dhe nuk pranon asnjë pozicion tjetër përveç atij si kryetar  i Lipjanit.

‘’Padyshim se do të mbetem kryetar i Lipjanit, sepse kam kontratë me ta, nuk do i zhgënjej besimin e tyre, do të mbetëm në Lipjan, ideja është të japim peshë procesit zgjedhor dhe për ta rritur votën e LDK-së, por unë nuk e ndërroj pozicionin e kryetarit të Lipjanit me asnjë pozicion tjetër’’, deklaroj Imri Ahmeti për FrontOnline.

FrontOnline, ka provuar të merr përgjigjie edhe nga Gazmend Muhaxheri i Pejës dhe Burim Berisha i Fushë Kosovës, por kanë qenë të paqasshëm.

 

Bali Muharremaj: Nëse AAK vendos, do të jem kandidat për deputet

Edhe tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka pasur diskutim sa i përket asaj nëse kryetarët e saj, do të jenë ose jo kandidat për deputet, por që nuk ka ndonjë vendim akoma për këtë gjë. Nëse AAK, vendos për këtë, kryetarët e tyre do të jenë të gatshëm të kandidojnë për deputet.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, për FrontOnline ka treguar nëse do të jetë ose jo kandidat për deputet nga radhët e AAK-së¸në zgjedhjet e reja parlamentare.

Ai thotë se nëse këtë do ia kërkonte AAK-ja, do të kishte pranuar.

‘’Nëse është vendim nga AAK-ja ose kryesia e AAK-së, pse jo do e kisha pranuar të jem kandidat për deputet’’ deklaron ai.

Kryetari i Suharekës, thotë se kanë pasur kërkesa për këtë çështje, por se nuk kanë vendosur akoma.

‘’Kemi pasur kërkesa për këtë çështje nga zoti Haradinaj, por deri tashmë nuk kemi vendim, por nuk e kam atë problem, do e kisha pranuar’’ tha Muharremaj për FrontOnline.

I pari i Suharekës, thotë se e kanë obligim me punua për qytetarët e më pas ata janë që vendosin se kë e votojnë.

 ‘’Për qytetarët e kemi obligim me punuar për ta, ndërsa ata vendosin vetë nëse do të më kishin votuar ose jo për deputet’’ thekson Bali Muharremaj.

 

Elezaj: Çka të vendos AAK-ja, e respektoj – Do të jem prap kandidat për kryetar të Klinës

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, për FrontOnline thotë se është i gatshëm të jetë kandidat për deputet dhe se do e respektonte nëse ky do ishte vendim i partisë së tij, AAK.

‘’Këto janë çështje që diskutohen nga kryesia e AAK-së. Çdo vendim që merr kryesia e AAK-së, unë e respektoj’’ deklaron ai.

Elezaj thotë se ka pasur diskutime por, nuk ka ndonjë vendim final rreth kandidaturave për deputet të kryetarëve të komunave që udhëhiqen nga AAK.

‘’Kemi pasur diskutime për këtë, por s’kemi marr akoma vendim, por nëse vendoset unë e mirëpres’’, tregon ai.

I pari i Klinës, deklaron se do të jetë prap kandidat për kryetar të këtij qyteti nga AAK-ja.

‘’ them të drejtën, në këtë mes nuk mundem me fol, por jam prap kandidat për kryetar të Komunës së Klinës. Unë i kam orientimet e mia, por nuk kemi vendosur ende në Kryesi’’ pohoj Zenun Elezaj për FrontOnline.

Ramosaj: Nëse AAK më kërkon nominimin për deputet, do e pranoj

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, thotë se do e pranonte kandidimin për deputet, nëse këtë ia kërkon partia e tij, AAK.

Ai thotë se nuk ka pasur akoma diskutim Brenda AAK-së për këtë temë.

‘’Ende nuk është diskutim brenda partisë, kur jemi më afër vendimit mundemi me fol. Jemi njerëz të partisë dhe çka do që vendos partia, ne i pranojmë vendimet’’ deklaron Ramosaj për FrontOnline.

Kryetari Ramosaj thotë se tashmë janë në fazën preliminare të vendimeve.

‘’Por jemi në fazën preliminare Derisa nuk është vendos për këtë, nuk jam i sigurt për asgjë’’ u shpreh Bashkim Ramosaj/FrontOnline/