Nga “vdekje për shqiptarët” deri te “bullgarët në kushtetutë”, Shkupi i mbushur me grafite plot urrejtje (Foto)

Gjuhë e urrejtjes, porosi politike dhe mbishkrime me prapavija të dëmshme. Këto janë disa nga mesazhet të cilat gjenden nëpër grafitet në Shkup. Të njëjtat shkojnë deri në atë pikë sa që bëjnë thirrje edhe për vdekje ndaj shqiptarëve, ndërsa prekin edhe ndryshimet kushtetuese dhe bullgarët. Qytetarët thonë se mesazhet e tilla nuk duhet të […]

Nga “vdekje për shqiptarët” deri te “bullgarët në kushtetutë”, Shkupi i mbushur me grafite plot urrejtje (Foto)
Mbishkrim pranë lumit Vardar, foto nga Portalb.mk

Gjuhë e urrejtjes, porosi politike dhe mbishkrime me prapavija të dëmshme. Këto janë disa nga mesazhet të cilat gjenden nëpër grafitet në Shkup. Të njëjtat shkojnë deri në atë pikë sa që bëjnë thirrje edhe për vdekje ndaj shqiptarëve, ndërsa prekin edhe ndryshimet kushtetuese dhe bullgarët. Qytetarët thonë se mesazhet e tilla nuk duhet të përcillen në shoqëri, dhe se duhet të ndërhyjnë autoritetet në raste të tilla. Ndërsa ekspertët thonë se grafitet duhet të përdoren si formë arti dehe të japin mesazhe të mira. Por, si qëndron situata në Shkup, shkruan Portalb.mk.

Vdekje për shqiptarët

Rrugët e Shkupit janë plot grafitë që përcjellin gjuhë të urrejtjes, diskriminim, jotolerancë, mesazhe politike dhe shumë të tjera.

Qytetarët shprehen se mbishkrimet e tilla janë kërcënuese për paqen, stabilitetin dhe bashkëjetesën e qytetarëve.

Gjatë kohës që merrnim pamjet nga tereni, pyetëm qytetarët se çfarë mendojnë për të njëjtat. Qytetarët shprehen se vijnë nga lagje ku janë rritur me shumë nacionalitete përreth, dhe se gjendja ekonomike detyron disa individë të mendojnë si “mbishkrimet” që shfaqen nëpër rrugët e Shkupit.

“Unë jam rritur në një lagje ku ishin të përfshira pothuajse të gjitha nacionalitetet që banojnë në RMV. Mbase, shumë prej vendeve në botë, harmoninë mes popujve e mësuan nga Ballkani. Gjendja ekonomike është faktori që detyron disa individë të caktuar të mendojnë si ky mbishkrim, që shihni pranë, e mendimin personal të tyre duhet ta shohim ne çdo ditë” tha një pensionist.

Disa grafitë dhe mbishkrime përçojnë edhe mesazhe politike. Thirrje të propagandave sektare fetare, apo atyre politike, që shpesh shoqërohen edhe me figura satirike të politikanëve. Më tej mund të gjejmë edhe mbishkrime në monumentet historike a skulpturat e vendosura për figura kombëtare.

Disa qytetarë madje vlerësojnë se të njëjtat janë “shkarravina”, dhe se hasin në probleme kur marrin iniciativa për mirëmbajtjen e banesave a fasadave. Ata bëjnë thirrje që Qyteti i Shkupit të ndërmerr masa për këtë fenomen.

“Sinqerisht si nikoqir i kësaj banese, has në probleme me fqinjët kur duhet të tubojmë të holla për mirëmbajtjen e saj, në veçanti me “shkarravinat” që shihni pranë. Uroj që Qyteti i Shkupit të marr masa për këtë fenomen, a ngrit iniciativa me sektorin civil”, tha një qytetar.

Mbishkrim me gjuhë të urrejtjes, foto nga Portalb.mk Mbishkrim me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes, foto nga Portalb.mk Skulpturë me mbishkrim, foto nga Portalb.mk Mbishkrim mbi monument historik, foto nga Portalb.mk Mbishkrim në murrë, foto nga Portalb.mk Mbishkrim me porosi, foto nga Portalb.mk Grafite dhe mbishkrime, foto nga Portalb.mk Mbishkrim me thirrje për bojkot të votimeve në Çair, foto nga Portalb.mk Mbishkrim pranë lumit Vardar, foto nga Portalb.mk

Sa institucionet e trajtojnë këtë problem?

Për këtë problem pyetëm Ministrinë e Punëve të Brendshme nëse ka raste të paraqitura për gjuhë të urrejtjes përmes grafiteve, por përgjigje nuk morëm.

Nga ana tjetër, kontaktuam Qytetin e Shkupit nëse marrin ndonjë masë për eliminimin e këtyre grafiteve me mesazhe negative në hapësirat publike, nga ky institucion na kërkuan lokacionet për të shqyrtuar vendet dhe kompetencat.

Pasi ua dërguam të njëjtat na informuan se grafitet ndodhen në mbikalimin e Bit Pazarit, dhe se kompetent për këtë është Komuna e Çairit, ta mirëmbajë, pastrojë objektin dhe të largojë grafitet e tilla.

Por, mbikalimi aty nuk është i qasshëm për përdorim nga ana e qytetarëve.

Ekipi ynë kontaktoi Komunën e Çairit, ata theksuan se nuk kanë njohuri për mbylljen e këtij mbikalimi. Lidhur me gjuhën e urrejtjes zëdhënësi i Komunës së Çairit, Fari Hiseni tha se e dënojnë ashpër dhe se njëjta nuk i shërben askujt.

“Ne nuk kemi sjellë ndonjë vendim për mbylljen e mbikalimit që ndodhet në afërsi të Bit Pazarit. I njëjti me gjasë është mbyllur nga individë aty pranë. Komuna e Çairit i dënon ashpër shkrimet me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes dhe shkrimet e tilla nuk i shërbejnë askujt”, tha Fari Hiseni.

Pse vjen deri te grafitet me mesazhe negative?

Sociologu Ali Pajaziti sqaron se grafitet si sub-kulturë e protestës janë edhe përcjellës alternativ. Ai vlerëson se në Shkup ka mbishkrime nga më të ndryshmet, por edhe aso raciste me të cilat përballen çdo ditë qytetarët, dhe se ka iniciativa për fshirjen e tyre.

“Grafitet janë pjesë e një sub-kulturë të protestës dhe porosi përcjelljes në mënyre alternative. Janë shkrimore, përmes ngjyrave, dhe shprehin frymën dhe kontekstin social. Në Shkup si edhe gjithandej ka syresh dashurore, politike, ideologjike etj. Në veçanti ato nacionaliste dhe raciste janë shumë të rrezikshme, ngase janë statike dhe gdhenden në mbamëndjen e njerëzve kalimtarë. Tifozeria është aktor që shpesh kalon kufirin e sportit, duke dhënë leksione murrore destruktive, duke përçmuar tjetrin, duke e përjashtuar oponentin, duke e stigmatizuar atë. Ka disa hapa pozitive në këtë drejtim për fshirjen e grafiteve negative, por kjo nuk mjafton, duhet edukim dhe vetëdijesim”, tha Pajaziti.

Grafitet mund të përdoren për mesazhe të mira

Profesori i artit figurativ, Imer Bajrami, thotë se përveç urrejtjes dhe mesazheve të pahijshme ka grafitë që paraqesin edhe art.

Sipas tij, nëse një artist vendos të plotësoj një pjesë me diçka ajo duhet të bëhet me diçka të mirë, ndërkaq për të rinjtë sugjeron të hulumtojnë rreth artit, për kreacion të mirëfilltë.

“Sipas mendimit tim kemi grafitë pikturë dhe grafitë rebel që duan të nxisin një urrejtje, sidomos në shtete ku ka etnikume të shumta. Poqë se një artist dëshiron të përçojë diçka të mirë në një vend, apo të plotëson me diçka, le ta bëj atë me një pikturë me porosi të mirë, kjo është shumë e rëndësishme. Të rinjtë duhet të ndjekin artin dhe të hulumtojnë rreth tij, për tu pasuruar me kreacion të mirëfilltë” tha Imer Bajrami.

Grafit në Qendrën Tregtare, foto nga Portalb.mk Grafit me logon e KF Shkupi, foto nga Portalb.mk Grafit nga grupi tifozerik Komiti, foto nga Portalb.mk Grafit në Qendrën Tregtare të Qytetit, foto nga Portalb.mk Grafite në Shkup, foto nga Portalb.mk

Ka edhe nga qytetarët, në veçanti të rinjtë, që vlerësojnë se pavarësisht se dëmtojnë mbase fasadat e objekteve me ngjyrë, në realitet ata përcjellin edhe një art bashkëkohor dhe porosi dashurie. Artistët e tillë sipas tyre paraqesin më të mirën nga vetja, për ta ndarë me të tjerët.

“Po, shohim në çdo anë grafitë. Mendoj se ky është një art bashkëkohor, pavarësisht se me keqardhje ata dëmtojnë fasadat e banesave ku ato ndodhen. Artistët e tillë paraqesin më të mirën nga vetja për ta ndarë me ne, dhe kjo duhet çmuar”, tha një çift.

Përndryshe, grafitë me mesazhe negative janë paraqitur edhe më herët në RMV, me përmbajtje të urrejtjes dhe mesazhe tjera politike.