Polici i plagosur serb nga Hajrizi rrëfen ngjarjen: Fillimisht ishte i buzëqeshur, pastaj qëlloi

Ndihmësdrejtori i Policisë së Serbisë, Dragan Vasiljeviç, ka treguar se ka vizituar policin e plagosur serb Vjekoslav Iliç, duke bërë me dije se ai është mirë dhe ndihet mirë, derisa ka transmetuar edhe rrëfimin e tij për ngjarjen në Loznicë, ku një shqiptar i Kosovës vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër. “Ata panë […]

Polici i plagosur serb nga Hajrizi rrëfen ngjarjen: Fillimisht ishte i buzëqeshur, pastaj qëlloi

Ndihmësdrejtori i Policisë së Serbisë, Dragan Vasiljeviç, ka treguar se ka vizituar policin e plagosur serb Vjekoslav Iliç, duke bërë me dije se ai është mirë dhe ndihet mirë, derisa ka transmetuar edhe rrëfimin e tij për ngjarjen në Loznicë, ku një shqiptar i Kosovës vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër.

“Ata panë një ‘Mercedes’ me targa turke. Për ta ka qenë e dyshimtë, kanë ndjekur mjetin, kanë ndezur dritat. Makina ndaloi një kilometër e gjysmë më tutje. Policët kanë dalë nga vetura dhe kanë kërkuar dokumente personale, ka qenë kontroll rutinë”, tha Vasiljeviç.

Ai tregon se nuk ka pasur të shtëna menjëherë, ndërsa shoferi dhe pasagjeri kanë siguruar dokumentet e tyre personale. “Duke respektuar rregullat, policia ka kërkuar që të zbresë një person – pasagjeri, ndërsa personi tjetër ka mbetur në automjet”, shtoi.

“Udhëtari doli, fytyra dukej normalisht në gjestikulacion, ishte e buzëqeshur, polici Iliç ishte në anën e majtë, në zonën e shoferit për ta mbajtur nën kontroll. Menjëherë pas fillimit të kontrollit të fytyrës (në dokument) janë dëgjuar të shtëna, ka qenë në pjesën e pasme të veturës”, ka vazhduar Vasiljeviç.

Ai thekson se sulmuesi ka qëlluar disa herë në drejtim të policit Iliç dhe e ka goditur në shpatullën e djathtë, transmeton media serbe “Nova”, përcjell Albanianpost.

“Siç thotë ai (Iliç) ishte shumë e vështirë, por ai arriti ta merrte armën dhe qëlloi disa herë në drejtim të atij personi”, pohoi.

Ai potencoi se nuk ka informacione nëse sulmuesi është plagosur. Iliç, gjithashtu ka thënë se se sulmuesi nuk dinte ose nuk donte të fliste gjuhën serbe.

Gjatë ditës, Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se është arrestuar në Bijelinë të Republikës Srpska – etniteti serb në Bosnje e Hercegovinë – i dyshuari që ka ndihmuar të arratisej të dyshuarin për vrasjen e policit serb.

Daçiç ka bërë me dije se bashkë me të është arrestuar edhe gruaja e tij me inicialet I.R, në cilësinë e bashkëpunëtores.

“Në Bijelinë, pasdite, në bashkëpunim me Policinë e Republikës Srpska, është arrestuar Z.R (1985), i cili dyshohet se ka organizuar transportin e vrasësit nga Presheva për në Loznicë. Gjithashtu, gruaja e tij IR është arrestuar si bashkëpunëtore në Mlladenoc”, tha kreu i MPB-së serbe.

Më herët, Daçiç ka thënë se janë duke punuar intensivisht për ta identifikuar nëse vrasësi i policit serb është Artan Hajrizi apo vëllai i tij Fatoni, i cili u arratis nga burgu i Smrekonicës të Vushtrrisë më 6 korrik.

“Po përcaktojmë nëse vrasësi është personi të cilit i kemi gjetur dokumentet apo është vëllai i tij. Ka mundësi që të jetë një identitet i rremë”, tha Daçiç për Radiotelevizionin e Serbisë.

Ai ka pretenduar se vrasja e policit serb mund të jetë “sulm terrorist i përgatitur nga strukturat e Kosovës”.

“Ky nuk mund të jetë aksident dhe me të do të merret prokuroria për krim të organizuar, sepse policët janë sulmuar në krye të detyrës”, shtoi ai.

Në Serbi për kapjen e të dyshuarit raportohet se janë angazhuar mbi 150 pjesëtarë të policisë.

Por, Artan Hajrizi e ka mohuar se e ka vrarë policin serb, meqë ka thënë se është në Gjermani, teksa ka treguar se i janë vjedhur dokumentet nga vëllai i tij Fatoni.

“Jam në policinë e Gjermanisë në Hanover, i kam lajmëruar që m’i kanë vjedhur dokumentet, dokumentet m’i ka marrë se kuletën e la në tavolinë në korridor me çelësa, sepse vëllai ka qëndruar te unë”, tha Hajrizi në një bisedë për Dukagjinin.

Çka ndodhi?

Një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë rreth orës 00:55 të enjten në Loznicë të Serbisë.

Raportohet se vrasja ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë teksa kanë qenë duke kontrolluar veturat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një veturë të tipit Mercedes me targa të Tutinit të Serbisë në të cilën kanë qenë dy persona.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka për të shtuar asgjë përveç asaj që është publike për vrasjen e një polici serb në Serbi, derisa i dyshuari është një kosovar.

“Nuk kam diçka shtesë, mirëpo organet e sigurisë po i grumbullojnë informacionet dhe ju kisha lutur që të përcillni me vëmendje komunikatat e Policisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme”, tha Kurti gjatë një konference për media.

“Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, shtoi.

Ndërsa, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka njoftuar se është duke përcjellur zhvillimet dhe ka apeluar tek mërgimtarët t’i shmangin lëvizjet përmes Serbisë.