Presidenca e RMV-së bëri të ditur emrat e tre këshilltarëve të parë të Siljanovska-Davkovës

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova angazhoi tre këshilltarë të jashtëm si pjesë e kabinetit të saj presidencial. Emrat e tyre nuk janë publikuar ende në faqen zyrtare të presidentes, ndonëse ka kaluar më shumë se një muaj që kur ajo mori detyrën. Me kërkesë të BIRN, zyra presidenciale shpalli emrat e këshilltarëve. Siljanovska-Davkova punësoi Zhidas Daskalovskin, profesor […]

Presidenca e RMV-së bëri të ditur emrat e tre këshilltarëve të parë të Siljanovska-Davkovës
Gordana SIljanovska. Foto printscreen

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova angazhoi tre këshilltarë të jashtëm si pjesë e kabinetit të saj presidencial. Emrat e tyre nuk janë publikuar ende në faqen zyrtare të presidentes, ndonëse ka kaluar më shumë se një muaj që kur ajo mori detyrën. Me kërkesë të BIRN, zyra presidenciale shpalli emrat e këshilltarëve.

Siljanovska-Davkova punësoi Zhidas Daskalovskin, profesor i menaxhimit të burimeve njerëzore dhe sociale dhe gjeopolitikës në Fakultetin e Sigurisë, si bashkëpunëtor i jashtëm për politikën ndërkombëtare. Ai është kritik i ashpër i Marrëveshjes së Prespës dhe ka qenë i zëshëm edhe gjatë nënshkrimit të saj kur ishte edhe folës në protestat kundër saj. Ai ka qenë i pranishëm në skenën publike për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, fillimisht si një nga drejtuesit e organizatës joqeveritare Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje.

Presidentja zgjodhi Zllatko Jankovskin, ish-zëdhënës i Sekretariatit për Çështje Evropiane në Qeverinë e Nikolla Gruevskit, për këshilltar të jashtëm për çështjet e integrimeve evropiane. Ai ishte një nga themeluesit dhe person i autorizuar i Institutit “Pavel Shatev”, aktiv gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së deri në vitin 2017, veçanërisht në kryerjen e sondazheve të opinionit publik, gjë që i dha një avantazh të madh partisë së atëhershme në pushtet. Në karrierën e tij, Jankovski ishte i punësuar edhe në kabinetin e ish-presidentit Gjorge Ivanov.

Lina Rangellova, studente në Fakultetin Juridik “Justinian i Parë”, është zgjedhja e Siljanovska-Davkovës si bashkëpunëtore e jashtme për çështje që kanë të bëjnë me politikat rinore dhe studentore. Është në vitin e dytë të studimeve, ndërsa vitin e kaluar ka fituar çmim në mbrëmjet oratorike me temën “Pse jo për ndryshimet kushtetuese”. Është anëtare aktive e VMRO-DPMNE-së.

Ndryshe, nga kabineti presidencial më herët kanë bërë të ditur se sekretar i përgjithshëm është Gjorgi Bozhinov, avokat me mbi 26 vite përvojë pune. Për dallim nga ai, emri i zëvendëssekretarit të përgjithshëm Goran Momiroski është më i njohur në opinion. Ai është gazetar, i cili vitet e fundit i ka kaluar në televizionin Alfa si bashkautor i emisionit “Flejë po të mundesh”.