Shifra shqetësuese të kafshimeve nga qentë në Kumanovë, komuna nuk ka strehimore, qytetarët në frikë

Kërcënimi nga qentë endacakë që lëvizin nëpër rrugë përpos qyteteve tjera është i pranishëm edhe në Kumanovë. Shifrat nga sulmet janë shqetësuese ndërsa Komuna e Kumanovës nuk ka strehimore. Krahas rrezikut të sulmeve dhe kafshimeve, ndikimi i tyre negativ shihet edhe në ndotjen e mjedisit duke i rrëzuar mbeturinat nga koshat dhe duke i tërhequr […]

Shifra shqetësuese të kafshimeve nga qentë në Kumanovë, komuna nuk ka strehimore, qytetarët në frikë
Qentë endacakë në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Kërcënimi nga qentë endacakë që lëvizin nëpër rrugë përpos qyteteve tjera është i pranishëm edhe në Kumanovë. Shifrat nga sulmet janë shqetësuese ndërsa Komuna e Kumanovës nuk ka strehimore. Krahas rrezikut të sulmeve dhe kafshimeve, ndikimi i tyre negativ shihet edhe në ndotjen e mjedisit duke i rrëzuar mbeturinat nga koshat dhe duke i tërhequr ata zvarrë nëpër rrugë shkruan Portalb.mk.

Qytetarët me të cilët bisedoi Portalb.mk u shprehën se qentë e rrugës janë një nga problemet më emergjente për të cilin autoritetet duhet të gjejnë zgjidhje.

Një qytetar theksoi se menaxhimi i qenve të rrugës është shërbim që duhet ta ofrojë komuna për qytetarët, pasi janë të rrezikuar në çdo kohë.

“Mua më ka ndodhur disa herë kur qentë endacak më janë vërsulur, por për fat të mirë jam gjendur. Thuajse çdo vend është i prekur nga kjo problematikë, jeta e çdo qytetari është në rrezik nga kafshimi i tyre e sidomos e fëmijëve dhe të atyre që janë të dobët për tu mbrojtur. Është mirë që të mblidhen qentë endacak e të dërgohen ne vende adekuate e jo qytetarët të jenë në rrezik dhe të frikësuar, por të ecin të lirë”, tha një qytetar.

Një qytetare tjetër theksoi se nuk ndihet e sigurt në rrugë, sidomos kur është vetëm.

“Unë personalisht nuk kam pasur problem, por kam qenë dëshmitare kur një qen në rrugë e ka kafshuar një vajzë dhe i kam ndihmuar për ta dërguar në spital. Duhet patjetër të merren masa sa më shpejtë të jetë e mundur dhe t’i mbledhin të gjithë qentë endacak në një vend dhe të kujdesen për to, komuna apo shteti”, thotë një qytetare.

Për një qytetar tjetër, problemi me qentë endacakë është i pa kuptueshëm tani që gjendemi në vitin 2024.

“Nëpër rrugët tona shpesh gjenden qen endacak të cilët mund t’i shohim nëpër kontejnerë, duke i shpërndarë ato. Nuk e kuptoj jemi në vitin 2024 dhe ende kemi probleme me strehimin e qenve endacakë. Është problem shumë i hapur dhe serioz në zonën tonë, autoritet lokale duhet të marrin masa më herët, dhe jo pasi të pësojë keq dikush, por sidoqoftë me mirë vonë se sa kurrë”, tha një qytetar.

Që qentë endacakë janë problem serioz dhe kërcënues për sigurinë publike të qytetarëve, e thonë edhe të dhënat nga institucionet.

Të dhënat nga Qendra Kirurgjike Urgjente në Kumanovë janë shqetësuese, vetëm nga fillimi i vitit e deri më tani janë paraqitur 93 raste ku qytetarët kanë kërkuar ndihmë pas sulmeve nga qentë.

Në vitin 2023 janë paraqitur 285 raste nga kafshimi i qenve endacakë, pacientë të cilët janë liruar në shtëpi, dhe nga muaji janar i vitit 2024 e deri më 10 maj, janë paraqitur 93 raste”, thanë nga Qendra Kirurgjike Urgjente Kumanovë.

Ndërkaq, nga fillimi i vitit 2024 në Sektorin e Punëve të Brendshme (SPB) në Kumanovë sulmin e kanë paraqitur vetëm 23 persona.

“Në Kumanovë në vitin 2023 janë regjistruar 80 persona të kafshuar nga qentë endacak dhe nga muaji janar deri 10 maj 2024 janë regjistruar 23 raste“, thanë nga SPB Kumanovë.

Nga Komuna e Kumanovës konfirmuan se në kuadër të komunës nuk ka strehimore për qentë endacakë.

Megjithatë, në Kumanovë ekziston një strehimore private për qentë endacakë në kuadër të klinikës “Ino-Vet” e cila ka kapacitet për 40 qen, por aty qentë nuk janë të regjistruar.

Veterinari Stefan Jovçevski nga kjo klinikë tha për Portalb.mk se problemi kryesor është braktisja ose lirimi i vazhdueshëm i qenve.

“Problemi kryesor është braktisja ose lirimi i vazhdueshëm i qenve, duke i hedhur në rrugë nga qytetarë të pandërgjegjshëm….Së pari të fillojmë individualisht, më pas kolektivisht dhe institucionalisht. Nuk është e vështirë, thjeshtë duhet të duam”, tha veterinari Stefan Jovcevski.

Ndryshe, problemi me qentë endacakë është i pranishëm në të gjithë shtetin. Portalb.mk vazhdimisht ka raportuar për këtë problem në Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe në vendet tjera.