Reshjet e shiut bllokuan edhe Çairin, kanalizimet atmosferike pa kapacitet të përçojnë ujërat (Foto)

Reshjet e djeshme të shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në Shkup. Përkatësisht komuna e Çairit edhe këtë herë u përshi nga përmbytje të pjesshme të cilat vijnë nga kanalizimet atmosferike, të cilat nuk kanë kapacitet të përçojnë ujin nga moti i tillë. Këtë e pranuan edhe nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”. Qytetarët […]

Reshjet e shiut bllokuan edhe Çairin, kanalizimet atmosferike pa kapacitet të përçojnë ujërat (Foto)
Përmbytje e pjesshme në Çair. Foto e siguruar për Portalb.mk.

Reshjet e djeshme të shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në Shkup. Përkatësisht komuna e Çairit edhe këtë herë u përshi nga përmbytje të pjesshme të cilat vijnë nga kanalizimet atmosferike, të cilat nuk kanë kapacitet të përçojnë ujin nga moti i tillë. Këtë e pranuan edhe nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”. Qytetarët së bashku me ekipet në teren, riparojnë dëmet e shkaktuara, shkruan Portalb.mk.

Pasditen e djeshme, pas Pollogut reshjet u zhvendosën në Shkup, kështu duke shkaktuar dëme nga më të ndryshmet.

Qendra për Menaxhim me Kriza në raportin e dhënë rreth paraqitjeve për problemet e shkaktuara nga moti i keq njoftoi se janë adresuar më shumë se 100 dëme të shkaktuara, kryesisht vërshime brenda shtëpive, bllokim i rrugëve nga drunjtë, këputje e telave përçues të rrymës elektrike etj, por pa viktima të evidentuara.

Në Çair gjendja paraqitet e njëjtë çdoherë kur ka vërshime për vite me radhë. Në redaksinë tonë erdhën dhjetëra porosi, fotografi e pamje nga vendet e përfshira nga moti i keq. Rruga Cvetan Dimov e cila ndahet nga murri pengonte rrjedhën e duhur të ujit që u mblodh nga reshjet e dendura dhe kanalet atmosferike nuk arritën ta përçojnë ujin e tepërt, gjendja e njëjtë ishte edhe në bulevardin Hristijan Todorovski dhe atë Nikolla Karev.

Përmbytje e pjesshme në Çair. Foto e siguruar për Portalb.mk
Përmbytje e pjesshme në Çair. Foto e siguruar për Portalb.mk

Redaksia e Portalb.mk kontaktoi N.P. “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, për problemet e lartë përmendura, mirëpo ata na njoftuan se kapaciteti aktual i gypave, nuk korrespondon me motin e tillë dhe se ekipet ishin në teren që nga orët e para të mëngjesit.

“Kjo ndodhi për shkak të motit të keq. Aq është kapaciteti i kanalizimit atmosferik dhe linjave. Të gjithë ekipet, sot, që në orët e para të mëngjesit janë në teren dhe po punojnë” thanë nga N.P. “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”.

Në teren përpos tyre, pamë edhe kompani private që merreshin me pastrimin e kanalizimit. Ata thanë se janë angazhuar nga një biznes privat dhe se të njëjtat i mirëmbajnë me kërkesë të tyre, ndërkaq rrugëve hasëm në shumë drunj dhe gjethe të shpërndara gjithandej, ekipet nga N.P. Higjiena Komunale – Shkup, ende nuk kishin dalë në teren, dhe qytetarët me vetë iniciativë mblidhnin mbetjet.

Kompani private mirëmbajnë kanalizimin në Çair, foto nga Portalb.mk
Kompani private mirëmbajnë kanalizimin në Çair, foto nga Portalb.mk

Në parkun e Çairit punonjësit e N.P. “Parqe dhe Gjelbërime” – Shkup, kishin mbledhur drunjtë e rënë dhe prerë disa të tjerë që ishin rrezik potencial. Ata për Portalb.mk thanë se janë në teren që në orët e para të mëngjesit, dhe po punojnë në pjesën e tyre.

“Sot jemi në teren nga ora 06:00. Kishte drunjë të rënë gjithandej, të njëjtit i kemi prerë dhe tubuar. Nuk kemi hasur në ndonjë kabllo të këputur apo dëm më serioz. Ekipi ynë përfshin një pjesë të Çairit”, thanë punonjësit.

Bizneset që ndodhen në rrugët e përfshira nga përmbytjet e pjesshme, thanë se kanë dëme materiale, por të njëjtit nuk pranuan të prononcohen me deklarata. Ata në vazhdim prapa kamerave tona, thonë se dëmet i riparojnë nga buxheti personal, ngase vlerësimet dhe institucionet çalojnë në aktivitetet e tyre, dhe se burim i vetëm i të ardhurave ngelen bizneset që ata posedojnë.

Nga Komuna e Çairit nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske për këto probleme.

Përndryshe, Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike ditë më parë kishte paralajmëruar për një stuhi që i afrohej vendit dhe për reshje të dendura shiu. Qendra për menaxhimin e krizave (QMK) duke iu referuar njoftimit të Drejtorisë për punë hidrometereologjike, kishte paralajmëruar njashtu për motin e keq.

Kujtojmë se disa lagje nga Çairi edhe më herët janë përmbytur nga moti i keq.