RMV, QMN: Të hiqet reklamimi politik me pagesë dhe të vendoset kontroll minimal mbi portalet

Nëse reklamat politike me pagesë nuk shfuqizohen, duhet që Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) të miratojnë akte nënligjore për të rregulluar më mirë menaxhimin e Regjistrit për transmetuesit, mediat e shkruara dhe mediat elektronike (portale) si dhe për të rregulluar më mirë procedurën për pagesën e mjeteve financiare, tregon hulumtimi i […]

RMV, QMN: Të hiqet reklamimi politik me pagesë dhe të vendoset kontroll minimal mbi portalet
Reklamim politik, hulumtim. Foto: Qendra për Menaxhim të ndryshimeve

Nëse reklamat politike me pagesë nuk shfuqizohen, duhet që Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) të miratojnë akte nënligjore për të rregulluar më mirë menaxhimin e Regjistrit për transmetuesit, mediat e shkruara dhe mediat elektronike (portale) si dhe për të rregulluar më mirë procedurën për pagesën e mjeteve financiare, tregon hulumtimi i fundit i Qendrës për Menaxhimin e Ndryshimeve (QMN), transmeton Portalb.mk.

Gjithashtu, hulumtimi tregon se duhet të vendoset së paku kontroll minimal mbi mediat elektronike (portalet) gjatë regjistrimit të tyre në Regjistrin e KSHZ-së.

“Kodi Zgjedhor është një nga ato në të cilat Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i jepet e drejta diskrecionale për të paguar paratë buxhetore për reklama politike të paguara pa kritere të qarta ligjore, vetëm në bazë të një raporti nga përdoruesi dhe KSHZ paguan shpenzimet e reklamave politike të publikuara me pagesë në bazë të faturës së dorëzuar nga transmetuesit, mediat e shkruara dhe mediat elektronike (portalet e internetit) brenda 30 ditëve nga publikimi i rezultateve përfundimtare”, thuhet në raport.

Nga QMN thonë se praktika tregon se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk zbaton asnjë procedurë dhe nuk merr vendime veçanërisht të arsyetuara për pranimin dhe pagesën e shpenzimeve të reklamave politike të publikuara me pagesë, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për Procedurë të Përgjithshme Administrative.

Kodi Zgjedhor lejon që mjetet buxhetore të jepen për reklama politike me pagesë në portalet e internetit, të cilat nuk janë të rregulluara si media me legjislacionin sistemik, pra me Ligjin për Media. Kjo do të thotë se paratë buxhetore mund t’u ndahen “subjekteve” që nuk i kanë regjistruar aktivitetet e tyre mediatike në Regjistrin Qendror, për faktin se portalet nuk janë formë e medias e rregulluar me Ligjin për Media.

Gjithashtu, thonë nga QMN, pasi dispozitat e Ligjit për Media (që parashikojnë respektimin e standardeve minimale të cilësisë, profesionalizmit dhe mirësjelljes) nuk zbatohen në portalet e internetit, ato mund të kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe të nxisin përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues, të thirrin për agresion dhe konflikt të armatosur ose të nxisin diskriminimin, intolerancën dhe urrejtjen, e megjithatë ata mund të marrin para nga buxheti i shtetit.

Mikrofonat e mediave në press qendrën e Komunës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mikrofonat e mediave në press qendrën e Komunës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Mediat (portalet) elektronike që marrin fonde nga buxheti për reklama politike me pagesë nuk kanë të punësuar me statusin e gazetarit, as kanë detyrimin për të punësuar redaktorë, nuk kanë gjurmë dhe nuk e kanë detyrimin e qartë për të korrigjuar të dhëna të pasakta, që do të thotë se mund të jenë burim lajmesh të rreme, gjuhës së urrejtjes apo fjalimit revizionist dhe të marrin fonde nga buxheti i shtetit”, thuhet në hulumtim.

Aty shtohet se ndërsa transmetuesit janë nën monitorim të vazhdueshëm nga Agjencia e Shërbimeve Mediatike Audio dhe Audiovizive (AShMAA) për fushatat politike që realizojnë në minuta dhe sekonda, mediat elektronike (portalet) pa asnjë kontroll raportojnë për grumbullimin e fondeve, gjë që lë hapësirë ​​të madhe për abuzim.

Ndryshe, KSHZ-ja para pak kohësh deklaroi se ka bërë një vlerësim sipas të cilit vetëm për zgjedhjet e dyfishta janë planifikuar 656 milionë denarë ose mbi 10.614.000 euro për reklama të paguara politike.

Ky koncept i reklamimit politik me pagesë në procesin zgjedhor është kritikuar ashpër nga komuniteti profesionist mediatik dhe nevoja për heqjen e tij është theksuar prej kohësh. Ky qëndrim është paraqitur në raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet lokale të vitit 2021, dhe vazhdimisht përmendet nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM).

Shuma që mund të paguhet në një medium elektronik (portal interneti) dhe media e shkruar nga një pjesëmarrës në procesin zgjedhor, nuk mund të jetë më e madhe se 15.000 mijë euro në kundërvlerë në denarë pa përfshirë TVSH-në.

Shuma totale që një pjesëmarrës mund të shpenzojë për përfaqësim mediatik në të gjitha mediat elektronike (portalet e internetit) dhe mediat e shkruara, nuk mund të përfshijë më shumë se 25% të burimeve financiare të ndara për reklamat politike me pagesë.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në seancën e 84-të, më 29 shkurt, e ka miratuar regjistrin e radiodifuzerëve, mediave të shtypit, mediat elektronike dhe internet portalet, në të cilat do të kryhet reklamim i paguar politik për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Në regjistër janë 249 portale, 37 televizione, 35 radio dhe 11 gazeta.

Partitë nuk do të mund të porosisin reklamim të paguar politik në mediat të cilat nuk janë në regjistrin e KSHZ-së dhe në to nuk do të mund të paguhet nga llogaria bankare për fushatën zgjedhore.

Këtë vit, zgjedhjet parlamentare dhe rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahen më 8 maj. Sipas llogaritjeve të KSHZ-së, për reklamim të paguar politik do të nevojiten 10,6 milionë euro, e cila është shumë rekorde.

Fushatat e partive politike i paguajnë qytetarët, gjegjësisht financohen me paratë e buxhetit shtetëror. Modeli i këtillë i reklamimit të paguar politik i favorizon katër partitë më të mëdha, gjegjësisht ata marrin më shumë para.

Ligji parashikon nga 45% nga shuma e fituar të marrin dy partitë në pushtet dhe dy partitë më të mëdha opozitare, 7% do të shkojnë te partitë që në zgjedhjet paraprake kanë fituar ndonjë deputet, megjithatë nuk kanë mjaftueshëm përfaqësues për grup të deputetëve, ndërkaq vetëm 3% parashihen për partitë që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend.