RMV, sot u rivotua në shtatë vendvotime në zonën 5 dhe 6 për zgjedhjet parlamentare (Drejtpërdrejt)

Në Maqedoninë e Veriut sot, që në orën 7:00 filloi rivotimi për zgjedhjet parlamentare në shtatë vendvotime në njësinë zgjedhore 5 dhe 6. Në orën 19:00 u mbyllën vendvotimet. Përsëritja e votimit u bë për shkak se pas zgjedhjeve të 8 majit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) pranoi ankesat e partive politike për parregullsi në […]

RMV, sot u rivotua në shtatë vendvotime në zonën 5 dhe 6 për zgjedhjet parlamentare (Drejtpërdrejt)
Vendvotimi numër 2101, Komuna Zhelinës. Foto nga Portalb.mk

Në Maqedoninë e Veriut sot, që në orën 7:00 filloi rivotimi për zgjedhjet parlamentare në shtatë vendvotime në njësinë zgjedhore 5 dhe 6. Në orën 19:00 u mbyllën vendvotimet. Përsëritja e votimit u bë për shkak se pas zgjedhjeve të 8 majit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) pranoi ankesat e partive politike për parregullsi në këto vendvotime, me çka anuloi votimin në këto pika. Vendimi për rivotim u vërtetua edhe nga Gjykata Administrative e cila i refuzoi si të pabaza të gjithë shtatë paditë nga Fronti Evropian kundër vendimit të KSHZ-së. Më poshtë Portalb.mk ju sjell të gjitha zhvillimet mi votimin e sotëm.

17:59 – Rivotimi për zgjedhjet parlamentare në RMV: Dalja e votuesve deri në orën 17:00 është 45.88 përqind

15:35 – Rivotimi për zgjedhjet parlamentare në RMV: Dalja e votuesve deri në orën 15:00 është 34.87 përqind

13:47 – Rivotimi për zgjedhjet parlamentare në RMV: Dalja e votuesve deri në orën 13:00 është 25.48 përqind

13:44 – CIVIL: Rivotimi në shtatë vendvotimet për zgjedhjet parlamentare po zhvillohet pa probleme

13:15 – Procesi i rivotimit në Llërcë të Zhelinës vijon pa probleme (Video)

11:50 – Rivotimi për zgjedhjet parlamentare në RMV: Dalja e votuesve deri në orën 11:00 është 5.35 përqind

10:43 – Rivotimi për zgjedhjet parlamentare në RMV: Dalja e votuesve deri në orën 9:00, krahasuar me zgjedhjet e kaluara

Ku ka rivotim?

Rivotim ka në vendvotimet 2101 në Zhelinë, 1194 dhe 1202 në Krushevë, 1272 në Ohër, 1470 dhe 1470/1 në Dollnen, si dhe në 1844 në Strugë.

Të drejtë vote në këto pika votimi kanë gjithsej 4.521 votues.

Në vendvotimin 2101 në Zhelinë të drejtë vote kanë 993 votues, në vendvotimin 1194 në Krushevë – 470 votues, në vendvotimin 1202 në Krushevë – 298 votues, në vendvotimin 1272 në Ohër – 712 votues, në Dollnen në vendvotimin 1470 – 659 votues ndërsa në vendvotimin 1470/1 – 634 votues, ndërsa në Strugë në vendvotimin 1844 – 755 votues.

Votuan të burgosurit dhe të sëmurët

Kujtojmë se, dje votuan qytetarët e sëmurë dhe të burgosurit nga këto shtatë vendvotime.

Siç informoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, gjithsej 45 persona që kanë qenë të regjistruar si të sëmurë ose si të pafuqishëm kanë pasur të drejtë të votojnë në vendvotimet ku zhvillohet rivotimi.

Në vendvotimin 2101 në Zhelinë votuan 4 persona të sëmurë, në VV 1194 në Krushevë votuan 18, në VV 1202 në Krushevë votuan 6 persona, në VV 1272 në Ohër votuan 2 persona, në VV 1470 në Dollnen votuan 7 persona, në VV 1470/1 në Dollnen votuan 2 persona, ndërsa në VV 1844 në Strugë votuan 4 persona.

Të gjithë 5 personat e regjistruar për të votuar në burgjet në Prilep dhe Shuto Orizarë kanë votuar në objektet ku janë duke qëndruar. Të drejtën e tyre të votës e kanë shfrytëzuar edhe dy votuesit e regjistruar në qendrat e kujdesit jashtë familjar në Komunën e Karposhit dhe të Manastirit.

Heshtje zgjedhore

Për shkak të përsëritjes së votimit në këto pika, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive njoftoi se transmetuesit kombëtarë dhe transmetuesit që transmetojnë në zonën e Ohrit, të Krushevës, Strugës, Dollnenit dhe Zhelinës se për ta vlejnë obligimeve për heshtjen zgjedhore, e cila filloi me 20 maj në mesnatë dhe do të zgjasë deri në orën 19:00 të datës 22 maj 2024.

Gjatë heshtjes, mediat vazhdojnë të raportojnë për procesin zgjedhor, por pushojnë të gjitha format e përfaqësimit mediatik zgjedhor të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.

Çfarë mund të ndodhë pas rivotimit të sotëm?

Me rivotimin e sotëm, mund të ketë ndryshim në numrin e mandateve në zonën 5 dhe 6 midis partive pjesëmarrëse në zgjedhje.

Ka mundësi që të ketë ndryshim në ndarjen e dy mandateve për deputetë.

Sipas përllogaritjeve të partive, me rivotimin më së shumti mund të humbasë BDI, edhe atë dy deputetë, një në të pestën dhe të gjashtën. Në zonën e gjashtë, Fronti Evropian fitoi 9 mandate kundrejt 7 të koalicionit VLEN. Nëse diferenca në këtë qendër votimi rritet me 80 vota shtesë, atëherë rezultati do të jetë 8 me 8.

Në njësinë e pestë pas rivotimit mund të ndodhë që LSDM të fitojë edhe një deputet, si dhe ekziston mundësia që VMRO DPMNE të marrë një ose dy deputetë, në varësi të përllogaritjes me modelin e Dontit.

Për shkak të vendimit të Gjykatës Administrative dhe KSHZ-së, BDI-ja ka akuzuar se po bëhet inxhinierig zgjedhor për t’i privuar koalicionin nga dy mandate parlamentare.

Zgjedhjet e 8 majit dhe rezultatet

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dje ndau certifikatat për deputetë për mandatet e konfirmuara.

Në ndërkohë, VMRO-DPMNE dhe VLEN tani më kanë formuar grupet e punës dhe vijojnë bisedimet për formimin e Qeverisë. Ndërsa nga VMRO-DPMNE kanë deklaruar se kur të përfundojnë negociatat me VLEN-in, do të hapet mundësia për bisedime me Lëvizjen ZNAM të Maksim Dimitrievskit.

VMRO-DPMNE pret që përbërja e re e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut pritet të konstituohet deri më 28 maj, ndërsa Qeveria e re pritet të formohet deri në mes të qershorit.