Ulja e numrit të të punësuarve në administratë, sfidë për secilën qeveri në Maqedoninë e Veriut

Reformimi i administratës publike në Maqedoninë e Veriut është më se i nevojshëm, thonë njohësit e çështjeve juridike. Sipas tyre, për të pasur një administratë, e cila u ofron shërbime qytetarëve në përputhje me kriteret e vendeve të Bashkimit Evropian (BE), ajo duhet t’u nënshtrohet reformave dhe përfundimisht institucionet e shtetit nuk duhet të paraqesin […]

Ulja e numrit të të punësuarve në administratë, sfidë për secilën qeveri në Maqedoninë e Veriut
kadastër, sportel, shërbime, administratë, administratë shtetërore

Reformimi i administratës publike në Maqedoninë e Veriut është më se i nevojshëm, thonë njohësit e çështjeve juridike. Sipas tyre, për të pasur një administratë, e cila u ofron shërbime qytetarëve në përputhje me kriteret e vendeve të Bashkimit Evropian (BE), ajo duhet t’u nënshtrohet reformave dhe përfundimisht institucionet e shtetit nuk duhet të paraqesin strehë për ithtarët e partive politike në pushtet, raporton Radio Evropa e Lirë.

Për realizimin e reformave të thella në administratë janë zotuar të gjitha qeveritë në Maqedoninë e Veriut, por asnjëra s’ka marrë guximin që të realizojë reforma të thella, përkatësisht të bëjë shkurtime tek administrata.

VMRO DPMNE ka theksuar se prioritet për këtë parti është reformimi i administratës shtetërore, gjegjësisht krijimi i një administrate të vogël në numër, por shumë efektive me shërbimet ndaj qytetarëve.

Nga kjo parti kanë theksuar se do të rrisin funksionalitetin e institucioneve shtetërore përmes riorganizimit të ministrive, si dhe zvogëlimit të institucioneve shtetërore për 10 për qind, shfuqizimin e postit zëvendësdrejtor në institucionet e shtetit, si dhe zvogëlimin këshillave mbikëqyrës.

Aktualisht, në Maqedoninë e Veriut funksionojnë 1.371 institucione, përfshirë këtu dhe ministritë. Në bazë të të dhënave të Regjistrit të Ministrisë së Shoqërisë Informative në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut punojnë 128 mijë e 879 qytetarë, ky numër me personat e punësuar me kontratë pune të kufizuar (kontratë mbi vepër) ky numër arrin në 160 mijë.

Nëse zvogëlohet për 10 për qind numri i të punësuarve në administratën e shtetit, ashtu siç synon VMRO DPMNE-ja, atëherë do të duhet të shuhen 137 institucione, përkatësisht nga puna duhet të largohen rreth 16 mijë administratorë. Maqedonia e Veriut, aktualisht, ka 16 ministri dhe katër ministra pa resor.

VMRO DPMNE-ja zvogëlimin e të punësuarve në administratën shtetërore synon ta arrijë përmes transferimit të të punësuarve nga sektori publik në atë privat. Për t’i joshur punëdhënësit që t’i marrin punonjësit e administratës, në programin e VMRO DPMNE-së theksohet se ato kompani që do ta bëjnë këtë, do të lirohen nga pagesa e kontributeve.

Ndryshe, VMRO-DPMNE dhe koalicioni VLEN më 11 maj kanë realizuar takim, ku është rënë dakord për parimet e përgjithshme të bashkëpunimit për qeverinë e ardhshme.

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe Znam 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.