RMV, u verifikuan mandatet e 118 deputetëve, pritet zgjedhja e Afrim Gashit për kryeparlamentar

Në kuadër të seancës konstituive, Kuvendi miratoi raportin e Komisionit Verifikues me 101 vota “pro” nga gjithsej 117 të pranishëm, duke verifikuar mandatet e 118 deputetëve. Me këtë iu dha fund mandatit të deputetëve të Kuvendit të vjetër. Deputetët e rinj që mbajnë poste të tjera u ka pushuar gjithashtu detyrën. Gjithsej gjashtë deputetëve u […]

RMV, u verifikuan mandatet e 118 deputetëve, pritet zgjedhja e Afrim Gashit për kryeparlamentar
Seanca konstitutive e Kuvendit të RMV-së pas zgjedhjeve parlamentare 2024. Foto: Tetuta Buçi/Portalb.mk

Në kuadër të seancës konstituive, Kuvendi miratoi raportin e Komisionit Verifikues me 101 vota “pro” nga gjithsej 117 të pranishëm, duke verifikuar mandatet e 118 deputetëve. Me këtë iu dha fund mandatit të deputetëve të Kuvendit të vjetër. Deputetët e rinj që mbajnë poste të tjera u ka pushuar gjithashtu detyrën. Gjithsej gjashtë deputetëve u pushon funksioni në pozitat e tyre në Qeveri, kështu që Qeveria do të kryejë vetëm funksione teknike deri në zgjedhjen e qeverisë së re, transmeton Portalb.mk.

Kryetarja e Komisionit Verifikues, Dafina Stojanovska, tha se Komisioni ka shqyrtuar raportet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjet dhe rivotimet në njësitë zgjedhore 5 dhe 6, si dhe deklaratën e Bilall Kasamit, në të cilën kërkon që mandati i tij të mos të verifikohet dhe se në bazë të kësaj janë zgjedhur gjithsej 118 deputetë.

Talat Xhaferi, i cili mban pozitën e kryeministrit në Qeverinë teknike, ka thënë se nuk mund të mbajë dy pozita në të njëjtën kohë dhe se për këtë arsye nuk do të marrë pjesë në punimet e Kuvendit deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Kryesuesja e seancës është Merita Kollçi Koxhaxhiku, si deputetja më e vjetër në Kuvend. Paraprakisht në votim u vendos Komisioni për verifikim, ku vetëm gjashtë deputetë ishin kundër përzgjedhjes së këtij Komisioni, të gjashtë nga e Majta.

Për kryetare të komisionit u zgjodh Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE, ndërsa anëtarë Bllagica Lasovska, Daniela Nikolova, Diana Toska dhe Bekim Sali.

Seanca konstituive, sipas Rregullores së re, zgjat maksimumi tri ditë dhe Kuvendi konstituohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Për kryetar të Kuvendit do të propozohet Afrim Gashi nga Alternativa, pjesë e koalicionit VLEN.

“Grupet punuese të VLEN-it, si përfaqësues legjitim i shqiptarëve, dhe VMRO DPMNE-së si fituese e zgjedhjeve, në kuadër të bisedimeve për formimin e qeverisë me sukses e kanë përmbyllur harmonizimin e programeve zgjedhore dhe kanë arritur marrëveshje që për kryetar të Parlamentit të propozohet Afrim Gashi. Ndërkohë njoftojmë opinionin se grupet punuese intensivisht vazhdojnë negociatat për eshalonin e dytë dhe të tretë. Shumë shpejt si shtet do të kemi një qeveri evropiane, e përkushtuar për rritje ekonomike, investime dhe përmirësim të standardit jetësor të qytetarëve”, njoftoi Alternativa.

Kuvendi do të ketë 120 deputetë, por në seancë pritet të marrin pjesë vetëm 118 për shkak se mandatet e tyre tashmë janë konfirmuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe atyre u janë lëshuar certifikatat. Procedurat e ankimimit janë ende në vazhdim për dy mandate që u rivotuan të mërkurën e kaluar.

Në përbërjen e re parlamentare koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka më së shumti deputetë – 58, koalicioni Për një të ardhme evropiane të udhëhequr nga LSDM ka 18 deputetë, koalicioni i Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI gjithashtu ka 18 deputetë. Koalicioni VLEN ka 14, e Majta 6 dhe ZNAM 6 deputetë.

Procedurat e ankimimit për rivotimin e fundit në fshatin Llërcë të Zhelinës janë ende në vazhdim dhe nuk dihet nëse VLEN do ta mbajë mandatin. 

Për shkak të kandidimit për kryetar të Kuvendit, Afrim Gashi ka dhënë dorëheqje nga posti drejtues në Alternativë, e cila është pjesë e Koalicionit VLEN. Bilal Kasami, kryetari i Lëvizjes BESA, pjesë e këtij koalicioni dhe kryetar i Komunës së Tetovës, nga ana tjetër ka hequr dorë nga mandati i deputetit dhe mandati i tij nuk u verifikua.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, është deputet për herë të parë pasi nuk ishte në lista në ciklin e kaluar zgjedhor.

Ndryshime në lista do të ketë, duke pasur parasysh se Mickoski do të jetë kryeministër, ndërsa disa nga deputetët e rinj do të marrin ulëse në ekzekutiv.

Nga LSDM-ja, nga ana tjetër, deputetë janë ish-kryeministri dhe lideri i partisë Dimitar Kovaçeski dhe gjithë kryesia që dha dorëheqje bashkë me të.

Kujtojmë se zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6. Mirëpo, pas rivotimit të disa vendvotimeve, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet fillestare të ndryshuara, sipas të cilave koalicioni  VLEN fitoi një deputet më tepër, duke i bërë 14 deputetë, LSDM njëjtë, 18 mandate dhe koalicioni i udhëhequr nga BDI poashtu 18 mandate, një më pak, i cili shkoi për VLENIN. ZNAM dhe Levica e Maksim Dimitrievskit kanë nga 6 mandate parlamentare. Do të ketë edhe diskutime pas kundërshtimit të BDI-së për vendvotimin në Zhelinë, pas çka do të përcaktohet nëse difinitivisht një mandat i fituar në rivotime, do t’i mbetet VLEN-it apo BDI-së.