Gashi dënoi kërcënimet ndaj deputetëve të BDI-së

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka njoftuar se deputetët e BDI-së kanë marrë mesazhe elektronike me kërcënime nga një dërgues i panjohur. Siç njoftuan nga kabineti i kryeparlamentarit, ai tashmë i është drejtuar kolegëve të BDI-së dhe institucioneve kompetente për të hetuar incidentin, transmeton Portalb.mk. “Kryetari i Kuvendit dënon ashpër çdo formë kërcënimi, tentativë për […]

Gashi dënoi kërcënimet ndaj deputetëve të BDI-së
Afrim Gashi u zgjodh kryetar i Kuvendit të RMV-së. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka njoftuar se deputetët e BDI-së kanë marrë mesazhe elektronike me kërcënime nga një dërgues i panjohur. Siç njoftuan nga kabineti i kryeparlamentarit, ai tashmë i është drejtuar kolegëve të BDI-së dhe institucioneve kompetente për të hetuar incidentin, transmeton Portalb.mk.

“Kryetari i Kuvendit dënon ashpër çdo formë kërcënimi, tentativë për dhunë apo nxitje për dhunë. Deputetët zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët dhe  liria e fjalës është e pacenueshme, ajo nuk duhet të kërcënojë lirinë e të tjerëve. Anonimiteti në dërgimin e mesazheve të tilla ose në mediat sociale mund t’i japë dërguesit  ndjenjë mosndëshkimi, por duhet të pranojmë që institucionet tona janë aktive dhe të afta. Kryetari Gashi është i bindur se dërguesi do të identifikohet dhe sanksionohet”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Nga kabineti i Gashit më tej kanë shtuar se, në shoqëritë demokratike  nuk ka vend për kërcënime, ngacmime në asnjë formë. Gashi u bëri thirrje institucionet kompetente që të veprojnë menjëherë në këtë rast.

Ndryshe, MPB njoftoi më 26 korrik se, më 25.07.2024 në ora 13:58 në stacionin policor “Qendër”, një përfaqësues i një partie politike ka denoncuar se më 23.07.2024 në ora 18:15, nga një adresë e panjohur elektronike, në e-mailet zyrtare të disa deputetëve të Kuvendit, janë dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese.