Përpara maturantëve nga SOS Fshati po hapet një faqe e re në jetën e tyre

Hristina, Martina dhe Ibrahimi janë pjesë e shtatë maturantëve në SOS Fshatin e Fëmijëve këtë vit. Këta, përveçse festojnë maturën, festojnë edhe shumë më tepër se përfundimin e arsimit, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk. “Të rritur në Fshatin e Fëmijëve SOS, si fëmijë pa përkujdesje prindërore, ata treguan forcë, këmbëngulje dhe guxim të pabesueshëm. Këta heronj […]

Përpara maturantëve nga SOS Fshati po hapet një faqe e re në jetën e tyre
Foto: Kolazh, fotografi nga Fshati i Fëmijëve SOS

Hristina, Martina dhe Ibrahimi janë pjesë e shtatë maturantëve në SOS Fshatin e Fëmijëve këtë vit. Këta, përveçse festojnë maturën, festojnë edhe shumë më tepër se përfundimin e arsimit, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Të rritur në Fshatin e Fëmijëve SOS, si fëmijë pa përkujdesje prindërore, ata treguan forcë, këmbëngulje dhe guxim të pabesueshëm. Këta heronj tanë të rinj kaluan sfida të shumta, por falë mbështetjes dhe motivimit të tyre, sot qëndrojnë para nesh si simbol i shpresës dhe suksesit”, thonë nga SOS Fshati i Fëmijëve, duke shtuar se tani, kur janë në pragun e pavarësisë, periudha e jetës së tyre është e mbushur me një vorbull emocionesh, nga emocionet dhe pritjet për të ardhmen deri te reflektimi mbi sfidat që kanë kapërcyer dhe rritjen personale që kanë përjetuar”, thonë nga SOS Fshati.

Këtë vit kompania Flex Credit ndihmoi financiarisht në sigurimin e veshjeve për të shtatë maturantët.

Historia e tyre, thotë SOS Fshati i Fëmijëve, është një frymëzim për të gjithë ne, duke na kujtuar se pavarësisht fillimit, me dashuri, mbështetje dhe vendosmëri mund të arrijmë gjëra të mëdha.

“Për momentin prioriteti im është provimi i maturës shtetërore që të regjistrohem në universitet. Dua të studioj Fakultetin Pedagogjik dhe një ditë të punoj me fëmijët. Para kësaj, më pret një verë e gjatë e nxehtë dhe punë, sepse dua të jem e pavarur financiarisht përpara se të filloj studimet. Dhe pastaj një ditë të krijoj familjen time, të përmbush veten si nënë, të jem ajo që nuk e kam pasur kurrë – mbështetje e fëmijëve të mi”, thotë Hristina Konevska.

Martina Kostadinovska thotë se jeta në SOS Fshatin e Fëmijëve u siguroi këtyre maturantëve një marrëdhënie unike dhe të veçantë mes tyre dhe edukatoreve të përkushtuara nga të cilët kishin mbështetje të pakushtëzuar.

“Gjatë gjithë këtyre viteve, SOS Fshati i Fëmijëve ishte familja ime dhe shtëpia ime për mua, por të them të drejtën, më ka munguar babai biologjik. Pas përfundimit të shkollës kam në plan të jetoj me të. Jam shumë e lumtur që më në fund pas 19 vitesh familja do të ribashkohet. Mezi pres çdo moment që do të kemi bashkë, sepse kemi shumë për të kompensuar”, thotë Martina.

Ibraim Zekirovski, nga ana tjetër, ka dëshirë të punojë si bukëpjekës dhe beson se do t’ia dalë.

“Plani im për këtë verë është të filloj të punoj dhe të bëhem i pavarur financiarisht, dhe kjo do të thotë të gjej një punë dhe apartamentin tim si fillim. Përderisa isha në SOS Fshatin e Fëmijëve, mësova shumë gjëra, kështu që mendoj se tashmë jam gati dhe mjaft i pjekur për t’u kujdesur për veten”, thotë ai.

“Dhe çfarëdo që të bëjnë këta të rinj të mrekullueshëm në të ardhmen, ne do ta kujtojmë gjithmonë me krenari se si luajtëm rolin në hartimin e rrugës së tyre të jetës dhe shpresojmë që, në të gjitha situatat e jetës, ata të kujtojnë se ne jemi gjithmonë pranë tyre. Udhëtimi juaj është një frymëzim për të gjithë ne dhe mezi presim të jemi dëshmitarë të historive të pabesueshme që do të shkruani në të ardhmen”, u tha SOS Fshati i Fëmijëve shtatë maturantëve këtë vit.