RMV, Këshilli Gjyqësor ia hoqi imunitetin gjyqtarit suprem Georgiev, mbrëmë është bastisur shtëpia e një funksionari tjetër

Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut ia hoqi imunitetin gjyqtarit suprem Naqe Georgiev në seancën urgjente të mesnatës, me çka ia miratoi paraburgimin dhe e largoi nga ushtrimi i funksionit të tij gjyqësor, transmeton Portalb.mk. Siç njoftoi Këshilli Gjyqësor, në seancën e 487-të urgjente të mbajtur më 21 maj 2024, Këshilli shqyrtoi dhe […]

RMV, Këshilli Gjyqësor ia hoqi imunitetin gjyqtarit suprem Georgiev, mbrëmë është bastisur shtëpia e një funksionari tjetër
Anëtarët e Këshillit gjyqësor, RMV

Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut ia hoqi imunitetin gjyqtarit suprem Naqe Georgiev në seancën urgjente të mesnatës, me çka ia miratoi paraburgimin dhe e largoi nga ushtrimi i funksionit të tij gjyqësor, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftoi Këshilli Gjyqësor, në seancën e 487-të urgjente të mbajtur më 21 maj 2024, Këshilli shqyrtoi dhe vendosi pas kërkesës së Gjykatës Themelore Penale të Shkupit për heqjen e imunitetit të gjyqtarit dhe miratimin e paraburgimit të gjyqtarit.

“Këshilli Gjyqësor i heq imunitetin gjyqtarit të Gjykatës së Supreme të RMV-së, për hir të mbarëvajtjes së procedurës penale. Aprovoi kërkesën për miratimin e paraburgimit të gjyqtarit të Gjykatës Supreme të RMV-së, të paraqitur nga gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup dhe e largoi përkohësisht gjyqtarin e Gjykatës Supreme të RMV-së nga ushtrimi i funksionit të tij gjyqësor deri në përfundimin e procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Georgiev në bazë të dyshimeve për “marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm”, është arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërkohë nga prokuroria përkatëse priten masa për vazhdimin e procedurave.

Ndërkohë, bëhet e ditur se dje në orët e vona të mbrëmjes, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, në Tetovë është bastisur shtëpia e anëtarit të këshillit të prokurorëve I.M, si dhe është bërë bastisje në objektet zyrtare të këshillit të prokurorëve publik. Dyshohet se i njëjti, së bashku me gjyqtarin e dyshuar Nake Gorgiev, kanë ndikuar duke keqpërdorur pozitën e anëtarit të Këshillit të Prokurorëve Publikë në rastin e kërkesës për ryshfet për rrethana lehtësuese për ish-kryetarin e Komunës i cili ndodhet në paraburgim, Boro Petrushevski.

I.M konsiderohet i afërt me BDI-në dhe ka qenë Avokati i Popullit për dy mandate. Ai është gjithashtu ish-ministër i Drejtësisë, gjyqtar kushtetues, këshilltar shtetëror në Qeveri dhe anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Gjatë ditës pritet se çfarë masash do të përcaktohen ndaj tij.