Spitalit të Kumanovës i mungojnë pajisjet e ekografisë, qytetarët detyrohen të kryejnë kontrolle private që kushtojnë

Në Spitalin e Kumanovës ka mungesë të pajisjeve ekografike, si rezultat i kësaj qytetarët detyrohen që incizimet t’i bëjnë nëpër ambulanca private, të cilat janë edhe të kushtueshme. Qytetarët shprehën hallet e tyre dhe kërkojnë që këto kontrolle të ju mundësohen në spitalin shtetëror. Spitali i Kumanovës arsyetohet se për këtë problem kanë kërkuar ndihmë […]

Spitalit të Kumanovës i mungojnë pajisjet e ekografisë, qytetarët detyrohen të kryejnë kontrolle private që kushtojnë
Spitali i Kumanovës. Foto nga Portalb.mk

Në Spitalin e Kumanovës ka mungesë të pajisjeve ekografike, si rezultat i kësaj qytetarët detyrohen që incizimet t’i bëjnë nëpër ambulanca private, të cilat janë edhe të kushtueshme. Qytetarët shprehën hallet e tyre dhe kërkojnë që këto kontrolle të ju mundësohen në spitalin shtetëror. Spitali i Kumanovës arsyetohet se për këtë problem kanë kërkuar ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë, por përgjigje nuk e kanë marrë ende. Ministria e Shëndetësisë arsyetohet, shkruan Portalb.mk.

Në lidhje me këtë problem, Portalb.mk bisedoi me një grua shtatzënë se cila ishte e shtrirë për gjashtë ditë në Spitalin e Kumanovës, të cilës mjekët i kanë thënë se duhet të bëjë një eko, por të njëjtën nuk mundet të ja bëjnë në spital, pasi spitali nuk ka aparat për eko. Ajo rrëfeu rastin e saj.

“Kisha dhimbje të mëdha të barkut, mjeku që ishte kujdestar me pranoi në spital i tregova gojarisht se çfarë dhimbje kisha dhe më tha keni infeksion duhet të qëndroni në spital për terapi, dhe duhet vazhduar terapinë. Qëndrova 6 ditë në spital dhe çdo ditë në mëngjes, më thanë se duhet të të kontrollojmë më detajisht dhe të shohim në eko më saktë nga rrjedhin këto dhimbje. Pas gjashtë ditëve qëndrimi në spital, ditën e fundit mjeku më tha se duhet të shkoni në shtëpi dhe duhet të bëni një kontroll privat sepse ne nuk kemi aparate për të bërë kontrollin me eko”, tha qytetarja.

Ajo e revoltuar u shpreh se nuk është në rregull dhe normale që të ketë mungesë të pajisjeve të tilla për shkak se të njëjtat janë shumë të rëndësishme për qytetarët, dhe shteti duhet t’ua mundësojë këto, sepse siç tha ajo nuk është ndonjë kontroll kush e di sa i ndërlikuar.

Një qytetare tjetër nga Kumanova tjetër na tregoi se në mungesë të ekos në Spitalin e Kumanovës, u desh që të merrnin udhëzim që mjekimin e vajzës së saj ta vazhdonin në Shkup.

Vajza ime 6 vjeçe kishte dhimbje barku, dhe ne u drejtuam në urgjencën e spitalit, dhe sipas mjekëve ishin shenja të zorrës qorre por asgjë nuk ishte e sigurt sepse nuk kishin mundësi për të bërë eko, për tu vërtetuar se nëse është me të vërtet ajo qe mendonin mjekët dhe shenjave qe vajza tregonte. Kjo gjë nuk ishte e mundur sepse nuk kishin eko, dhe nuk mund të vazhdojmë kontrollimin, ishte ora 10 e mbrëmjes, ne nuk kishin mundësi tjetër, mjekët na dhanë udhëzimin për në spitalin e Shkupit, dhe atje vazhdova me terapinë e vajzës”, tha qytetarja.

Një qytetare nga Likova tregoi se një mëngjes derisa ishte nisur për në punë, e kishin kapur dhimbjet e barkut, ajo ndaloi te mjeku i saj amë i cili e udhëzoi të kryejë eko.

“Rrugës për në punë më kapën dhimbje të forta të barkut. Ishte e nevojshme të drejtohesha në Urgjencën e Kumanovës, ku mjeku amë më rekomandoi të bëjë një kontroll të menjëhershëm të ekos, spitali më drejtuan te një mjek privatë sepse nuk kishin aparatë, edhe ata kishin dyshime të mundshme për gurë në veshkë”, tha qytetarja.

Ajo sqaroi se shkoi për eko në një ambulancë private ku iu desh të priste në radhë për dy orë pasi nuk kishte termin.

“Si qytetare dhe taksapaguese e shtetit duhet të më mundësohen kontrollet e tilla në spitalet shtetërore, e jo të malltretohem duke pritur radhë dhe duke paguar shumë më shtrenjtë”, u shpreh qytetarja.

Spitali Kumanovës, reparti internë. Foto nga Portalb.mk
Spitali Kumanovës, reparti internë. Foto nga Portalb.mk

Për këtë problem u drejtuam në repartin intern në Spitalin e Kumanovës, ku takuam mjekun kujdestar, ai na tha se nuk mund të na jep ndonjë deklaratë zyrtare për këtë problem, por na konfirmoi problemin.

Edhe infermieret hezituan të flasin.

Për këtë problem biseduam me ushtruesen e detyrës drejtoreshë e Spitalit të Kumanovës Billana Ivanovska. Ajo na njoftoi se kanë disa aparate ekografike, mirëpo kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të ju sigurojë edhe të tjera, por që nuk kanë përgjigje.

“Në vitin 2023 dhe 2024 janë dërguar kërkesa në Ministrinë e Shëndetësisë për blerjen e një aparati eko për gjëndrën tiroide, për regjistrimin e një klinike endokrinologjike, për të cilën ende nuk kemi përgjigje. Në të kundërt vihen në përdorim të gjitha pajisjet që kemi”, tha Ivanovska.

Ajo shtoi se rajoni të cilit i shërbejnë është i madh, por që nuk mund t’i plotësojnë të gjithë kërkesat e pacientëve, kryesisht për shkak të mungesës së stafit specialist.

Nga ana tjetër, nga Ministria e Shëndetësisë arsyetohen duke mos u përgjigjur konkretisht për problemin në fjalë, por duke treguar punët që janë realizuar në Spitalin e Kumanovës, dhe jo ato që mungojnë.

“Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të përmirësojë punën e spitalit në Kumanovë edhe në të ardhmen”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndryshe, deri sa institucionet të gjejnë zgjidhje për këtë problem, qytetarët vazhdojnë të kryejnë kontrolle nëpër ambulanca private.