Venko Filipçe u zgjodh në krye të LSDM-së

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti aktual Venko Filipçe fitoi në zgjedhjet e brendshme partiake për kryetar të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë së Veriut (LSDM), transmeton Portalb.mk. Votimi i sotëm është zhvilluar në 77 vendvotime dhe në listë janë regjistruar mbi 23 mijë anëtarë partiakë. Përveç Filipçes, kandidatë për kryetar partiak të LSDM-së ishin drejtori i […]

Venko Filipçe u zgjodh në krye të LSDM-së
Foto: Venko Filipçe (profili në Facebook)

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti aktual Venko Filipçe fitoi në zgjedhjet e brendshme partiake për kryetar të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë së Veriut (LSDM), transmeton Portalb.mk.

Votimi i sotëm është zhvilluar në 77 vendvotime dhe në listë janë regjistruar mbi 23 mijë anëtarë partiakë.

Përveç Filipçes, kandidatë për kryetar partiak të LSDM-së ishin drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Industriale Teknologjike Jovan Despotovski dhe ish zëvendësministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë Aleksandar Bajdevski.

Dje ish-ministrja e mbrojtjes dhe deputetja aktuale Sllavjanka Petrovska tërhoqi kandidaturën e saj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kësaj partie ka njoftuar sonte se procesi zgjedhor ka qenë i besueshëm dhe demokratik dhe se votimi është zhvilluar pa probleme.

Pjesëmarrja deri në orën 19:45 ishte 54 për qind, pra kanë votuar gjithsej 12608 anëtatë.

Më herët, Despotovski paralajmëroi kundërshtime dhe akuzoi se mbi 10 mijë anëtarë të partisë të cilët janë regjistruar për të votuar, nuk mundën ta bënin këtë.

Bajdevski, nga ana tjetër, pas mbylljes së vendvotimeve, ka reaguar për pjesëmarrjen e ulët dhe ka thënë se kjo është për shkak të mungesës së Kongresit të përgjegjshëm dhe “procesit të nxituar zgjedhor”.

Thirrja për zgjedhjen e liderit të ri u shpall pasi LSDM pësoi humbje katastrofike në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, kur fitoi gjithsej 18 mandate parlamentare.