VMRO-DPMNE nuk përfshin shqiptarët në programin zgjedhor presidencial, e as përfill minoritetet

Shqiptarët si komuniteti i dytë më i madh në Maqedoninë e Veriut nuk përmenden fare në programin presidencial të kandidates së VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska – Davkova “Maqedonia përsëri krenare”. Fjala e vetme që përdoret është “minoritetet” edhe atë 2 herë për të drejtat e njeriut, dhe 1 herë si urë për bashkëpunim kulturor, ndërkaq sa […]

VMRO-DPMNE nuk përfshin shqiptarët në programin zgjedhor presidencial, e as përfill minoritetet
Gordana-Siljanovska-Davkova-nga-shtabi-VMRO-se-rrethi-i-pare-i-zgjedhjeve-foto-nga-Portalb.mk

Shqiptarët si komuniteti i dytë më i madh në Maqedoninë e Veriut nuk përmenden fare në programin presidencial të kandidates së VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska – Davkova “Maqedonia përsëri krenare”. Fjala e vetme që përdoret është “minoritetet” edhe atë 2 herë për të drejtat e njeriut, dhe 1 herë si urë për bashkëpunim kulturor, ndërkaq sa u përket dhe komuniteteve të tjera që jetojnë në RMV përmenden vetëm romët, transmeton Portalb.mk.  

Programi presidencial i kandidates Gordana Siljanovska Davkova në prelud të tij u drejtohet qytetarëve, por, ata përmenden veçmas si “përkatësi etnike” dhe si “minoritete”. 

“Maqedonia doemos duhet të jetë shtet i ndërtuar mbi qeverisje të së drejtës, respektim i të drejtave themelore të njeriut dhe qytetarit, si dhe të drejtave të minoriteteve. Në Evropë dhe botë do të jemi të respektuar poqëse respektojmë liritë dhe të drejtat, përfshi edhe minoritetet. Minoritetet në të gjitha vendet duhet të jenë urë bashkëpunimi kulturor e jo ndarje. Papunësia, në veçanti te femra rome, ndarja dhe riintegrimi, e braktisja e shkollës nga fëmijët rom, diskriminimi, trajtimi jo i njëjtë, mos përfshirja e lagjeve rome në planet urbanistike, janë vetëm disa nga problemet që ballafaqohet ky komunitet. Shteti edhe pse posedon kapacitet institucional, shpesh i mungon kapaciteti njerëzor dhe financiar për t’i zbatuar politikat konkrete për romët, thuhet mes tjerash në programin e VMRO-së.  

Edhe pse gjatë paraqitjes së saj në një tubim parazgjedhor është thirrur në frymën ilindenase dhe multietnike të vendit, madje thekson se është koha për një “Maqedoni Evropiane”, në fakt qëndrimi i saj është se përfshirja e minoriteteve në Kushtetutë me nocionin të tjerët” do të ishte e mjaftueshme, ngase në esencë ata janë të mbrojtur. 

“Unë jam krenare për Ilindenin e parë, Ilindnenin e dytë dhe Ilindenin e tretë, dhe mendoj se është koha që edhe ne të marrim diçka na ilindenasit, të rizgjojmë te vetja, ngase në momentet më të vështira, shpirti ilindenas ishte ai që udhëhoqi popullin maqedonas. Koha është për Maqedoni të re evropiane, politikan të përgjegjshëm, republikë e qytetarëve të lumtur, “ tha Siljanovska Davkova.

Ndërkaq, kjo është deklarata ku ajo shprehet se përfshirja e minoriteteve në Kushtetutën e vendit duhet të jetë me nocionin “të tjerët”. 

Kur ishin në rend dite amandamentet për ndryshimet Kushtetuese, isha unë mendoj që flisja për ndryshimet Kushtetuese dhe pse jam kundër. Fillimisht ne kemi fjalën të tjerët”, nuk kemi pikë këtu, dmth është diçka pa fund. Në konventën për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, dokument që duhet ta respektojnë të gjithë, janë dy kritere që duhet respektuar. Njëri prej tyre është autenticiteti, autenticiteti shekullor, tjetri është numri. Unë do filloj nga kjo “të tjerët do të thotë, minoriteti bullgar, poqëse kërkoni autenticitet nuk do të gjeni. Kemi pas regjistrime, vendime kushtetuese, poqëse kërkoni numra të rëndësishëm nuk do të gjeni, por çfarë është më e rëndësishme që vërejti Komisioni i konventës së Venecias tek ne, ne kemi një pjesë të tërë, dhe amandmani i nenit 48 që i referohet esencës së të drejtave të minoriteteve nga përdorimi i gjuhës, deri te shkollimi dhe mediumet, të gjitha këto janë të numëruara, që nuk është fenomen i njohur te shumë Kushtetuta tjera. Do të thotë se në esencë ata janë të mbrojtur,tha Davkova. 

Në fjalimin e mbrëmjes së 24 prillit, gjatë shpalljes së rezultateteve nga votimet e rrethit të parë nga shtabi i VMRO-së për zgjedhjet presidenciale në RMV, Davkova theksoi se është krenare me qytetarët, por nuk i përmendi ato shqiptarë. 

Vlen të dëgjohet se jam krenare në veçanti ndaj qytetarëve, ndërkaq pa qytetarë nuk ka Maqedoni, e as ka Maqedoni krenare. Kur them qytetar, përsëris se unë nuk i ndaj, maqedonas, turq, romë, vlleh, boshnjak, a serb, pavarësisht janë me mua apo kundër mua. Numrat më shërbejnë, por rrugës edhe nuk më shërbejnë asgjë, mendoj se ky është një fillim i ri i një kohe të re, mendoj se e morëm mësimin, mjaftë ishte nga ajo që na ndodhi. Duhet të sillemi në mënyrë tjetër, ajo quhet e denjë, atë dikush e quan mënyrë evropiane, nuk e di a është gjithmonë ashtu. Të mos turpërohemi nga Ballkani, ai ka një pamje të mrekullueshme, Evropa është nga Ballkani, të rikujtojmë”, tha Davkova.  

Në pyetjet se a pret përkrahje nga partitë tjera në rrethin e dytë, përfshirë përkatësinë etnike, ajo tha se do ishte më mirë të pyesnin vetë ato. 

Ajo përmendi “gratë moderne shqiptare” në kontekstin se fotografitë më të bukura në panair të librit i kishte shkrepur me ato. 

Mbase do ishte më mirë ti pyesni vetë ato, megjithatë unë pres përkrahje nga të gjithë, në  veçanti nga ato në opozitë, ashtu më thotë logjika e shkencave politike. Shpresoj se edhe ne i dimë disa çështje, dhe jo vetëm logjika, por mendoj se ajo është normale. Absolutisht po, fotografitë më të bukura, sidomos ato nga panairi i librit, janë me disa gra moderne të mrekullueshme shqiptare, të cilat thonë se identifikohen me mua. A do mundet, patjetër se po, dhe do më shërbente, pavarësisht përkatësisë. Koha është për bashkim, kur them bashkim, mendoj mendësi, dije, kreativitet pavarësisht përkatësisë mund të na ndihmojnë në rrugën drejtë bashkimit, shtoi Davkova.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet me 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.