Moska njoftoi se sulmet ukrainase lanë të vrarë 28 persona

Zyrtarët rusë në rajonet ukrainase që kontrollohen pjesërisht nga Moska, Kherson dhe Luhansk, njoftuan se të paktën 28 persona u vranë si pasojë e sulmeve të Kievit, ndërsa Rusia dhe Ukraina vazhduan sulmet e ndërsjella me dronë të shtunën, transmeton Zëri i Amerikës. Një sulm ukrainas të premten në qytetin e vogël Sadove në Kherson […]

Moska njoftoi se sulmet ukrainase lanë të vrarë 28 persona
Pamje nga lufta në Ukrainë, foto nga Anadolu Agency

Zyrtarët rusë në rajonet ukrainase që kontrollohen pjesërisht nga Moska, Kherson dhe Luhansk, njoftuan se të paktën 28 persona u vranë si pasojë e sulmeve të Kievit, ndërsa Rusia dhe Ukraina vazhduan sulmet e ndërsjella me dronë të shtunën, transmeton Zëri i Amerikës.

Një sulm ukrainas të premten në qytetin e vogël Sadove në Kherson la të vrarë 22 vetë dhe plagosi 15 të tjerë, njoftoi Vladimir Saldo, guvernatori i caktuar nga Moska në këtë rajon.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass citoi zotin Saldo të shprehej se forcat ukrainase fillimisht goditën qytetin me predha të prodhimit francez dhe më pas sulmuan përsëri me sistemin e raketave të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara, HIMARS.

Agjencia shtetërore e lajmeve Interfax citoi autoritetet e caktuara nga Rusia në rajonin pjesërisht të pushtuar Luhansk se 6 vetë vdiqën si pasojë e një seri sulmesh me raketa nga Ukraina. Guvernatori i caktuar nga Moska në këtë rajon Leonid Pasechnik tha se 60 persona mbetën të plagosur.

Ukraina nuk komentoi rreth sulmeve.

Ndërkohë vazhduan sulmet e ndërsjella me dronë mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi sot se Ukraina lëshoi një seri dronësh gjatë natës të premten mbi të gjithë territorin rus.

25 dronë u njoftua se u shkatërruan në rajonet ruse Kuban dhe Astrakhan dhe ne Krimenë e aneksuar nga Moska.

Të shtunën në mëngjes, autoritetet ruse njoftuan për herë të parë se rrëzuan një dron ukrainas mbi rajonin e Osetisë Veriore, në Kaukazin Verior, rreth 900 kilometra larg vijës së frontit në rajonin ukrainas Zaporizhia, të pushtuar pjesërisht nga rusët.

Forcat e mbrojtjes ajrore ukrainase njoftuan se rrëzuan 9 nga 13 dronët e nisur nga forcat ruse në rajonet Zaporizhia, Dnipropetrovs dhe Kharkiv.

Guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk Serhiy Lysak tha se sulmet me dronë dëmtuan ndërtesa banimi dhe objekte tregtare.