Izraeli bombardoi kampin e palestinezëve të zhvendosur në Rafah, të paktën 40 vdekur

Të paktën 40 palestinezë humbën jetën në sulmin që ushtria izraelite kreu ndaj tendave të palestinezëve të zhvendosur në qytetin Rafah në Rripin e Gazës, pavarësisht se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka marrë vendim që të ndalojë sulmet, transmeton Anadolu. Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, avionët luftarakë izraelitë bombarduan tendat e palestinezëve të […]

Izraeli bombardoi kampin e palestinezëve të zhvendosur në Rafah, të paktën 40 vdekur
Pamje nga Palestina pas sulmeve izraelite. Foto: Anadolu Agency

Të paktën 40 palestinezë humbën jetën në sulmin që ushtria izraelite kreu ndaj tendave të palestinezëve të zhvendosur në qytetin Rafah në Rripin e Gazës, pavarësisht se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka marrë vendim që të ndalojë sulmet, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, avionët luftarakë izraelitë bombarduan tendat e palestinezëve të zhvendosur që jetojnë në afërsi të zonës ku ndodhen magazinat e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), në veriperëndim të Rafahut.

Në sulm humbën jetën të paktën 40 palestinezë.

Edhe në deklaratën nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze thuhet se ekipet mjekësore kanë dërguar në spital trupat e pajetë dhe të plagosur të shumë palestinezëve, përfshirë gra dhe fëmijë.

“Bombardimet e ushtrisë izraelite kanë shkaktuar shkatërrimin dhe djegien e shumë tendave në kamp. Ky kamp në qytetin Rafah, ku jetojnë mijëra palestinezë të zhvendosur, nuk ndodhet në zonën që ushtria izraelite kërkon të evakuohet”, kanë deklaruar dëshmitarët.

Po ashtu dëshmitarët thanë se avionët luftarakë izraelitë kanë sulmuar kampin me të paktën tetë raketa.

“Shumë palestinezë humbën jetën dhe u plagosën si pasojë e bombardimeve brutale të avionëve luftarakë izraelitë të kampit ku qëndronin palestinezët e zhvendosur në veriperëndim të qytetit Rafah. Punimet e kërkim-shpëtimit për të zhdukurit vazhdojnë”, theksohet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Në vendimin e saj për masat e reja më 24 maj, GJND vendosi se Izraeli duhet të ndalojë menjëherë sulmet e tij në Rafah, të mos bllokojë ndihmën humanitare dhe të lejojë zyrtarët e OKB-së të hyjnë në Gaza për të hetuar krimet e tij.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 e deri më tani janë vrarë 35.984 palestinezë, përfshirë të paktën 15.239 fëmijë dhe 10.093 gra, ndërsa 80.643 të tjerë janë plagosur.

Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata.