Likovë, bujqit kanë nisur riparimin e dëmeve nga breshëri, por nuk kanë shpresë për ndihmë nga shteti

Breshëri i fuqishëm i ditës së martë ka shkatërruar shumë prodhime bujqësore në rajonin e Likovës. Fshatarët kanë nisur riparimin e dëmeve të kulturës bujqësore siç janë misri, elbi, patatet, qepët, shalqiri dhe perime të tjera. Përpos tyre, gjithashtu janë dëmtuar panelet diellore si dhe veturat në rrugë. Fshatrat më të prekura në këtë komunë […]

Likovë, bujqit kanë nisur riparimin e dëmeve nga breshëri, por nuk kanë shpresë për ndihmë nga shteti
Dëme nga breshëri, fshati Sllupçan foto nga Portalb.mk

Breshëri i fuqishëm i ditës së martë ka shkatërruar shumë prodhime bujqësore në rajonin e Likovës. Fshatarët kanë nisur riparimin e dëmeve të kulturës bujqësore siç janë misri, elbi, patatet, qepët, shalqiri dhe perime të tjera. Përpos tyre, gjithashtu janë dëmtuar panelet diellore si dhe veturat në rrugë. Fshatrat më të prekura në këtë komunë janë Likova, Hotla, Orizarja dhe fshati Sllupçan, transmeton Portalb.mk.

“Kemi dëmtime të rënda, solarët janë të dëmtuara, nëpër fusha të gjithë bereqetin e kanë shkatërruar, misrin, elbin, nuk mund ta mbjellim përsëri, se më nuk bëhen këto mbjella, ndërsa perimet specat, domatet, shalqirin e tjerë duhet të mbjellën. Shpresojmë se do të bëhen ndërsa dhe ndihmë prej shtetit asnjëherë nuk kemi pasur nga fatkeqësitë natyrore dhe nuk pres se kemi me pas”, tha Shaip Ismaili, banor i fshatit Sllupçan.

Dëme nga breshëri, fshati Sllupçan foto nga Portalb.mk
Dëme nga breshëri, fshati Sllupçan foto nga Portalb.mk

“Rrofshim ne vet, se sa për shtetin dhe komunën, kurrë ndihmesë ne bujqit nuk kemi pasur, rreth dy hektarë e gjysmë kam mbjellë shalqi, diku 2 mijë euro kam investuar, kam pasur harxhime tash duhet me investuar edhe një mijë euro tjera për të dytën here, po shpresat nga Zoti nuk i humbim”, tha një banor i fshatit Sllupçan.

Bekim Asani punonjës i ndërmarrjes “Maqedonia Pat, tha për Portalb.mk  se po punojnë tre ditë radhazi për të riparuar dëmet në rrugët rajonale Kumanovë – Bellanocë.

“Ndërsa për rrugët në fshatrat tjera si Orizare, Likovë, Hotël ne nuk jemi për ato”, tha ai.

Në ndihmë të banorëve u është bashkangjitur mirëmbajtësi i lumit të fshatit Sllupçan, Haris Shabani nga shoqata e “Mërgimtarët e Fshatit”, i cili tha se “dëmtime ka edhe nëpër podrume të shtëpive, dritare të shtëpive si dhe veturat, siç po shihet jemi duke pastruar rreth lumit dhe pastruar rrugët.”

Në pjesën më të madhe të Maqedonisë së Veriut të martën (21 maj) kishte reshje shiu, por disa pjesë u përfshirë nga moti i keq. Breshër me madhësi sa kokrra e arrës pas orës 17, ranë në fshatrat e Komunës së Likovës.