Në tre vite nuk ka asnjë aktvendim për shkaktim të zjarrit në pyll në RMV

Në vitet e fundit askush nuk ka mbajtur përgjegjësi apo është dënuar për veprën penale “shkaktim i zjarrit në pyll”. Meta.mk i kërkoi nga Gjykata Penale të dhënat për atë se sa aktgjykime janë marrë për këtë vepër në vitin 2022, 2023, deri në prill të vitit 2024, ndërsa përgjigja ishte se aktgjykim i tillë […]

Në tre vite nuk ka asnjë aktvendim për shkaktim të zjarrit në pyll në RMV
Zjarri mbi fshatin Sellcë, Foto: Parku Kombëtar "Mali Sharr"

Në vitet e fundit askush nuk ka mbajtur përgjegjësi apo është dënuar për veprën penale “shkaktim i zjarrit në pyll”. Meta.mk i kërkoi nga Gjykata Penale të dhënat për atë se sa aktgjykime janë marrë për këtë vepër në vitin 2022, 2023, deri në prill të vitit 2024, ndërsa përgjigja ishte se aktgjykim i tillë për këtë periudhë nuk ekziston, sepse nuk është parashtruar aktakuzë apo propozim akuzë nga ana e Prokurorisë Publike, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Nga Prokuroria për Meta.mk thonë se në vendin tonë nuk ka një regjistër të pyjeve dhe prokuroria e ka të vështirë që të dëshmojë se një zjarrë i caktuar me të vërtetë ka filuar në pyll, e pastaj është përhapur më tej. Me fjalë të tjera, ligji nuk njeh definicion për pyll, prandaj shkaktarët e zjarreve ndiqen penalisht për një tjetër vepër penale, për të cilën ka dënime më të ulëta – shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Sipas dokumenteve të Gjykatës Penale nga viti 2022 deri në prill të këtij viti janë sjellë 34 aktgjykime për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, por jo të gjitha i referohen shkaktimit të zjarrit. Për shembull, në veprën shkaktimi i një rreziku të përgjithshëm mund të përfshihet edhe vënia e zjarrit të një automjeti, gjuajtja me armë zjarri gjatë një feste, etj. Për këtë arsye nuk mund të fitohen statistika të sakta se sa aktgjykime janë bërë për shkaktimin e një rreziku të përgjithshëm si pasojë e shkaktimit të zjarrit.

Sidoqoftë, aktvendimet për numrin më të madh të veprave “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm janë dënime me kusht”, gjë që tregon qartë se pavarësisht rrezikut nga shkaktimi i zjarreve, autorët përballen me dënime minimale.

Për ta tejkaluar këtë problem, në mungesë të regjistrit për pyjet, në përgatitje e sipër është një Kod i ri Penal në të cilin do të precizohet më tej kjo vepër.

Foto: Meta.mk
Foto: Meta.mk
Foto: Meta.mk
Foto: Meta.mk

Angellov: Na pret një pranverë përcëlluese, e mbase edhe një verë edhe më përcëlluese

Zjarret dhe përmbytjet janë fatkeqësitë natyrore më të shpeshta që kanë ndodhur në Maqedoninë e Veriut në periudhën nga viti 2005 deri në vitin 2023, tregon Analiza e ngjarjeve ekstreme të motit, të cilën e ka përgatitur Qendra për Ndryshimet Klimatike. Ato më së shpeshti janë regjistruar në periudhën nga muaji mars deri në muajin shtator, ndërsa në dhjetë vitet e fundit janë shpeshtuar edhe më shumë. Sipas analizës kjo nënkupton se janë të lidhura drejtpërdrejt me efektet e ndryshimeve klimatike dhe rritjen e temperaturave mesatare.

Sipas Raportit statistikor vjetor të Entit Shtetëror të Statistikave, të publikuar vitin e kaluar në muajin dhjetor, dëmet e shkatuara nga zjarret në pyje janë shumë të mëdha.
Të dhënat tregojnë se pas prerjes së paligjshme të dunjve zjarret janë faktori i dytë më i madh i shkatërrimit të pyjeve në vendin tonë. Në vitin 2022 janë djegur 4.300 hektarë pyje, ndërsa në vitin 2021 ky numër është më shumë se dy herë më i madh, mbi 11.400 hektarë pyje. Në vitin 2020, në kulmin e pandemisë së COVID-19 dhe masave për ndalimin e lëvizjes, janë djegur 600 hektarë, ndërsa në vitin 2019 dëme nga zjarret kanë pësuar mbi 10.600 hektarë.

Shkaktar i numrit më të madh të zjarreve është njeriu, qoftë qëllimisht apo nga pakujdesia, thotë drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov. Ai thekson se shumica e zjarreve me të cilat përballen ekipet të cilat i koordinon janë si pasojë e aktiviteteve bujqësore në të cilat bujqit e përdorin zjarrin për t’i pastruar arat, për t’i eliminuar mbetjet e produkteve të tyre bujqësore ose degët e hardhive të rrushit, ose barinjtë që i djegin kullotat për t’i hequr qafe ferrat që u pengojnë bagëtive gjatë kullotjes. Ndonjëherë zjarr shkakton edhe pakujdesia e qytetarëve, në të shumëtn e rasteve për shkak të hedhjes së mbetjeve të cigareve pranë kullotave, por ka edhe zjarrvënie të qëllimshme si pasojë e gjendjeve patologjike, ose për ta shfrytëzuar masën e drunjve. Si rezultat i kësaj janë zjarret në natyrë, numri i të cilave për çdo vit po bëhet gjithnjë e më i madh.

“Vitin e kaluar e përfunduam me rreth 2.400 zjarre në natyrë. Një pjesë e vogël e tyre përfunduan në pyll, ndërsa pjesa tjetër ishin në mjedise të hapura dhe kapluan barë, shkurre, pyje të degraduara. Për fat të keq gjendja këtë vit është shumë më e keqe, do kisha thënë jashtëzakonisht më e keqe, dhe presim një verë shumë të keqe sa i përket zjarreve”, thotë Angellov.

Ai thekson se zjarrfikësit tashmë janë të rraskapitur, duke shuar zjarre si në natyrë ashtu edhe në zonat urbane, ndërkohë që nuk janë të pajisur plotësisht. Të dhënat e Qendrës për Menaxhimin e Krizave tregojnë se në dhjetëditëshin e parë të këtij muaji kanë ndodhur 171 zjarre, aq sa kanë ndodhur gjatë gjithë muajit paraprak. Prej tyre, 30 kanë shpërthyer në pyll, ndërsa ka pasur edhe situata shqetësuese në të cilat për shuarje është kërkuar edhe mbështetje ajrore.

“Krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar kur kishim 87 zjarre në natyrë, 7 nga të cilat në pyje, këtë vit kemi 171 zjarre prej të cilave 14 janë zjarre në pyje. Pra, me të vërtetë na pret një pranverë përcëlluese dhe do kisha shtuar, edhe një verë edhe më përcëlluese. Besoj se edhe vjeshta do të jetë e tillë, sepse vitin e kaluar deri në muajin nëntor kemi pasur zjarre jashtëzakonisht të mëdha”, thotë Angellov.

Ai shton se shumë shpesh ndodh që në të njëjtën kohë të kërkohet mbështetje ajrore në disa lokacione, e në ato raste duhet të shfrytëzohen parashikimet e Drejtorisë për Çështje Hidrometeorologjike dhe paralajmërimet për reshje lokale që mund të ndihmojnë në shuarjen e zjarreve.

“Ndikimin e ndryshimeve klimatike e ndiejmë dhe e shohim përmes temperaturave që janë jashtëzakonisht të larta për këtë periudhë të vitit. Vegjetacioni, i cili tani po gjelbëron, në këto temperatura shumë shpejt do të thahet dhe do mund të marrë flakë lehtësisht. Por, duhet ta kemi të qartë se nëse nuk ka njeri që të shkaktojë zjarrë, vetë ngrohja globale nuk luan një rol të madh. Edhe pse kjo mundësi ekziston, nuk kemi regjistruar pothuajse asnjë rast të zjarreve spontane në natyrë”, thotë Angellov.