RMV, u rivotua në shtatë vendvotime, VLEN-i mori një deputet më shumë, Fronti Europian humbi një

Në Maqedoninë e Veriut sot u rivotua për zgjedhjet parlamentare në shtatë vendvotime në njësinë zgjedhore 5 dhe 6. Pas rivotimit në disa vendvotime në Zonën 5, Fronti Europian ka fituar, duke ruajtur mandatin e deputetit të 4-të në këtë zonë, që është Ismail Jaoski. Ndërkaq, Fatmire Isaku nga Fronti Evropian në Zonën 6 zgjedhore […]

RMV, u rivotua në shtatë vendvotime, VLEN-i mori një deputet më shumë, Fronti Europian humbi një
Procesi i votimit nga vendvotimi numër 2101 nga Komuna Zhelinës. Foto nga Fisnik Xhelili/ Portalb.mk

Në Maqedoninë e Veriut sot u rivotua për zgjedhjet parlamentare në shtatë vendvotime në njësinë zgjedhore 5 dhe 6. Pas rivotimit në disa vendvotime në Zonën 5, Fronti Europian ka fituar, duke ruajtur mandatin e deputetit të 4-të në këtë zonë, që është Ismail Jaoski. Ndërkaq, Fatmire Isaku nga Fronti Evropian në Zonën 6 zgjedhore e ka humbur mandatin e deputetes pas rivotimit të sotëm në Llërcë të Zhelinës, në vend të saj nga VLEN do të jetë Adnan Azizi.

Votimi filloi në ora 07:00 ndërsa kutitë e votimit u mbyllën në ora 19:00. Përsëritja e votimit u bë për shkak se pas zgjedhjeve të 8 majit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) pranoi ankesat e partive politike për parregullsi në këto vendvotime, me çka anuloi votimin në këto pika. Vendimi për rivotim u vërtetua edhe nga Gjykata Administrative e cila i refuzoi si të pabaza të gjithë shtatë paditë nga Fronti Evropian kundër vendimit të KSHZ-së.

Më poshtë Portalb.mk ju sjell të gjitha zhvillimet mi votimin e sotëm.

KSHZ me rezultate: VLEN-i mori një deputet më shumë, Fronti Europian humbi një

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka publikuar rezultatet nga rivotimet e sotme në njësinë e 5 dhe 6 zgjedhore.

Sipas të dhënave të publikuara në ueb faqen e KSHZ-së, në vendvotimin 1194 në Krushevë, nga 469 votues, votuan 337, tre fletëvotime ishin të pavlefshme, dhe dalja në votime ishte 71,86 për qind.

Shumicën, 290 vota ose 86 përqind e ka fituar koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, 13,06 për qind ose 44 vota koalicioni “Për një të ardhme evropiane” të LSDM-së, ndërsa E Majta ka fituar një votë.

Në vendvotimin 1202 në Komunën e Krushevës kanë votuar 111 nga 298 votues, dalja është 37.25 për qind dhe nuk ka fletë të pavlefshme. Shumica, 91 vota ose 81,98 për qind i ka marrë koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI, 13 vota ose 11,71 për qind ka marrë “Maqedonia juaj” udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe shtatë vota ose 6,31 për qind e votave ka marrë “E ardhmja evropiane”.

Në vendvotimin 1272 në Komunën e Ohrit, nga 711 votues kanë votuar 373 ose 52,46 për qind, ndërsa tetë fletëvotime janë të pavlefshme. Gjithsej 303 vota ose 81,23% mori “Maqedonia juaj” e prirë nga VMRO-DPMNE, 27 vota koalicioni “Për të ardhmen evropiane”, 12 vota “Fronti evropian”, 11 vota për Të Majtën,11 për ZNAM dhe 1 votë për VLEN.

Në vendvotimin 1844 në Komunën e Strugës, nga 753 votues, kanë votuar 483 ose 64,14 për qind dhe janë 10 fletë të pavlefshme. Më së shumti, 366 vota ka marrë koalicioni “Maqedonia juaj”, 46 vota “Fronti evropian”, “Për të ardhmen evropiane” kanë marrë 41 vota , E majta 11 vota, “VLEN” mori 4 vota.

Në vendvotimin 1470 në Komunën e Dollnenit nga 658 votues kanë votuar 383 ose 58.21 për qind dhe janë shtatë fletë të pavlefshme. “Fronti Europian” fitoi më shumë, 234 vota, “Maqedonia juaj” mori 80 vota, “VLEN” mori 53 vota, Koalicioni “Për të ardhmen evropian” mori tetë vota, etj.

Në vendvotimin 1470/1 në Dollnen nga 632 votues kanë votuar 350 ose 55.38 për qind, ndërsa një fletë votimi ka qenë e pavlefshme. “Fronti europian” ka 255 vota, “Maqedonia juaj” ka fituar 82 vota, “VLEN” ka shtatë vota, “E ardhmja evropiane” me dy vota, etj. Me rivotimet në njësinë e pestë zgjedhore, Fronti Evropian ruan mandatin e katërt të deputetit.

Ndërsa nga rivotimet në vendvotimin 2101 në Llërcë të Zhelinës, nga 542 votues 495 mori VLEN dhe 47 vota Fronti Evropian. Me këto rezultate, VLEN i ka marrë një deputet koalicionit Fronti Evropian, duke barazuar rezultatin në 8 me 8 me mandate deputetësh në njësinë e 6 zgjedhore.

Nga këto rivotime, Fronti Evropian bie në 18 deputetë, ndërsa VLEN shkon në 14 deputetë, LSDM mbetet me 18 deputetë.

Mandatet pas rivotimit
Mandatet pas rivotimit

U mbyllën kutitë e votimit, partitë dolën me reagimet e para

Me rivotimin e sotëm në shtatë vendvotimet, koalicioni Fronti Evropian pritet të humb një deputet, ndërsa koalicioni VLEN të fitojë një deputet tjetër në njësinë 6.

“Unë deklaroj para jush se fitorja e VLEN-it është spektakolare edhe në fshatin tonë”, deklaroi Adnan Azizi, i cili pritet të jetë deputet i ardhshëm në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Ai raportoi që 498 votues në vendvotimin 2101 kanë votuar për VLEN-in, ndërsa 48 votues për Fronti Europian.

“Nga sot, VLEN ka plus një deputet, dhe koalicioni i zullumit deputetin e grabitur e ktheu aty ku e ka vendin dhe aty ku votuan qytetarët e këtij vendi, e këtij fshati”, deklaroi Azizi.

Në lidhje me gjashtë vendvotimet në njësinë pesë, ka shkruar ministri i BDI-së, Kreshnik Bekteshi. Ai ka konfirmuar që BDI-ja në njësinë pesë do të vazhdojë të ketë katër deputet, aq sa kishte edhe në zgjedhjet e 8 majit.

“Ju dua Debresht, Krushevë, Strugë, Ohër”, ka shkruar në orët e pasdites Bekteshi në rrjetet sociale.

Me ndryshimet e fundit, VMRO-DPMNE pritet të ketë 58 deputetë, Fronti Evropian 18, LSDM 18, VLEN 14, E Majta 6 dhe ZNAM 6.

Çfarë ndodhi gjatë ditës?

19:38 – Rivotimi për zgjedhjet parlamentare në RMV: Dalja e votuesve deri në orën 18:30 është 55.10 përqind

17:59 – Rivotimi për zgjedhjet parlamentare në RMV: Dalja e votuesve deri në orën 17:00 është 45.88 përqind

15:35 – Rivotimi për zgjedhjet parlamentare në RMV: Dalja e votuesve deri në orën 15:00 është 34.87 përqind

13:47 – Rivotimi për zgjedhjet parlamentare në RMV: Dalja e votuesve deri në orën 13:00 është 25.48 përqind

13:44 – CIVIL: Rivotimi në shtatë vendvotimet për zgjedhjet parlamentare po zhvillohet pa probleme

13:15 – Procesi i rivotimit në Llërcë të Zhelinës vijon pa probleme (Video)

11:50 – Rivotimi për zgjedhjet parlamentare në RMV: Dalja e votuesve deri në orën 11:00 është 5.35 përqind

10:43 – Rivotimi për zgjedhjet parlamentare në RMV: Dalja e votuesve deri në orën 9:00, krahasuar me zgjedhjet e kaluara

Ku pati rivotim?

Rivotim pati në vendvotimet 2101 në Zhelinë, 1194 dhe 1202 në Krushevë, 1272 në Ohër, 1470 dhe 1470/1 në Dollnen, si dhe në 1844 në Strugë.

Të drejtë vote në këto pika votimi patën gjithsej 4.521 votues.

Në vendvotimin 2101 në Zhelinë të drejtë vote patën 993 votues, në vendvotimin 1194 në Krushevë – 470 votues, në vendvotimin 1202 në Krushevë – 298 votues, në vendvotimin 1272 në Ohër – 712 votues, në Dollnen në vendvotimin 1470 – 659 votues ndërsa në vendvotimin 1470/1 – 634 votues, ndërsa në Strugë në vendvotimin 1844 – 755 votues.

Votuan të burgosurit dhe të sëmurët

Kujtojmë se, dje votuan qytetarët e sëmurë dhe të burgosurit nga këto shtatë vendvotime.

Siç informoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, gjithsej 45 persona që kanë qenë të regjistruar si të sëmurë ose si të pafuqishëm kanë pasur të drejtë të votojnë në vendvotimet ku zhvillohet rivotimi.

Në vendvotimin 2101 në Zhelinë votuan 4 persona të sëmurë, në VV 1194 në Krushevë votuan 18, në VV 1202 në Krushevë votuan 6 persona, në VV 1272 në Ohër votuan 2 persona, në VV 1470 në Dollnen votuan 7 persona, në VV 1470/1 në Dollnen votuan 2 persona, ndërsa në VV 1844 në Strugë votuan 4 persona.

Të gjithë 5 personat e regjistruar për të votuar në burgjet në Prilep dhe Shuto Orizarë kanë votuar në objektet ku janë duke qëndruar. Të drejtën e tyre të votës e kanë shfrytëzuar edhe dy votuesit e regjistruar në qendrat e kujdesit jashtë familjar në Komunën e Karposhit dhe të Manastirit.

Heshtje zgjedhore

Për shkak të përsëritjes së votimit në këto pika, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive njoftoi se transmetuesit kombëtarë dhe transmetuesit që transmetojnë në zonën e Ohrit, të Krushevës, Strugës, Dollnenit dhe Zhelinës se për ta vlejnë obligimeve për heshtjen zgjedhore, e cila filloi me 20 maj në mesnatë dhe zgjati deri në orën 19:00 të datës 22 maj 2024.

Gjatë heshtjes, mediat vazhdojnë të raportojnë për procesin zgjedhor, por pushojnë të gjitha format e përfaqësimit mediatik zgjedhor të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.

Çfarë pritej të ndodhë pas rivotimit të sotëm?

Me rivotimin e sotëm, pritej të ketë ndryshim në numrin e mandateve në zonën 5 dhe 6 midis partive pjesëmarrëse në zgjedhje.

Ka mundësi që të ketë ndryshim në ndarjen e dy mandateve për deputetë.

Sipas përllogaritjeve të partive, me rivotimin më së shumti mund të humbasë BDI, edhe atë dy deputetë, një në të pestën dhe të gjashtën. Në zonën e gjashtë, Fronti Evropian në zgjedhjet e 8 majit fitoi 9 mandate kundrejt 7 të koalicionit VLEN. Nëse diferenca në këtë qendër votimi rritej me 80 vota shtesë, atëherë rezultati do të jetë 8 me 8.

Në njësinë e pestë pas rivotimit mund të ndodhë që LSDM të fitojë edhe një deputet, si dhe ekziston mundësia që VMRO DPMNE të marrë një ose dy deputetë, në varësi të përllogaritjes me modelin e Dontit.

Për shkak të vendimit të Gjykatës Administrative dhe KSHZ-së, BDI-ja ka akuzuar se po bëhet inxhinierig zgjedhor për t’i privuar koalicionin nga dy mandate parlamentare.

Zgjedhjet e 8 majit 

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dje ndau certifikatat për deputetë për mandatet e konfirmuara.

Në ndërkohë, VMRO-DPMNE dhe VLEN tani më kanë formuar grupet e punës dhe vijojnë bisedimet për formimin e Qeverisë. Ndërsa nga VMRO-DPMNE kanë deklaruar se kur të përfundojnë negociatat me VLEN-in, do të hapet mundësia për bisedime me Lëvizjen ZNAM të Maksim Dimitrievskit.

VMRO-DPMNE pret që përbërja e re e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut pritet të konstituohet deri më 28 maj, ndërsa Qeveria e re pritet të formohet deri në mes të qershorit.