SHBA shqyrton një kuadër të ri ligjor për monedhat digjitale

Mungesa e ligjeve për monedhat digjitale e ka ngadalësuar përhapjen e tyre në Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës., Deana Mitchell, njofton se shqyrtimi i një kuadri të ri ligjor nga Dhoma e Përfaqësuesve i ka inkurajuar investitorët e tregut të monedhave dixhitale. Sulmet kibernetike të viteve të fundit shkaktuan humbje të mëdha […]

SHBA shqyrton një kuadër të ri ligjor për monedhat digjitale
Bitcoin, foto: Amhnasim në Canva

Mungesa e ligjeve për monedhat digjitale e ka ngadalësuar përhapjen e tyre në Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës., Deana Mitchell, njofton se shqyrtimi i një kuadri të ri ligjor nga Dhoma e Përfaqësuesve i ka inkurajuar investitorët e tregut të monedhave dixhitale.

Sulmet kibernetike të viteve të fundit shkaktuan humbje të mëdha për investitorët e tregut të kriptovalutave, duke ndikuar tek rënia e vlerës së tyre. Ekspertët thonë se vlera e monedhave dixhitale po rritet përsëri, pjesërisht falë përpjekjeve të Kongresit për ta rregulluar këtë treg.

“Flitet shumë për mungesën e qartësisë ligjore për trajtimin e tregut të monedhave dixhitale, kjo është shtysa për këtë legjislacion”, thotë ligjvënësi republikan, French Hill.

Ligjvënësi i Karolinës së Veriut, Patrick McHenry, thotë se Ligji për Novacionin dhe Teknologjinë Financiare për Shekullin 21, shkurtimisht FIT21, do të sigurojë që Shtetet e Bashkuara të mbeten një udhëheqës global në fushën e novacionit dhe përshtatjes teknologjike.

“Në thelb, ky legjislacion aplikon mbrojtjen e testuar prej kohësh të konsumatorëve, për të siguruar që 20% e amerikanëve që investojnë në tregun e monedhave dixhitale mund ta bëjnë këtë në mënyrë të sigurte, dhe që më shumë amerikanë të angazhohen në këtë treg”.

Matthew Graham është partner në firmën “Ryze Labs”. Në një konferencë për kriptomonedhat të mbajtur kohët e fundit në Teksas ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë mbetur pas botës kur flitet për monedhat dixhitale dhe nuk duhet supozuar se standardi për shumicën e monedhave elektronike do të vazhdojë të jetë dollari amerikan.

“Nëse hegjemonia e dollarit amerikan vërtet shihet si një interes kombëtar jashtëzakonisht i rëndësishëm, atëherë kjo është një arsye shumë e fortë për të dyfishuar përpjekjet në tregun e monedhave dixhitale. Nëse ka diçka që është e mirë për të ardhmen e hegjemonisë së dollarit amerikan, është një kategori alternative ose aset financiar që varet tërësisht tek dollari amerikan”.

Ndërsa vazhdon fushata për Shtëpinë e Bardhë, në treg kanë dalë monedha dixhitale që mbajnë emrin por nuk kanë lidhje me Presidentin Joe Biden dhe kandidatin republikan, Donald Trump.

Kandidati për president, Robert Kennedy, Jr. mori pjesë në konferencën për kriptovalutën në Teksas, ku mbështetësi i tij dhe shefi i kompanisë “American Crypto Academy”, Jahon Jamali prezantoi monedhën e re dixhitale $BOBBY.

“Ajo që kemi parë gjatë viteve të fundit janë ato që quhen ‘monedha meme’ që përkthehen nga kripto në një lloj lëvizjeje, kryesisht tani që në Shtetet e Bashkuara është një vit zgjedhor”.

Nëse Senati nuk e shqyrton këtë vit zgjedhor legjislacionin e Dhomës së Përfaqësuesve për monedhën dixhitale, atëherë mund të jetë në dorën e presidentit të ardhshëm që të punojë për të ardhmen e monedhave dixhitale në Shtetet e Bashkuara.