Putini po e rrëzon perandorinë e biznesit të Prigozhinit pas kryengritjes së dështuar

Përderisa mercenarët e “Vagner” kanë qenë duke marshuar drejt Moskës, Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë ka bastisur selinë e Evgjeni Prigozhinit në Shën Petersburg. Burra të maskuar sekuestruan para, dokumente dhe kompjuterë në ndërmarrjen mediatike “Patriot”, që ishte në zemër të perandorisë informative të Prigozhinit, i cili me vite e promovonte në shtëpi, bënte […]

Putini po e rrëzon perandorinë e biznesit të Prigozhinit pas kryengritjes së dështuar
Yevgeny Prigozhin kreu i mercenarëve të Grupit Wagner. Foto: Anadolu Agency

Përderisa mercenarët e “Vagner” kanë qenë duke marshuar drejt Moskës, Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë ka bastisur selinë e Evgjeni Prigozhinit në Shën Petersburg. Burra të maskuar sekuestruan para, dokumente dhe kompjuterë në ndërmarrjen mediatike “Patriot”, që ishte në zemër të perandorisë informative të Prigozhinit, i cili me vite e promovonte në shtëpi, bënte kërdi dhe përzihej në zgjedhjet e shteteve, shkruan Reuters, transmeton Portalb.mk.

Ky ishte vetëm fillimi i përpjekjeve të Kremlinit për ta rrëzuar perandorinë e biznesit të Prigozhinit pas kryengritjes së tij, i cili ishte kërcënimi më i madh për Putinin që prej ardhjes së tij në pushtet.

Prigozhini ka më shumë se tre dekada që ka ndërtuar një prej strukturave korporative më të fshehta dhe më të ndërlikuara në botë, e cila përfshin ushtri mercenare, media, logjistikë, miniera, film dhe shërbime ushqimore, përmes të cilave mori nofkën “gatuesi i Putinit”. Putini ka deklaruar se do të bëhen hulumtime për financat e Prigozhinit, prej kur “Vagner” dhe ndërmarrja e shërbimeve ushqimore “Konkord” morën pothuajse 2 miliard dollarë për marrëveshje ushtarake nga maji i vitit 2022 deri në maj të vitit 2023.

Kremlini ka përvojë të gjatë me mbylljen e mediumeve të papërshtatshme, e kështu menjëherë sulmoi kanalet komunikuese të Prigozhinit. Të premten u bllokuan shumica e mediumeve që ishin të lidhura me të, a menjëherë pas kësaj udhëheqësi i “Patriot”-it njoftoi se për momentin i kanë ndaluar të gjitha aktivitetet e mediumeve.

“Me 30 qershor të gjithë ishim të pushuar nga puna, kurse redaktori kryesor u shkroi të gjithëve se ‘Ria Fan’ po mbyllet”, tha Andrej Karpov, producent i kësaj gazete.

Ka shenja se autoritetet kanë filluar ta pushtojnë edhe internet kanalin më famëkeq të Prigozhinit, Agjencinë për Hulumtim në Internet (IRA), një ‘troll factory’ e ndërlidhur me ndërmarrjen Patriot, që njihet më së shumti për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të SHBA në vitin 2016. Një pjesë e trollerëve të IRA tani janë kthyer kundër krijuesit të tyre.

“Mijëra profile në rrjetin social rus VK janë vërshuar me komente negative për tradhtarin Prigozhin edhe pse më parë me muaj e lavdëronin. Kjo tregon qartë se qeveria ka marrë kontrollin mbi ta”, tha grupi i mbikëqyrjes “Kurthi për Prigozhin”, i cili mbikëqyr trollët e internetit të lidhur me të (Prigozhinin).

Deri në fundjavë, shumica e kujtesave të Prigozhinit në qytetin e tij të lindjes në Shën Petersburg ishin hequr, duke përfshirë logon gjigante “Vagner” nga selia e grupit.

Sot, presidenti bjellorus, Aleksaander Lukashenko, i cili ndërmjetësoi marrëveshjen që i dha fund rebelimit të mercenarëve Vagner, tha se Prigozhin nuk është më në Bjellorusi. Lukashenko konfirmoi më 27 qershor se kreu i “Vagner” kishte mbërritur në Bjellorusi, si pjesë e marrëveshjes për të qetësuar krizën e ndodhur tre ditë më parë.

Ai tha se Prigozhin është larguar për në Moskë.