RMV, nisi seanca e Kuvendit për shkarkimin e ministrave Mexhiti dhe Aliu

Sot do të ketë ndryshime në Qeverinë teknike. Kryeministri, Talat Xhaferi, dje i dorëzoi letër kryetarit të Kuvendit, Jovan Mitreski, me të cilën i propozoi Kuvendit në seancën e parë të radhës, të shkarkojë Fatmir Mexhitin nga pozita e ministrit të Shëndetësisë dhe Azir Aliun nga pozita e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Seanca […]

RMV, nisi seanca e Kuvendit për shkarkimin e ministrave Mexhiti dhe Aliu

Sot do të ketë ndryshime në Qeverinë teknike. Kryeministri, Talat Xhaferi, dje i dorëzoi letër kryetarit të Kuvendit, Jovan Mitreski, me të cilën i propozoi Kuvendit në seancën e parë të radhës, të shkarkojë Fatmir Mexhitin nga pozita e ministrit të Shëndetësisë dhe Azir Aliun nga pozita e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Seanca tashmë ka filluar dhe në çdo moment pritet shkarkimi i ministrave, transmeton Portalb.mk.

Nga Qeveria informuan dje se Xhaferi i ka dorëzuar edhe kryetarit të Kuvendit, Mitreskit, që Kuvendi të zgjedhë: Ilir Demirin, ministër që do ta drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Naim Bajramin, si ministër i cili do të drejtojë Ministrinë e Shoqërisë Informative dhe Administratës.

Ministri i Shëndetësisë Mexhiti ka mbajtur dje një brifing me gazetarë, e cila i ngjante një fjalimi lamtumirës nga pozita e ministrit.

Ai theksoi se në 11 muaj ka treguar se si ministër duhet të punojë për atë që beson dhe dëshiron ta zbatojë në interes të qytetarëve dhe pacientëve. Mexhiti tha se në periudhën e kaluar janë bërë përmirësime të dukshme në shëndetësi, duke numëruar disa nga të arriturat e tij.

“Pas 13 vitesh po rishikojmë listën pozitive të barnave. Së shpejti, më shumë se 10 barna do të jenë në këtë listë, duke kursyer paratë e pacientëve. Për herë të parë u ble medikamenti Trikafta, i cili përfaqëson një nga historitë më pozitive në historinë e shëndetësisë sonë. Kemi prezantuar 6 barna të reja për pacientët me sëmundje të rralla dhe kemi rritur buxhetin për këtë qëllim në 878 milionë denarë ose rreth 15 milionë euro. Tani ofrojmë barna për ata që nuk kanë pasur gjatë viteve të kaluara. Ne kemi siguruar 650 sensorë për matjen pa dhimbje të sheqerit në gjak. Fëmijët me diabet nuk do të kenë më nevojë të shpohen, jeta e tyre do të jetë më e bukur dhe më e lehtë”, tha Mexhiti.

Ai tha se janë bërë investime në stafin mjekësor duke rritur dy herë pagat e punëtorëve shëndetësorë.

Ndryshimi i ministrave nga Aleanca për Shqiptarët ndodh pasi kreu i partisë Arben Taravari dhe kryetari i Kuvendit Qendror Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare.

Mexhiti dhe Aliu ishin në krah të Taravarit, ndërsa ministri i tretë i ASh-së në qeveri, ai i Drejtësisë Krenar Lloga, në krah të Selës. Asnjë shkarkim nuk u propozua për të. Dhe, pasi krahu i Ziadin Selës është për të qenë pjesë e Qeverisë, shkarkimi nuk ka dilemë se do të ndodhë, ashtu siç u shkarkuan drejtorët që mbështesnin kryetarin e ASh-së Arben Travarin.