Serbia përfundoi punimet për ndërlidhjen në një tubacion gazi në Bullgari

Të dielën Serbia u dha fund punimeve për ndërlidhjen në një tubacion gazi në Bullgari, çka do t’i mundësojë uljen e varësisë nga Rusia, raporton Zëri i Amerikës. Kjo nyje lidhëse do të vërë në funksion tubacionin nga qyteti Novi Iskar në Bullgari drejt qytetit serb të Nishit, duke i dhënë mundësi Serbisë që të […]

Serbia përfundoi punimet për ndërlidhjen në një tubacion gazi në Bullgari
Aleksandar Vuçiq. Foto: Suad Bajrami / Portalb

Të dielën Serbia u dha fund punimeve për ndërlidhjen në një tubacion gazi në Bullgari, çka do t’i mundësojë uljen e varësisë nga Rusia, raporton Zëri i Amerikës.

Kjo nyje lidhëse do të vërë në funksion tubacionin nga qyteti Novi Iskar në Bullgari drejt qytetit serb të Nishit, duke i dhënë mundësi Serbisë që të ketë qasje tek gazi që vjen nga Azerbajxhani dhe terminali i gazit të lëngshëm në portin Aleksandropolis të Greqisë.

Komisioni Evropian dhuroi 49.6 milionë euro për ndërtimin e tubacionit ndërlidhës. 25 milionë euro u siguruan përmes një kredie nga Banka Evropiane e Investimeve ndërsa 22.5 milionë u siguruan nga Serbia.

“Me këtë tubacion po sigurojmë furnizime alternative me gaz, përveç gazit rus”, tha ministrja serbe e energjisë, Dubravka Djedovic Handanovic.

Në ceremoninë e organizuar në Nish morën pjesë edhe Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe Presidenti i Rumanisë Rumen Radev.

“Sot po ndryshojmë hartën energjetike të Evropës”, tha zoti Radev. “Tubacioni është i rëndësishëm për të gjithë rajonin. Lufta në Ukrainë na bëri të mendojmë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe mbështetje”.

Presidenti serb, ka paralajmëruar edhe ndërtimin e interkonjeksionit të gazit edhe drejt Maqedonisë së Veriut.

“Do të ndërtojmë edhe në të ardhmen Infrastrukturë gazi dhe energjetike. Ka hyrë edhe në planin e Komisionerit Varhelji. Do të ndërtojmë interkonjeksion gazi edhe drejt Maqedonisë. Shpresoj që në Bosnjë e Hercegovinë të dakordohen që edhe atje të ndërtojmë” – tha Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Më 15 nëntor, Serbia nënshkroi një marrëveshje me Azerbajxhanin për të blerë 400 milionë metra kub gaz natyror në vit duke filluar nga viti 2024.