Të djathtët radikalë që thirren në devotshmëri ndaj zotit, janë të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë: I bashkon partia “E DJATHTA”

Tre gishta të bashkuar për treshen e shenjtë si shenjë njohëse. Maskë dhe maçetë para hartës së “Maqedonisë së Madhe”. Grumbullim i nënshkrimeve dhe donacioneve për “Mbrojtjen e emrit të KOM-it”. Vrasje mizore e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi, të cilës i ka paraprirë edhe një likuidim tjetër i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi, shkruan […]

Të djathtët radikalë që thirren në devotshmëri ndaj zotit, janë të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë: I bashkon partia “E DJATHTA”
Lupço Palevski - Pallço dhe të akuzuarit tjerë për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevshka dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Ilustrimi: Meta.mk / fotot e përdorura: MPB, Facebook

Tre gishta të bashkuar për treshen e shenjtë si shenjë njohëse. Maskë dhe maçetë para hartës së “Maqedonisë së Madhe”. Grumbullim i nënshkrimeve dhe donacioneve për “Mbrojtjen e emrit të KOM-it”. Vrasje mizore e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi, të cilës i ka paraprirë edhe një likuidim tjetër i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi, shkruan Meta.mk.

Ajo çka është e papërputhshme në pamje të parë dhe që do të kishte qenë një histori inspiruese për një thriller me një komplot dramatik të realizuar në pëlhurën filmike është në fakt një realitet i zi që këtyre ditëve po e jeton shoqëria maqedonase.

“Që të kthehen të rinjtë në Maqedoni duhet tu japim shpresë së me të vërtetë ka nevojë edhe të kthehen në shtëpi. Mirëpo, këtu ka një problem të madh. Ne “vampirët” jemi problemi më i madh, e jo të rinjtë”.

Me këto fjalë të vendosura në një mesazh në Youtube u drejtohet të rinjve 58 vjeçari Lupço Palevski në një video të publikuar më 12 nëntor të këtij viti në Youtube kanalin me titull “Politika e Tretë”. Bëhet fjalë për një kanal të partisë politike “E djathta” themelues i së cilës është pikërisht Palevski, i njohur publikisht si “Pallço”.

Vetëm dy javë më pas Palevski bëhet i dyshuari kryesor për vrasje të dyfishtë – të qytetarit të Velesit Zhezhovski dhe vajzës së re Vanja nga Shkupi. Organet hetuese dje e lokalizuan Palevskin – ai është arrestuar në Turqi dhe do të pritet ekstradimi i tij në vend. Tre ditë pas vrasjes së Vanjës, e një javë pas vrasjes së Zhezhovskit, sipas MPB-së, ai është larguar për në Serbi, e pastaj nëpërmjet Bullgarisë – në Turqi, ku edhe është arrestuar.

Përveç Palevskit si i dyshuari kryesor, për vrasjet janë arrestuar edhe katër persona të tjerë – gjykatësi i procedurës paraprake në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u shqiptoi paraburgim 30 ditor Vllatko Keshishevit, Velibor Manevit dhe Bore Videvskit, si dhe babait të vogëlushes Vanja, Aleksandar Gjorçevski.

Ajo që i bashkon një pjesë të të arrestuarve me të arrestuarin në arrati Palevski, përveç dyshimeve për vrasjen e dyfishtë, është edhe partia politike “E djathta”, anëtarë të së cilës janë ato. Bëhet fjalë për një parti radikale të djathtë sllogani i së cilës, sipas publikimeve në Facebook, është “Nacionalizëm i pastër bashkëkohor maqedonas”.

Policia njoftoi se tashmë kanë kryer bastisje në parti me çka janë konfiskuar “materiale të caktuara”, e të gjithë personat që janë hasur në selinë e partisë në rrugën “Dimo Haxhi Dimov” në Kisella Vodë kanë qenë anëtarë të asaj partie. Nga MPB nuk dëshironin që të japin detaje se çfarë provash janë siguruar nga selia e partisë, në interes të hetimit.

Prej asaj që dihet automjeti “Renault Kangoo” që ka shkuar para “Citroen”-it famëkeq që i përkiste Pançe Zhezhovskit e me të cilin është kidnapuar 14 vjeçarja Vanja, ndërlidhet me partinë politike në fjalë, për të cilën sipas njoftimeve në media dhe nga organet hetuese, bëhet e qartë se është “E djathta”. Sipas hetimit pronarët e “Renault”-it që janë marrë në pyetje e që pastaj janë lënë të lirë, ia kanë dhënë me qira automjetin një partie politike, që supozohet se është pikërisht kjo parti.

Më pas, edhe shkupjani që e transporton Palevskin nga Serbia deri në Bullgari, e që tani është nën arrest edhe i është shqiptuar paraburgim prej 48 orësh, gjithashtu është i lidhur me partinë politike, për çka dëshmon përmbajtja e publikimeve dhe fotografive në Facebook që i shikoi Meta.mk.

“E djathta” në Gjykatën Themelore Civile është e regjistruar në dhjetor të vitit 2022, ndërsa e njëjta zyrtarisht është regjistruar në Regjistrin Qendror më 5 janar të këtij viti.

Midis themeluesve, përkrah Palevskit, është shënuar edhe një emër, Ljupço Jovanovski. Në Aktvendimin e Gjykatës Themelore Civile të datës 12 dhjetor të vitit 2022 qëndron se personi që do ta përfaqësojë partinë dhe kryetari i saj do të jetë Palevski, ndërsa Jovanovski është përgjegjës për punën materiale-financiare të partisë.

Nga ajo që mund të shihet në rrjetet sociale të “Të djathtës” radikale, ueb faqja e të cilës për momentin është “në ndërtim e sipër”, fitohet përshtypje se anëtarët e saj kanë qenë më shumë të përqëndruar që ndikimin dhe ideologjinë ekstreme të djathtë t’i shpërndajnë online, për çka shpeshherë përdoren fjalë të ashpra që të sulmohen kundërshtatrët politikë.

Kështu në përmbajtjet e “Të djathtës” në Youtube, që i prodhon nëpërmjet kanalit me titull “Politika e Tretë”, mund që gjenden disa monologje të kryetarit Palevski të publikuara nën emrin “KRSHmuabeti” dhe “FakÇEKERI” si dhe emisione “debative” në të cilët më së shpeshti folës janë anëtarë të tjerë të kësaj partie.

Partia është dukshëm Proruse, për çka edhe vetë Palevski në një nga videot luftën në Ukrainë e përshkruan me terminologjinë e Moskës – si “aksion special për denacifikim”.

Ajo që edhe më shumë e shokoi publikun, përkrah të gjitha rrethanave të tjera tmerruese, është që Palevski kyçet live në Youtube dhe Facebook dhe flet për tema politike dhe grumbullim të votave për partinë edhe në ditët pas vrasjes së Vanjës për të cilën është i dyshuari kryesor.

Ai duhet të shfaqet në “KRSHmuabeti” si folës i vetëm më 26 nëntor (të dielën), natën para rrëmbimit dhe vrasjes së Vanjës, mirëpo rreth orës 20 publikon një njoftim në të cilin thuhet se emisioni shtyhet për “shkaqe teknike”.

Dy ditë më pas – një ditë pas rrëmbimit dhe vrasjes së Vanjës së vogël, Palevski kyçet live në orën 10 të mëngjesit  së bashku me një bashkëmoderator dhe flet për tema politike dhe për planet e ardhshme të partisë në të cilën ai është kryetar. Më pas, vijojnë një numër i madh publikimesh në lidhje me Këshillin e Ministrave të OSBE-së që u mbajt në Shkup, kur tashmë u bë publikisht bujë dhe përhapeshin apele për gjetjen e 14 vjeçares Vanja, e cila u shpall si e zhdukur.

Parë nga aspekti i sotshëm e frikshme është qetësia me të cilën i dyshuari kryesor për vrasje mizore të të miturës udhëheq një bisedë politike vetëm një ditë pas ekzekutimit.

Nga ikonat, kryqet dhe “treshen e shenjtë” deri te Kallëzimet penale për ndihmë në vrasje

Shenja njohëse e grupit e përdorur në mbylljen e pothuajse çdo emisioni janë tre gishtat e bashkuar, për çka Palevski më 28 nëntor në mënyrë të revoltuar do të sqarojë se paraqesin “treshen e shenjtë”, por edhe “tre Maqedonitë”.

“Ja kaq dini. Kjo treshe e shenjtë është edhe maqedonase, bre qorra”, thërret Palevski duke u përgjigjur komenteve që transmetohen në kuadër të emisionit. Fjalë të ashpra dhe shprehje agresioni mund të vihen re edhe në disa raste në këtë emision të publikuar më vonë ditën e njëjtë, por asnjërit nga ato qindra shikues që e ndjekin live as që i shkon mendja se në çfarë aktivitetesh ka qenë i përfshirë moderatori dhe lideri i “Të djathtës” vetëm disa orë më parë.

Tre gishta për “treshen e shenjtë” dhe “tre Maqedonitë”/ foto: Facebook
Tre gishta për “treshen e shenjtë” dhe “tre Maqedonitë”/ foto: Facebook

Fotografitë në profilet e Facebook-ut të të dyshuarve të tjerë, gjithashtu bëjnë të ditur se bëhet fjalë për persona që me kohë mbështesin ideologji radikale. Harta e “Maqedonisë së Madhe” para së cilës qëndron një maçetë mund të vihet re në disa fotografi të publikuara nga i dyshuari Vllatko Keshishov, ndërsa në një fotografi maçetën e mban edhe në dorë, ndërsa në kokë mban maskë.

“Ruaje, mbase do të të duhet së shpejti”, thuhet në një nga komentet, autorin e të cilit Keshishevi më poshtë e përshëndet.

Profili i Facebookut i Keshishevit nuk është i qasshëm.

I dyshuari Vllatko Keshishev / foto: Facebook
I dyshuari Vllatko Keshishev / foto: Facebook

E përbashkët për të gjithë të dyshuarit është edhe prezenca e shpeshtë nëpër objekte dhe aktivitete kishtare, që gjithashtu është përjetësuar me fotografi nëpër rrjete sociale. Dhjetëra fotografi mund të gjenden edhe nga stenda për grumbullimin e nënshkrimeve për deklaratën me të cilën kërkohet “ruajtja e emrit të Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatës së Ohrit”. Inçizime nga këto stenda kanë të katër të dyshuarit, gjithashtu edhe fotografi me ikona dhe kryqe nëpër shtëpitë e tyre.

Aktivitete partiake të përbashkëta të të dyshuarve Palevski, Manev dhe Keshishev / Foto: Facebook
Aktivitete partiake të përbashkëta të të dyshuarve Palevski, Manev dhe Keshishev / Foto: Facebook

Të djathtët radikalë të bashkuar te “E djathta”, sipas publikimeve në profilin zyrtar në Facebook të partisë dhe të kryetarit të saj Palevski, si dhe sipas faqeve të të dyshuarve të tjerë, rregullisht u përulen teorive të konspiracionit, midis të cilave edhe atyre për pandeminë e Kovidit dhe atyre që u kundërvihen “globalistëve”.

Aktivitete të përbashkëta partiake-kishtare të të dyshuarve Manev dhe Videvski / foto: Facebook
Aktivitete të përbashkëta partiake-kishtare të të dyshuarve Manev dhe Videvski / foto: Facebook

Meta.mk dërgoi pyetje deri te kjo parti politike në lidhje me atë se si i komentojnë ngjarjet aktuale, duke pasur parasysh se tre nga të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë janë anëtarë të saj dhe se a do të vazhdojë partia me aktivitetet.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nga “E djathta” nuk u përgjigjën në pyetjet tona, por disa orë pasi i dërguam, dje, publikuan një njoftim në profilin e tyre në Facebook ku thonë se informatat me të cilat janë ballafaquar u kanë shkaktuar “tronditje dhe mosbesim”.

Nga ana e partisë lajmëruan ngrirje të anëtarësisë, funksioneve dhe aktiviteteve të të akuzuarve deri në fund të procesit.

“Partia Politike E Djathta, për anëtarët dhe kryetarin e saj, nëse dëshmohet se janë fajtorë, kërkon që të dënohen në mënyrën më të rreptë. Ndërkohë apelojmë që të respektohet prezumimi i pafajësisë i garantuar me kushtetutë i të dyshuarve dhe të akuzuarve, derisa nuk vërtetohet e kundërta. Para Prokurorisë dhe organeve të ndjekjes qëndron një detyrë e rëndë dhe delikate që në tërësi t’i zbulojnë të gjithë elementet e këtyre ngjarjeve. Prandaj, ne anëtarët e partisë, qëndrojmë në dispozicion të organeve të ndjekjes me qëllim zbardhjen e ngjarjes juridiko-penale dhe nxjerrjen para Gjykatës të kryerësve të këtyre rasteve të tmerrshme. PP E djathta, konform Statutit të saj, do të ngrijë anëtarësinë, funksionet dhe aktivitetet e të akuzuarve deri në fund të procesit. Edhe një herë shprehim keqardhje të sinqertë dhe ngushëllime deri te familjet e Vanjës dhe Pançes”, thuhet në njoftimin e “Të djathtës” të publikuar dy ditë pasi u zbuluan identitetet e të dyshuarve.

Ndërkohë, emisione dhe podkaste të “partisë së tretë” tashmë disa ditë nuk publikohen. Verifikimet tona mbi telefonin zyrtar celular në rrjetin “Viber” që mban emrin “Pallço” tregojnë se herën e fundit ai ka qenë aktiv më 2 dhjetor, gjegjësisht dy ditë pasi është arratisur dhe një ditë pasi u dha lajmi se është i dyshuar si organizator dhe kryerës i dy vrasjeve.

Përndryshe, partia, sipas të thënave në një nga emisionet e fundit, ka pasur shpresë së në zgjedhjet parlamentare të ardhshme do të hyjë në kuvendin e Maqedonisë me deputetët e saj.

Ministri Oliver Spasovski mbrëmë në orët e vona kur njoftoi se Palevski është arrestuar në Turqi, hodhi vështrim edhe mbi retorikën e kësaj partie, për të cilën theksoi se duhet të çregjistrohet.

“Kjo fole kriminale duhet të shkatërrohet deri në fund. Ajo parti duhet të çregjistrohet dhe të akuzohet për ndikim të huaj”, tha Spasovski.

Ndaj pyetjes së çfarë ndikimi të huaj, Spasovski u përgjigj me pyetje: “A nuk e dimë se çfarë qëndrimesh përfaqësonin personi dhe partia e tij? A nuk e dimë për emisionet e tij në të cilat në mënyrë direkte i kundërviheshin progresit të shtetit, NATOS, rrugës evropiane etj?!”.

Nga ana e MPB-së deklaruan se edhe përkrah asaj që me parashtrimin e kallëzimit penal puna e tyre ka përfunduar, ato qëndrojnë në dispozicion për çfarëdo bashkëpunimi me prokurorinë.

“Qëndrojmë në dispozicion 24 orë, sa do që të ketë nevojë, të pastrohen këto strofulla kriminale që ekzistojnë dhe që nëpërmjet politikëbërjes, marrëveshjeve, politikanizmit, ndikimeve nga jashtë, kanë dashur praktikisht të bëjnë destabilizim”, tha Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.