Xhaka i dëshpëruar: Mëkat që na ndodhi kjo në finale

Granit Xhaka e lëshoi një mundësi të artë për ta mbyllur sezonin në mënyrë perfekte. Ylli kosovar u mposht mbrëmë me Bayer Leverkusenin nga Atalanta në finale të Ligës së Evropës. Kjo është hera e dytë që përfaqësuesi zviceran e humb një finale të Ligës së Konferencës pas asaj të vitit 2019 kur ishte pjesë […]

Xhaka i dëshpëruar: Mëkat që na ndodhi kjo në finale

Granit Xhaka e lëshoi një mundësi të artë për ta mbyllur sezonin në mënyrë perfekte.

Ylli kosovar u mposht mbrëmë me Bayer Leverkusenin nga Atalanta në finale të Ligës së Evropës.

Kjo është hera e dytë që përfaqësuesi zviceran e humb një finale të Ligës së Konferencës pas asaj të vitit 2019 kur ishte pjesë e Arsenalit.

Leverkuseni po vinte nga 51 ndeshje pa humbje dhe synonte ta fitojë trofeun e dytë pas atij të titullit të kampionit në Gjermani, shkruan Gazeta Expres.

Por, trupa e Xabi Alonsos u tregua e pafuqishme përballë ekipit italian, ku i pandalshëm ishte Ademola Lookman, i cili i realizoi të tre golat në fitoren e pastër, 3:0.

E ish-futbollisti i Baselit, Borussia Monchengladbachut dhe Arsenalit u ndie i mërzitur dhe i thyer me humbjen e mbrëmshme nga Berat Gjimshiti me shokë.

Ai e pati një paraqitje të zbehtë dhe s’mundi të bënte asgjë për t’i ndalur italianët.

“Për fat të keq, e humbëm një finale të rëndësishme, e kishim thënë se do të ishte një ndeshje e vështirë. Është mëkat i madh që gjërat nuk funksionuan te ne pikërisht në këtë finale. Deri në këtë ndeshje kishim lënë përshtypje shumë të mira. Fakti që nuk ishim në gjendje të bënim atë që zakonisht e bëjmë aq mirë, është pjesë e lojës së futbollit, duhet ta pranojmë realitetin”, deklaroi fillimisht futbollisti kosovar.

“Kam pak fjalë për të thënë, Atalanta e meritoi të fitonte sepse luajti shumë mirë. Duhet të shohim përpara, sepse e kemi një tjetër finale për ta luajtur në Kupën e Gjermanisë. Asgjë nuk funksionoi për ne në ndeshje me Atalantan. Është mëkat që na ndodhi pikërisht në finalen e Ligës së Evropës, por duhet të shohim përpara”, përfundoi Xhaka.

Sidoqoftë, sezoni i “Farmaceutikëve” deri këtu ishte i jashtëzakonshëm.