Pas paralajmërimit për protesta, Hoti takon përfaqësuesit e Sindikatës së Policisë së Kosovës

Paralajmërimi për protesta, Hoti takon përfaqësuesit e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Përfaqësuesit e Sindikatës së Policisë së Kosovës janë takuar sot me kryeministrin Avdullah Hoti, ministrin e MPB’së Agim Veliu dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalajn

Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar se në këtë takim është folur për kërkesat dhe pakënaqësitë e policëve.

“Me datë 16.09.2020, Këshilli Drejtues i Sindikatës së PK-së, ka mbajtur takimin e paralajmëruar për ta vlerësuar përmbushjen e kërkesave të cilat janë të drejtuar kohë më parë Qeveris të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Marrë parasysh takimin e realizuar sot me Kryeministrin Z.Avdullah Hoti, Ministrin e MPB Z. Agim Veliu dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Z. Rashit Qalaj, morëm zotim për realizimin e kërkesave të lajmëruara ditë më parë nga Sindikata e Policisë së Kosovës”, thekson njoftimi.

Po ashtu është bërë e ditur se është marrë vendimi që gjatë muajit të mbahet edhe një takim tjetër, për të diskutuar realizimin e zotimeve nga ana e Qeverisë.

“Bazuar në këtë Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës merr vendim që brenda këtij muaji t’i mbajë takimet e radhës, ku do të diskutohet për realizimin e zotimeve të premtuara nga ana e Qeverisë të Republikës së Kosovës se deri ku janë arritur”, thuhet në njoftim.

Pas vlerësimit të situatës në realizimin e kërkesave të policisë, do të shikohet nëse do të mbahet protesta e paralajmëruar.

“Shikuar vullnetin dhe premtimin në përmbushje të kërkesave tona nga ana e Qeverisë të Republikës së Kosovës, dhe gjithashtu vlerësuar situatën aktuale pandemike që gjendemi, Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ruan të Drejtën për Protestën, pas vlerësimit të situatës në realizimin e kërkesave tona me kohën”, thuhet në njoftim.