Ajri në Strugë është katër herë më i ndotur se sa norma e lejuar, qytetarët të shqetësuar

Se struganët thithin ajër të ndotur këtë tashmë tre javë e dëshmojnë dhe të dhënat e regjistruara në stacionin matës të ajrit, i pari dhe dhe i vetmi në këtë qytet. Të dhënat flasin se ajri në Strugë është katër herë më i ndotur se sa norma e lejuar. Aktivistët janë të shqetësuar nga ky […]

Ajri në Strugë është katër herë më i ndotur se sa norma e lejuar, qytetarët të shqetësuar
Struga- Viti i Ri 2024 / Fotografuar më 01.01.2024 nga Sh. A /Portalb.mk

Se struganët thithin ajër të ndotur këtë tashmë tre javë e dëshmojnë dhe të dhënat e regjistruara në stacionin matës të ajrit, i pari dhe dhe i vetmi në këtë qytet. Të dhënat flasin se ajri në Strugë është katër herë më i ndotur se sa norma e lejuar. Aktivistët janë të shqetësuar nga ky realitet dhe kërkojnë të merren masa sa më shpejtë. Ndër shumë faktorë tjerë, deponia ilegale e qytetit vlerësohet të jetë një ndër faktorët kryesor të ajrit të ndotur në Strugë, shkruan Portalb.mk

 

Anketë me qytetarët e Strugës në kuadër të projektit "Ajri i qytetarëve". Burimi: https://www.facebook.com/photo?fbid=122115947744136943&set=pb.61554108296932.-2207520000
Anketë me qytetarët e Strugës në kuadër të projektit “Ajri i qytetarëve”.

Aktivistët paralajmërojnë qytetarët e Strugës se ajri që thithin nuk është i pastër dhe këtë tashmë me shifra konkrete e vërteton dhe stacioni për matjen e ajrit në Strugë. Megjithatë, sipas të dhënave të një ankete online të realizuar në kuadër të projektit “Ajër i Pastër”, 52.3%  e struganëve kanë perceptimin se po thithin ajër që është jashtë vlerave të përcaktuara. Për aktivistin Nikolla Kukunesh, përqendrimi i lartë i grimcave të dëmshme në ajër është alarmant e shqetësues dhe pasojat mundet të jenë fatale për shëndetin e qytetarëve.

 

“Në tre javët e fundit, vlerat e grimcave ndotëse MR 2.5 janë katër herë mbi vlerën e lejuar, d.m.th. arrijnë një vlerë mbi 250 µg/m3. Të dhënat janë tronditëse, sepse për herë të parë përballemi me tablonë reale të shprehur në shifra specifike. Supozimet se në ditë të caktuara ajri që thithim nuk është i pastër, për shkak të tymit dhe erës së pakëndshme, dolën të sakta. Përqendrimi i lartë është shqetësues, i cili në një vlerë të lartë konstante shkakton probleme të rënda shëndetësore me pasoja fatale“, deklaroi Nikolla Kukunesh.

Anketë me qytetarët e Strugës në kuadër të projektit "Ajri i qytetarëve". Burimi: https://www.facebook.com/photo?fbid=122115947744136943&set=pb.61554108296932.-2207520000
Anketë me qytetarët e Strugës në kuadër të projektit “Ajri i qytetarëve”.

Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve struganë janë të vetëdijshëm se kush janë ndotësit kryesor të ajrit në hapësirën ky ata jetojnë megjithatë ju mbetet autoriteteve relevante të punojnë dhe ti identifikojnë saktë ndotësit e ajrit në Strugë.

Sipas opinionit të qytetarëve, shkaktarët e ndotjes qëndrojnë në deponinë e qytetit, deponitë e egra, guroret, ngrohjen (dru, qymyr, mazut, dru të përpunuar dhe gomë) dhe trafiku. Është vetëm një perceptim që e kanë qytetarët, por është përgjegjësi e shërbimit të inspektimit mjedisor pranë komunës së Strugës që të zbulojë burimet e ndotjes”, u shpreh Nikolla Kukunesh.

Gligor Qatoski është avokat dhe aktivist i njohur në Strugë mbi çështjen e deponisë ilegale në këtë qytetet. I pyetur nga Portalb.mk nëse deponia mundet të vlerësohet si faktori kryesor i ndotjes në Strugë, Qatoski thotë se nuk ka asnjë dyshim se është ashtu. Ai madje shton se ka informacione se në fund të dhjetorit deponia ka qenë e ndezur në dy vende.

“Natyrisht, deponia ndër të tjera është një nga shkaktarët kryesorë të ajrit të ndotur në Strugë. Kam informacion të besueshëm se më 28 dhjetor 2023, kur kishim nivele jashtëzakonisht të larta ndotjeje në dy vende, i është vënë flaka deponisë. Me kalimin e kohës, problemi i deponisë do të rritet. Çdo vit në deponi deponohen më shumë se 40.000 ton mbeturina (këto janë të dhëna zyrtare të komunës së Strugës të më shumë se 10 viteve më parë), tani sasia vjetore është sigurisht më e lartë. Praktikisht kjo do të thotë se deponia e Strugës do të rritet mesatarisht dy kate në vit nëse nuk e zgjidhim problemin. Deponia e Strugës ka potencialin të jetë ndotësi më i madh në Strugë në 10 vitet e ardhshme”, deklaroi Gligor Qatoski.

Vlerat e ajrit të ndotur më 29.12.2023
Vlerat e ajrit të ndotur më 29.12.2023/ Burimi: Ajër i pastër.mk

Grimcat ndotëse të padukshme janë të rrezikshme për shëndetin e njerëzve, mijëra qytetarë sëmuren nga bronkiti kronik, astma dhe sëmundje të tjera të frymëmarrjes. Megjithatë, nëse nuk merren hapa serioze në përmirësimin e gjendjes qytetarët do duhet të jetojnë bashkë me rrezikun dhe pasojat në shëndetin e tyre.

“Nuk mund të flasim për ulje të vlerave të larta të grimcave pezull pa veprime të gjera dhe serioze, si nga autoritetet qendrore ashtu edhe ato lokale. Një mënyrë për të subvencionuar mënyrat e qëndrueshme të ngrohjes duhet të gjendet sa më shpejt që të jetë e mundur, zhvendosja e deponisë të qytetit dhe mbyllja ose reduktimi serioz i guroreve”, shtoi Nikolla Kukunesh.

Ndotja e ajrit, gjatë kësaj periudhe është problem për thuajse të gjitha qytetet e RMV-së. Shkupi për disa ditë me radhë ndodhet në listën e dhjetë qyteteve më të ndotura në botë. Nga ana tjetër, ashtu siç shkruajti Portalb.mk edhe Tetova ka ajër aq të ndotur i cili është i rrezikshëm për të gjithë njerëzit, jo vetëm për grupet e ndjeshme.