Çështja e Martin Berishajt përsëri në Kuvend, opozita: Kurti të na informojë se çfarë ka ndodhur me të gjeturat e Komisionit

Çështja e ambasadorit kosovar në Kroaci, Martin Berishaj do të kthehet edhe njëherë në Kuvendin e Kosovës. Kësaj here, do të kërkohet përgjegjësi ndaj kryeministrit Albin Kurti në raport me ambasadorin Berisha, shkruan Front Online. Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfolur në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar një shumë të […]

Çështja e Martin Berishajt përsëri në Kuvend, opozita: Kurti të na informojë se çfarë ka ndodhur me të gjeturat e Komisionit
ceshtja-e-martin-berishajt-perseri-ne-kuvend,-opozita:-kurti-te-na-informoje-se-cfare-ka-ndodhur-me-te-gjeturat-e-komisionit

ceshtja-e-martin-berishajt-perseri-ne-kuvend,-opozita:-kurti-te-na-informoje-se-cfare-ka-ndodhur-me-te-gjeturat-e-komisionit

Çështja e ambasadorit kosovar në Kroaci, Martin Berishaj do të kthehet edhe njëherë në Kuvendin e Kosovës.

Kësaj here, do të kërkohet përgjegjësi ndaj kryeministrit Albin Kurti në raport me ambasadorin Berisha, shkruan Front Online.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfolur në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi.

Berishaj sipas mediumit slloven, thuhej se nga kompania GEN i kishte transferuar rreth 600 mijë euro në xhirollogaritë e politikanit slloven Robert Golob, tash kryeministër, ku më pas autoritetet në Mal të Zi ia patën bllokuar xhirollogaritë bankare të kompanisë “MB Consulting”.

Kjo, kërkesë e opozitës ishte pikë e rendit të ditës në sesionin pranveror, por për shkak të mosrealizimit të planit legjislativ është bartur si pikë e rendit të ditës në sesionin vjeshtor, pikërisht në seancat e kësaj jave.

 

Shala: Kërkojmë nga Kurti të na informojë detajisht për aferën korruptive të Martin Berishajt

Lidhur, me rikthimin e kësaj pike në rend të ditës, ka folur deputeti i PDK-së, njëherit ish-zv.kryesues i Komisionit Hetimor për Energji Ferat Shala.

Ai, ka thënë se siç dihet tashmë komisioni ka përfunduar punën dhe të gjeturat janë në instanca zyrtare shtetërore.

Por, shton se prej asaj kohe nuk dihet se çfarë ka ndodhur me procesin dhe se për këtë do t’i kërkojnë përgjegjësi kryeministrit Kurti.

“Ne do të kërkojmë një përgjigje prej kryeministrit dhe kërkohet nga deputetët që e kane fut si pikë të rendit të ditës që të kemi informacion për të gjithë procesin dhe relacionin e një zyrtari të lartë shtetëror, në këtë rast të një diplomati në lidhje me të gjitha dyshimet të bazuara apo të pabazuara, për faktet si me thënë gjithë aferën e Martin Berishës. Në këtë relacion ne ende nuk kemi marrë asnjë informacion zyrtar nga kryeministri qoftë për punën e tij, qoftë për mos punën e tij, qoftë për aferat korruptive, qoftë për veprimet tjera dhe ne po presim që do të duhej të kishim një informacion të detajuar nga kryeministri”, ka deklaruar Shala për Front Online.

Sipas tij, mazhoranca i ka ikur kësaj teme dhe ky është shkaku që kjo pikë është bartë në sesionin vjeshtor.

Duke shtuar se Qeveria e ka për detyrë t’i informojë parlamentarët dhe qeveritarët për kërkesat që i bëhen.

“Kjo është kërkesë e para disa muajve, por për shkak se mazhoranca i ka ik kësaj teme si me thënë korruptive dhe ka ardhë në këtë sesion si rezultat i vonesave dhe mosrealizimit të planit legjislativ. Është proces legal dhe kërkesat dhe sqarimet para qytetarëve dhe parlamentarëve Qeveria i ka obligim, se në çfarë shkalle do të kërkohet varet pastaj prej subjekteve dhe deputetëve individualisht, por unë besoj që është temë e hapur, e pambyllur dhe Qeveria normalisht ka insistuar duke krijuar situata tjera dhe t’i harroj aferat korruptive”, ka shtuar deputeti Shala.

 

Abrashi: Përpjekja e opozitës për të diskutuar përsëri për Martin Berishajn kauzë kundër Qeverisë

Kurse, nga pozita thonë se kjo përpjekje e opozitës është vetëm sa për të krijuar kauza kundër Qeverisë.

Deputeti i Vetëvendosjes, njëherit ish-anëtar i Komisionit Hetimor për Energji, Artan Abrashi, ka thënë për Front Online se raporti që ka dalë nga komisioni nuk ka asgjë.

Sipas tij, nëse do të dilte që diçka është e vërtetë ambasadori Berishaj, do të ishte në pranga.

“Është një përpjekje e dështuar për të krijuar një kauz kundër Qeverisë. Sikur të kishte këtu diçka ashtu siç kanë pretendua se Martin Berishaj do të ishte në pranga, mirëpo absolutisht nuk ka asnjë gjë dhe punën që e kemi bërë në Komision Hetimor aty nuk kemi zbulua asgjë edhe vet opozita ka qenë pjesëmarrës dhe dëshmitar, por thjesht duhet me i kuptu, janë pa kauzë, janë të dëshpëruar, medoemos duhet me gjet një temë kundër Qeverisë”, ka thënë Abrashi, për Front Online.

Abrashit, i është kundërpërgjigjur deputetit Shala, duke thënë se Qeveria nuk i ik asnjë çështje që duhet të diskutohet në Kuvend.

Por, se shton se opozita vet është bllokuese e punës së Kuvendit.

“Qeveria nuk ka se çka i ik asnjë çështje në Kuvend të Kosovës. Ne kemi marrë pjesë në atë Komision Hetimor edhe pse e kemi ditë që nuk ka asgjë, në fund raporti e ka dëshmu këtë punë. Është pikë e rregullt e rendit të ditës, tash i ka ardhë radha. Por, kjo hipokrizi e opozitës tregon edhe njëherë se ata vet janë bllokues të punës së Kuvendit dhe tash kërkojnë tema në Kuvend, pra janë tërësisht qesharak, pro sido që të jetë ai raport do të vjen në Kuvend, do ta diskutojmë dhe në fund do të përmbyllet si temë”, ka shtuar ndër të tjera deputeti Abrashi.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ishte intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar në Prishtinë në nëntor të vitit të kaluar , ku i ka quajtur shpifje raportimet sllovene se ai ka qenë i përfshirë në shpëlarje parash./Front Online