Dosja e Stendave: Kompania “fiktive” pranoi pagesa mbi 1 milion euro pa procedura

Nga dosja e plotë e pjesëmarrjes së Kosovës në panaire ndërkombëtare 2018-2023, konfirmohen edhe me dokumente zyrtare gjetjet e hulumtimit të Buletinit Ekonomik rreth angazhimit të dyshimtë të “dy” kompanive kroate për ndërtim të stendave. Kompania “Kan-Construct Fair” ka pranuar pagesën e parë nga KIESA, vetëm katër muaj pasi ishte regjistruar si biznes në Kroaci. Kompania u […]

Dosja e Stendave: Kompania “fiktive” pranoi pagesa mbi 1 milion euro pa procedura
dosja-e-stendave:-kompania-“fiktive”-pranoi-pagesa-mbi-1-milion-euro-pa-procedura

dosja-e-stendave:-kompania-“fiktive”-pranoi-pagesa-mbi-1-milion-euro-pa-procedura

Nga dosja e plotë e pjesëmarrjes së Kosovës në panaire ndërkombëtare 2018-2023, konfirmohen edhe me dokumente zyrtare gjetjet e hulumtimit të Buletinit Ekonomik rreth angazhimit të dyshimtë të “dy” kompanive kroate për ndërtim të stendave.

Kompania “Kan-Construct Fair” ka pranuar pagesën e parë nga KIESA, vetëm katër muaj pasi ishte regjistruar si biznes në Kroaci.

Kompania u themelua nga Ana Kanižić, e cila është menaxhere e projekteve edhe në Mirt Interijer. Kjo e fundit është kompania kryesore prapa prezantimit të imazhit të Kosovës në panairet ndërkombëtare përgjatë periudhës 2018-2023.

Nga dosja e plotë e pjesëmarrjes së Kosovës në panaire ndërkombëtare 2018-2023, konfirmohen edhe me dokumente zyrtare gjetjet e hulumtimit të Buletinit Ekonomik rreth angazhimit të dyshimtë të “dy” kompanive kroate për ndërtim të stendave.

Në vitin 2018, kompania e vetme që ndërtoi stenda për Kosovën është kompania “Mirt Interijer”. Më 28 nëntor 2018, menaxherja në “Mirt Interijer”, Ana Kanižić, themeloi një kompani tjetër në Kroaci me emrin “Kan-Construct Fair”. Katër muaj pas regjistrimit si biznes, edhe kjo kompani u angazhua nga KIESA për “ndërtim” të stendave.

Data e regjistrimit si biznes e Kan-Construct Fair

Në periudhën 2018-2023, Kan-Construct Fair pranoi pagesa nga KIESA në vlerë pak mbi 1 milion euro, kurse Mirt Interijer rreth 2 milionë euro.

Në pjesën e parë të hulumtimit dëshmohet se Kan-Construct Fair u përdor si kompani fiktive, pasi stendat për Kosovën në të dyja rastet u ndërtuan nga Mirt Interijer, edhe atëherë kur nga KIESA angazhohej Kan-Construct Fair.

Kamuflimi i konkurrencës mes “dy” kompanive kroate tashmë dëshmohet edhe me dokumente zyrtare të siguruara nga Buletini Ekonomik.

Pagesa e parë nga KIESA për Kan-Construct Fair

Si u zbulua skema e mashtrimit?

Buletini Ekonomik, përmes qasjes së plotë në dosjen e stendave, ka siguruar të gjitha faturat që kanë lëshuar “kompanitë” kroate për KIESA-n si dhe komunikimet me emaila me zyrtarët e KIESA-s gjatë periudhës 2018-2023.

Sipas komunikimeve me emaila, në emër të kompanisë Kan-Construct Fair, në secilin rast, si pikë e kontaktit figuron emri i Ana Kanižić, ndërsa në emër të kompanisë Mirt Interijer, personi kontaktues është Tomislav Mirt.

Emaili nga Kan-Construct Fair

Emrat e të dyve figurojnë si drejtues të këtyre dy kompanive edhe tek autoritetet kroate për regjistrim të bizneseve.

Mirëpo, këto “dy” kompani nuk i lidhë vetëm Ana Kanižić, e cila përveç si pronare në Kan-Cunstruct Fair, është edhe menaxhere në Mirt Interijer. Të dyja po ashtu, kanë lënë edhe adresën e njëjtë tek autoritetet kroate me rastin e regjistrimit si biznese.

E njëjta adresë figuron edhe në faturat që këto dy kompani kanë lëshuar për KIESA-n, si dhe në emailat e shkëmbyer. Aty shihet se edhe numrat kontaktues të Tomislav Mirt dhe Ana Kanižić, janë krejtësisht të njëjtë me numrat kontaktues me rastin e regjistrimit si biznese në Kroaci.

Nga shtatori i vitit 2023, Buletini Ekonomik në vazhdimësi ka provuar të kontaktojë me Tomislav Mirt dhe Ana Kanižić, por përkundër insistimit, të njëjtit nuk u janë përgjigjur pyetjeve në emaila zyrtarë e as thirrjeve përmes telefonit.

Email nga Mirt Interijer

Angazhimi “pa prokurim” – “pa kontratë”

Angazhimi i kompanive kroate nga agjencia KIESA është bërë pa u ndjekur procedurat e prokurimit. Për më tepër, me kompanitë kroate – KIESA nuk ka të lidhur as ndonjë kontratë apo “marrëveshje bashkëpunimi”.

Krejt çka përmban dosja janë ofertat dhe faturat që “kompanitë” kroate kanë dërguar në emailat e zyrtarëve të KIESA-s. Meqenëse nuk janë ndjekur procedurat e prokurimit, KIESA në asnjë rast nuk ka zbatuar parimin e “tri ofertave” për secilin panair.

Nga emailat shihet se “kompanitë” kroate për secilin panair kanë dërguar vetëm ofertën dhe faturën, e cila me automatizëm është pranuar nga zyrtarët përgjegjës të KIESA-s.

Në një përgjigje të mëhershme nga KIESA, thuhet se angazhimi i kompanive kroate bazohet në Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2018 për Ndarjen e Mjeteve Financiare nga Kateogria Ekonomike e Subvencioneve dhe Transfereve. Mirëpo, udhëzimi në asnjë rast nuk flet mbi procedurat që duhet ndjekur për angazhimin e kompanive në rastet kur mjetet financiare ndahen nga këto dy kategori. Udhëzimi më shumë rregullon aplikimin për grante të cilat ndahen nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

“Pikat e kontaktit” në KIESA 

Sipas shkëmbimeve me emaila nga viti 2018 deri më 2023, shihet se drejtuesit e kompanive kroate kanë pasur komunikim në vazhdimësi me zyrtarët e njëjtë në KIESA.

Pika kryesore e kontaktit, sipas emailave, del të jetë Kreshnik Rugova, zyrtar i lartë për promovim të eksportit në KIESA. Rugova, nga viti në vit, shihet se ka qenë zyrtari kryesor që është marrë me organizimin e pjesëmarrjes së bizneseve kosovare në panaire ndërkombëtare.

Dy personat tjerë në KIESA që kanë shkëmbyer emaila me organizatorët e panairëve, janë Arber Muhaxheri, Drejtor i Drejtoratit për Promovimin e Sektorit Privat dhe Mirsad Simnica, Zëvendësues i Udhëheqësit të Sektorit për Promovim të Eksportit. Kontakti me këta dy të fundit ka qenë i pamundur për dy ditë rresht, si në numrat zyrtar në KIESA por edhe në numrat kontaktues privat.

Thirrjeve të Buletinit Ekonomik u është përgjigjur vetëm Kreshnik Rugova. Ai ka mohuar se është takuar ndonjëherë me përfaqësuesit e kompanive kroate. Kur është pyetur se si kanë rënë në kontakt me këto dy kompani, meqë nuk janë ndjekur procedurat e prokurimit për angazhimin e tyre, Rugova ka thënë shkurt se “nuk ka çka i shton asaj që është thënë përmes përgjigjeve zyrtare”.

“Vjen si propozim prej organizatorit kryesor të panairit”, ka shtuar Rugova, derisa ka kërkuar që pyetjet të drejtohen me shkrim në KIESA.

Përgjigje të njëjtë më herët kanë dhënë edhe nga KIESA përmes emailit zyrtar. Aty thuhet se KIESA në secilin rast ka kontaktuar me organizatorin e panairit për rezervim të hapësirës dhe nga vetë panairi janë “imponuar” edhe kompanitë për ndërtim të stendave.

Megjithatë, nga të gjithë njohësit e panaireve me të cilët ka biseduar Buletini Ekonomik, kjo nuk rezulton të jetë e vërtetë. Panairet ofrojnë për shtetet pjesëmarrëse vetëm hapësirën, ndërsa angazhimin e kompanisë për rregullimin e shtandeve duhet ta kryejnë vetë institucionet nga shtetet pjesëmarrëse.

Buletini Ekonomik ka arritur që pohimet e tilla t’i përgënjeshtrojë edhe nga organizatorë të panaireve me renome evropiane. Për të verifikuar pohimin e agjencisë shtetërore KIESA se “panairet vetë ua përcaktojnë shteteve listën e kompanive për ndërtim të shtandeve”, Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje në së paku dy panaire ndërkombëtare ku ka marrë pjesë Kosova gjatë kësaj periudhe. Të dyja këto panaire kanë mohuar “pretendimet” e KIESA-s.

“Në rast se vendosni të merrni hapësirë të parregulluar, për rregullimin e stendës mund ta kontraktoni një kompani që vendosni ju, ose me dëshirën tuaj, ne mund të projektojmë dhe ndërtojmë stendën tuaj”, është përgjigja nga panairi “Food Expo”, i cili mbahet në Athinë.

Në “Food Expo” – Kosova ishte prezantuar në mars të vitit 2022. Përgjigje të ngjashme kanë dhënë edhe nga panairi “Anuga Fair”, i cili mbahet në Gjermani. KIESA ishte prezantuar atje në tetor të vitit 2021.