E konfirmon KiE: Raportuesja Bakoyannis e prezanton opinionin për aplikimin e Kosovës më 27 mars

Pasi Qeveria lëshoi pe për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit tanimë në Këshill të Europës do të ketë një lëvizje në drejtim të aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Raportuesja greke, Dora Bakoyannis, më 27 mars do të paraqesë raportin e saj për Kosovën në […]

E konfirmon KiE: Raportuesja Bakoyannis e prezanton opinionin për aplikimin e Kosovës më 27 mars
e-konfirmon-kie:-raportuesja-bakoyannis-e-prezanton-opinionin-per-aplikimin-e-kosoves-me-27-mars

e-konfirmon-kie:-raportuesja-bakoyannis-e-prezanton-opinionin-per-aplikimin-e-kosoves-me-27-mars

Pasi Qeveria lëshoi pe për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit tanimë në Këshill të Europës do të ketë një lëvizje në drejtim të aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Raportuesja greke, Dora Bakoyannis, më 27 mars do të paraqesë raportin e saj për Kosovën në një mbledhje urgjente të Komitetit për Çështje Politike në Paris.

Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Europës në një përgjigje për Gazetën Express ka konfirmuar që më 27 mars do të prezantohet raporti për Kosovën që përmban një draft-opinion.

“Në të vërtetë një mbledhje e Çështjeve Politike të Asamblesë do të zhvillohet më 27 mars në Paris, në të cilën zonja Bakoyannis synon të paraqesë raportin e saj që përmban një draft-opinion”, tha Divizioni për Komunikim i PACE.

Për këtë zhvillim një alarm e ngriti kryetarja e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Biljana Pantić-Pilja, e cila shfaqi frikën e Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatën e vjetër të të drejtave të njeriut.

“Sot u caktua një takim urgjent. Komiteti Politik i Këshillit të Europës e ka caktuar një takim të jashtëzakonshëm më 27 mars. Aty në rend dite është votimi i opinionit të raportueses Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE, pasi Kosova ia regjistroi pronën Manastirit të Deçanit. Sot u caktua një takim urgjent” ka thënë për mediat përfaqësuesja e Serbisë atje”.

Raporti i raportueses do të diskutohet dhe votohet nga Asambleja Parlamentare. Më pas, do të duhen 2/3 e votave për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KiE.

Kosova shpreson që ta ketë anëtarësimin më të shpejtë në këtë organizatë, pasi shumë vendeve që janë anëtarësuar u janë nevojitur shumë më shumë kohë. Sipas praktikës, Komiteti i Ministrave mblidhet një herë në vit.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12 maj 2022. Ndërkaq, më 24 prill u shënua hapi i parë i suksesshëm për Kosovën me vendimin e Komiteti Ministror i Këshillit të Europës që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

Për raportin e raportueses greke, kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ku tregoi për kërkesën ndaj Agjencionit të Kadastrit tregoi që zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të për Manastirin e Deçanit ka qenë kusht për Kosovën për t’u anëtarësuar në KiE.

“Raporti i ka listuar disa kushte ndër të cilat ka qenë edhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për Manastirin e Deçanit, të vitit 2016. Raporti është publik dhe mbetet një dokument që nuk mund të ndryshohet apo përjashtohet nga rruga jonë për në KiE; do mbetej aty si listë kushtesh sot, pas një viti, pas dhjetë vitesh.  Pas një procesi masiv të takimeve, vizitave e të komunikimeve, na është bërë e qartë që nga shumë kushte që i kemi pasur për anëtarësim në Këshillin e Evropës, disa janë konstatuar që janë plotësuar e disa janë listuar si çështje jo-urgjente, por njëri mbetet dhe nuk do të hiqet: zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit. Qeverisë i është bërë e qartë nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare, nga grupet politike kryesore në Asamble Parlamentare që përfaqësojnë parlamentet e shteteve anëtare, nga shtetet e QUINT-it, që ne duhet të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve: të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në KiE këtë vit, apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit dhe rrjedhimisht heqjen dorë nga një qëllim demokratik e shtetndërtues i Republikës sonë”, tha Kurti.