Geer pret që atmosfera e qetë dhe demokratike e rrethit të parë të ruhet edhe më 8 maj

Shefi i delegacionit të Bashkimi Evropian në vend, David Geer, vlerësoi se rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut që u mbajtën më 24 prill, ka kaluar përgjithësisht në atmosferë të qetë dhe demokratike, që ishte edhe vlerësimi preliminar i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, transmeton Portalb.mk. Geer tha se shpreson që atmosfera […]

Geer pret që atmosfera e qetë dhe demokratike e rrethit të parë të ruhet edhe më 8 maj
David Geer, foto nga profili i tij në Twitter

Shefi i delegacionit të Bashkimi Evropian në vend, David Geer, vlerësoi se rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut që u mbajtën më 24 prill, ka kaluar përgjithësisht në atmosferë të qetë dhe demokratike, që ishte edhe vlerësimi preliminar i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, transmeton Portalb.mk.

Geer tha se shpreson që atmosfera e këtillë do të ruhet edhe në fushatën zgjedhore e cila ende po zhvillohet dhe në ditën zgjedhore për dy javë, kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.

“Misioni i OSBE/ODIHR veç më ka nxjerrë raportin e preliminar të rrethit të parë të zgjedhjeve. Zgjedhjet u zhvilluan në atmosferë përgjithësisht të qetë dhe demokratike dhe me të vërtetë shpresojmë se në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe në fushatën për zgjedhjet parlamentare të ndërtohen mbi këtë moment pozitiv që do të mundësojë që i gjithë procesi të përfundojë me porosi pozitive dhe me pjesëmarrje pozitive”, deklaroi euroambasadori në shënimin e sotëm të Javës Evropiane të imunizimit në parkun e qytetit në Shkup.

Një ditë pas rrethit të parë të zgjedhjeve për kryetar të shtetit, misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR doli me vlerësim preliminar pozitiv për zgjedhjet. Në raportin e misionit vëzhgues theksohet se në fushatë janë respektuar liritë themelore, ndërsa procedurat e votimit janë respektuar në masë të madhe.

Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet me 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.