Ish-presidenti Donald Trump pritet të dalë para gjykatës

Ish-presidenti Donald Trump pritet të dalë pas disa orësh para gjykatëses për t’u deklaruar ose jo fajtor mbi akuzat e ngritura ndaj tij. Ai akuzohet për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, që rezultuan në protestën e dhunshme të përkrahësve të tij ndaj Kapitolit në 6 janar të vitit 2021, transmeton […]

Ish-presidenti Donald Trump pritet të dalë para gjykatës
Foto: Donald J. Trump (fb)

Ish-presidenti Donald Trump pritet të dalë pas disa orësh para gjykatëses për t’u deklaruar ose jo fajtor mbi akuzat e ngritura ndaj tij.

Ai akuzohet për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, që rezultuan në protestën e dhunshme të përkrahësve të tij ndaj Kapitolit në 6 janar të vitit 2021, transmeton Zëri i Amerikës.

Trump udhëtoi nga qyteti Bedminster, në Nju Xhersi, drejt Uashingtonit, për t’u paraqitur në gjykatë. Seanca në ngarkim të ish presidentit pritet të nisë në orën 16.00 me orën lokale në Uashington.

Pas mbërritjes në Gjykatë, zoti Trump do të vihet nën arrest dhe pritet t’i nënshtrohet procedurave ligjore, si marrja e shenjave të gishtërinjve.

Pritet që zoti Tump të deklarojë se është i pafajshëm për akuzat se kishte bërë komplot për të shkelur të drejtën e amerikanëve për të votuar, komplot kundër qeverisë, pengim të një procesi zyrtar dhe komplot për të penguar një procedurë zyrtare.

Ai pritet të lihet i lirë në pritje të gjyqit.

Në aktpadinë prej 45 faqesh, të bërë publike të martën, prokurorët e udhëhequr nën drejtimin e prokurorit të posaçëm Jack Smith, e akuzojnë ish-presidentin se donte të sabotonte demokracinë, duke dashur të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve.

Çështjen ndaj ish-presidentit do ta gjykojë gjykatësja federale, Tanya Chutkan, që njihet si një nga ndëshkueset më të ashpra të personave që sulmuan Kapitolin. Megjithatë seancën e sotme për paraqitjen e akuzave e drejton, një gjykatëse tjetër, Moxila Upadhyaya.