Izraeli zotohet se do t’i vazhdojë operacionet e “vështira” ushtarake në Gaza

Ushtria e Izraelit është zotuar se do të vazhdojë operacionin e saj në Gaza, por pranoi se është “i zgjatur” dhe i “vështirë”, raporton “BBC”. Një zëdhënës ka thënë gjatë fundjavës se po zgjerohen “operacionet tokësore në jug dhe veri të Rripit të Gazës”. Ndërkohë, SHBA-ja ka njoftuar se presidenti amerikan Joe Biden ka biseduar […]

Izraeli zotohet se do t’i vazhdojë operacionet e “vështira” ushtarake në Gaza
Palestinezët përleshen me forcat izraelite pranë kufirit Izrael-Gaza, foto: AA

Ushtria e Izraelit është zotuar se do të vazhdojë operacionin e saj në Gaza, por pranoi se është “i zgjatur” dhe i “vështirë”, raporton “BBC”.

Një zëdhënës ka thënë gjatë fundjavës se po zgjerohen “operacionet tokësore në jug dhe veri të Rripit të Gazës”.

Ndërkohë, SHBA-ja ka njoftuar se presidenti amerikan Joe Biden ka biseduar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke ia theksuar “nevojën kritike” për t’i mbrojtur civilët”, transmeton Koha.net.

Netanyahu tha se lufta do të vazhdojë derisa të arrihen qëllimet izraelite.

Biden po ashtu u ka thënë gazetarëve se nuk i ka kërkuar Netanyahut armëpushim.

Të premten, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka aprovuar një rezolutë që kërkon ndihma të shkallës së gjerë në Gaza, por nuk kërkoi edhe armëpushim mes dy palëve që janë në luftë.

Bisedimet që janë mbajtur në Egjipt këtë javë me synim për të arritur një armëpushim të ri mes Izraelit e Hamasit nuk kanë sjellë rezultat.

Një zyrtar palestinez, që ka njohur me negociatat, ka thënë për “BBC” se Egjipti prezantoi një plan të ri me tri etapa, që nisë me një armëpushim dyjavor humanitar, i cili mund të zgjatet. Gjatë kësaj periudhe Hamasi liron 40 pengje izraelite, e Izraeli duhet të lirojë 120 të burgosur palestinezë.

Kjo fazë do të përcillet nga formimi i një trupi të pavarur që do të merrej me ndihmat humanitare dhe rindërtim, si dhe arritjen e një armëpushimi gjithëpërfshirës dhe shkëmbim të burgosurve.

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka thënë se mbi 20 mijë persona kanë humbur jetën e 53 mijë janë lënduar në Gaza, që kur nisën bombardimet izraelite më 7 tetor.

Sulmi izraelit erdhi si kundërpërgjigje ndaj sulmit të militantëve të Hamasit brenda territorit izraelit po më 7 tetor. Në atë sulm u vranë 1200 persona, ndërsa u kidnapuan rreth 240.