KE miratoi paketën e zgjerimit, u rekomandua nisja e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë

Në takimin e kolegjit të 27 komisionarëve evropianë të mërkurën, më 8 nëntor, u miratua paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces. Komisioni Evropian rekomandoi nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për […]

KE miratoi paketën e zgjerimit, u rekomandua nisja e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë
Prezantimi i Pakos së zgjerimit të BE-së. Foto printscreen nga video live i Komisionit Evropian

Në takimin e kolegjit të 27 komisionarëve evropianë të mërkurën, më 8 nëntor, u miratua paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces. Komisioni Evropian rekomandoi nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe dhënien e statusit të vendit kandidat për Gjeorgjinë, transmeton REL.

Komisioni Evropian rekomandoi edhe hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bosnje e Hercegovinës me BE-në, kur të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret për anëtarësim. Komisioni do t’i raportojë Këshillit deri në mars 2024 për çdo progres.

Përpjekjet për të arritur pajtim që edhe për Bosnje e Hercegovinën të rekomandohet nisja e negociatave kishte hasur në kundërshtime, gjatë takimit të shefave të kabineteve të zhvilluar të martën . Në këtë takim zakonisht dakordohet për tekstin final, para se ai të miratohet.

Për herë të parë, raportet e progresit u miratuan për dhjetë shtete që janë në këtë proces. Raportet u miratuan për gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – dhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Po ashtu, Raport Progresi ende hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat.

Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërkaq vendimet formale miratohen në Këshillin Evropian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet.

Rekomandimet dhe raportet e miratuara më 8 nëntor në Komisionin Evropian do të jenë në rend dite në takimin e radhës të Këshillit Evropian, që do të mbahet në dhjetor.

Të enjten, më 09 nëntor, me fillim nga ora 11:00 në ndërtesën e Qeverisë në Shkup, do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp në të cilën do të prezantohet Raporti i vendit për vitin 2023 për Maqedoninë e Veriut nga ambasadori Geer dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Mariçiq.

Në periudhën e ardhshme, pakoja do të prezantohet edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, si dhe para organizatave të shoqërisë civile.

Kujtojmë se presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, vizitoi Maqedoninë e Veriut më 30 tetor.

Kryetarja e KE-së Ursula Von del Leyen tha se Maqedonia e Veriut është në rrugë të mirë drejt anëtarësimit në BE.

“Është e pabesueshme të shohësh përparimin që ka bërë Maqedonia e Veriut dhe vendosmëria për të ecur përpara është mbresëlënëse”, tha Von del Leyen.

“BE ka një histori të gjatë zgjerimi dhe respekti për çdo komb dhe respekt për diversitetin që ne përfaqësojmë. Ne do ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin e saj unik dhe gjuhën maqedonase”, tha kryetari i KE-së.

Ajo i quajti të shkëlqyera bisedimet me kryeministrin, se vendi ka arritur shumë dhe se reformat duhet të vazhdojnë.

“Jam në dijeni të ndryshimeve kushtetuese, hapat e parë janë hedhur në Parlament dhe pres që partitë politike të përfitojnë nga momenti”, tha Von del Leyen.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.