Kina i dërgon notë proteste Japonisë për derdhjen në det të mbetjeve radioaktive nga Fukushima

Kina i ka dërguar notë proteste Japonisë për vendimin e saj për lëshimin e ujërave të zeza radioaktive nga termocentrali bërthamor Fukushima Daiichi në oqean nga 24 gushti, transmeton Anadolu. Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës thuhet se zv/ministri Sun Weidong ftoi në ministri ambasadorin japonez në Pekin, Tarumi Hide, lidhur […]

Kina i dërgon notë proteste Japonisë për derdhjen në det të mbetjeve radioaktive nga Fukushima
Kina, foto: Glaborde7 në Canva

Kina i ka dërguar notë proteste Japonisë për vendimin e saj për lëshimin e ujërave të zeza radioaktive nga termocentrali bërthamor Fukushima Daiichi në oqean nga 24 gushti, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës thuhet se zv/ministri Sun Weidong ftoi në ministri ambasadorin japonez në Pekin, Tarumi Hide, lidhur me këtë çështje.

Sun tha se protestuan ndaj vendimit të Japonisë, duke e quajtur atë egoist dhe të papërgjegjshëm. Ai theksoi se me këtë vendim Japonia vë interesat e veta përpara shqetësimeve të vendeve fqinje.

Sun paralajmëroi se Kina do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur ekologjinë detare, sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.

Në një komunikatë për media nga ambasada japoneze thuhet se ambasadori Tarumi tha se gjatë takimit qeveria e tij ka shpjeguar në mënyrë transparente planin e shkarkimin të ujërave të zeza dhe se pretendimet e Kinës për këtë çështje nuk kanë bazë shkencore.

Cunami i shkaktuar nga tërmeti me magnitudë 9 ballë të Rihterit në mars të vitit 2011 dëmtoi tre nga katër reaktorët bërthamorë në termocentralin bërthamor Fukushima Daiichi, kurse zona rreth uzinës u shpall “zonë evakuimi” për shkak të rrjedhjeve radioaktive.

Rikujtojmë se, në muajin maj të këtij viti një grup aktivistësh organizuan një protestë në Tokio, duke i bërë thirrje Japonisë të braktisë planin e saj për të shkarkuar ujë të kontaminuar nga një termocentral bërthamor i dëmtuar nga cunami i vitit 2011. Tërmeti dhe cunami dëmtuan sistemet e ftohjes së termocentralit bërthamor Fukushima Daiichi, duke rezultuar në lëshimin e ujit shumë radioaktiv nga tre reaktorë që rrjedhin në bodrumet e ndërtesës.

Ky ujë i ndotur aktualisht po mblidhet, trajtohet dhe ruhet në depozita që zënë një pjesë të madhe të uzinës.

Qeveria dhe TEPCO thonë se tanket duhet të hiqen për të krijuar vend për çaktivizimin e uzinës dhe për të minimizuar rrezikun e rrjedhjeve në rast të një fatkeqësie tjetër.

Plani për shkarkimin e ujit ka hasur në protesta të ashpra nga komunitetet lokale të peshkimit.

Vendet fqinje, duke përfshirë Korenë e Jugut, Kinën dhe vendet ishullore të Paqësorit, kanë shprehur gjithashtu pakënaqësi.

Zyrtarët japonezë janë zotuar se uji do të filtrohet shumë nën nivelet e lejuara ndërkombëtarisht, duke e bërë atë të padëmshëm.